Pas heqjes së reciprocitetit, Kosova rrezikohet nga plani i treshes Thaçi – Rama dhe Vuçiq

Politika

Pas heqjes së reciprocitetit, Kosova rrezikohet nga plani i treshes Thaçi – Rama dhe Vuçiq

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 9 qershor 2020 Në ora: 15:47
Ilustrim "Bota sot"

Se çfarë do të ndodh me Kosovën pas heqjes së reciprocitetit dhe se a ishte gabim i drejtë apo jo i drejtë heqja e reciprocitet dhe etiketimi i tij si pengesë, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se heqja e reciprocitetit nga ana e Qeverisë së Hotit mund të jetë ose dorëzim para Serbisë ose mençuri diplomatike para SHBA-së e BE-së në dobi të Kosovës.

Sipas tyre, Qeveri e Hotit nuk është qeveri e popullit të Kosovës, por e porositur për dialog me Serbinë.

Mehazi: Qeveria Hoti do lëshoj pe ndaj Serbisë

Njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka thënë për gazetën “Bota sot” se nëse heqja e reciprocitetit është në të mirë të Kosovës askush s'është kundër, po nëse është në dobi të Serbisë e në dëm të Kosovës atëherë heqja e reciprocitetit është mposhtje politike e Qeverise së re të Hotit.

Image
Sulejman Mehazi

“Nëse shfuqizimi i reciprocitetit e ka vlerën e ruajtjes territoriale të Kosovës gjatë dialogut me Serbinë, atëherë askush nuk do jetë kundër, përkundrazi, do përkrahet edhe nga populli i Kosovës. Nëse këtë lëshim qeveritar e kanë kërkuar përfaqësuesit amerikan e evropian për t'u hequr pengesa e dialogut me Serbinë, s'ka problem, pasi ata janë të dërguarit special për dialog me Serbinë e s'mund të kundërshtohen, po nëse heqja e reciprocitetit është kërkesë serbe atëherë kjo është e frikshme dhe shumë e dëmshme për Kosovën, Pas shfuqizimit të reciprocitetit, kërkesa e dytë e Serbisë ndaj Grenellit mund të jetë ndarja e Kosovës sipas vendbanimeve serbe”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi.

Ai ka thënë se kjo Qeveri e Hotit nuk është qeveri e popullit të Kosovës, por e porositur për dialog me Serbinë, dhe, nëse gjatë dialogut me Serbinë mbron çdo cep të Kosovës do hyjë në historinë e dialogut të suksesshëm përfundimtar me Serbinë, në të kundërtën, do jetë qeveria më e neveritshme, më e turpshme e Kosovës.

“Heqja e reciprocitetit nga ana e Qeverisë së Hotit mund të jetë ose dorëzim para Serbisë ose mençuri diplomatike para SHBA-së e BE-së në dobi të Kosovës. Edhe pse shumica e popullatës s'është e kënaqur me formimin e kësaj Qeverie, megjithatë shpresa humb e fundit, për fat të keq që në fillim shihet se Qeveria Hoti gjatë dialogut me Serbinë do jetë më shumë e lëshimeve pe ndaj Serbisë sesa e principeve politike për të mirën e ruajtjes territoriale të Kosovës”, ka thënë profesor Sulejman Mehazi.

Bytyçi: Hoti ka ardhur në pushtet për të bërë lëshime në dialog

Kurse profesor Enver Bytyçi ka thënë se në ditën e tretë të qeverisjes së saj qeveria e re e zotit Hoti mori vendimin e paralajmëruar para se të vinte në pushtet, se ai do të hiqte jo vetëm taksën, por edhe masat e reciprocitetit me Serbinë.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, e vërteta është se reciprociteti ishte një perde e heqjes së taksës nga ana e qeverisë Kurti.

“E them këtë pasi në gjykimin tim reciprociteti në kushtet e ndërvarësisë në marrëdhëniet ndërkombëtare është shndërruar në një term relativ dhe deri diku abstrakt dhe për pasojë spekulues. Por nga pikëpamja e simbolikës reciprociteti i qeverisë Kurti me Serbinë i dha një shans njohjes de facto të shtetit të Kosovës nga ana e Beogradit. Edhe pse pa ndonjë ndikim të madh, në Beograd vunë alarmin për këtë masë. Vuçiq dhe Ivica Daçiç e deri te Gjuriq nuk kishin asnjë problem me reciprocitetin e zotit Kurti, por ata kundërshtuan për të fituar kapital politik te zgjedhësit serbë dhe për t’iu imponuar Kosovës në dialog”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai konsideron se Bashkësia ndërkombëtare e mbështeti kërkesën serbe, andaj edhe Hoti e realizoi atë kërkesë pa menduar dy herë, pa u konsultuar me ekspertë, pa pyetur institucionet e tjera të specializuara, madje në kundërshtim me vullnetin e një partneri të rëndësishëm të qeverisë së tij, AAK-së.

“Por tani lind pyetja se a ishte i drejtë ky vendim, kur në parim vendimi e vendos Kosovën në pozita inferioriteti në bisedimet me Serbinë për t’i dhënë fund konfliktit midis palëve. Heqja e taksës e tani edhe e reciprocitetit është një test dhe dëshmi e pavendosmërisë s shqiptarëve të Kosovës për ta mbrojtur të drejtën e vet. Reciprocitet do të thotë respekt reciprok, do të thotë marrëdhënie e bazuar te e drejta për të qenë i barabartë, do të thotë ekuilibër dhe harmoni në sjelljet midis partnerëve, do të thotë gjithashtu stabilitet, paqe dhe siguri për të ardhme më të mirë të shteteve dhe kombeve. Mospasje të reciprocitetit do të thotë pabarazi, padrejtësi, imponim nga pozita e të fortit. E përsëris, reciprocitet të pastër nuk ka e nuk mund të ketë. Por së paku në rastin e Kosovës pati filluar të respektohej Republika e Kosovës si emblemë, si simbol dhe kjo do të thoshte tërheqje e Serbisë nga pozicioni refraktar dhe agresiv i mosnjohjes së Kosovës”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, për këto arsye masa e reciprocitetit ishte diçka e rëndësishme, ndonëse shumë më pak se taksa kundër Serbisë.

“Efekti negativ i këtij hapi të qeverisë Hoti do të shihet shpejt, në dy-tre muajt e ardhshëm, gjatë procesit të zhvillimit të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Aty do të shohim se pas këtij lëshimi, sa e gatshme do të jetë qeveria e Kosovës të bëjë lëshime tjera në dialog. Për mendimin tim, zoti Hoti ka ardhur në pushtet pa Verdiktin e qytetarëve, pikërisht për të bërë lëshime në dialog. Kur them pa vullnetin e qytetarëve nuk kam parasysh atë se LDK ishte e dyta në zgjedhjet e fundit, por kam parasysh se zoti Hoti nuk ishte kandidat për kryeministër”, ka thënë profesor Bytyçi.

Thaçi mund të kryesoj dialogun

Ai ka theksuar se në një fushatë zgjedhore ku shpallen kandidatët për kryeministër është e domosdoshme që kryeministër të bëhet kandidati dhe jo dikush tjetër, i cili ka qëndruar në prapaskenë.

“Ndaj Hoti nuk ka legjitimitet, dhe prandaj ai erdhi aty për të bërë lëshimet që iu kërkuan në disa takime me Grenell dhe me bekimin e presidentit Thaçi, i njohur për lëshimet e tij në dialogun dhjetëvjeçar me Beogradin. Për këtë arsye nuk pres ndonjë sukses pas këtij akti. Thjesht ishte një lëvizje me detyrim-përcaktim për zotin Hoti. Por tani lind pyetja se çfarë do të ndodhë? Së pari zoti Hoti ka shumë gjasa që të heqë dorë nga kryesimi i dialogut, edhe pse kjo detyrë është tashmë e vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Ka shumë mundësi që ai t’ia mundësojë kryesimin e dialogut presidentit Thaçi. Në përmbajtje këtë detyrë Thaçi e mori prej Isa Mustafës madje kur ishte zëvendës i tij e ministër i Jashtëm. Pasi u bë president ai as që e ka pyetur kryeministrin Mustafa e më pas kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e dialogut me Serbinë. As ka raportuar dhe as hoqi dorë nga takimet sekrete me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Nuk pritet që të tërhiqet nga ky mision tani që në krye të qeverisë solli një kukull politike. Thjesht do ta përdorë atë si dekor ditën e nënshkrimit të marrëveshjes me Aleksandër Vuçiq. Dy presidentët do nënshkruajnë dhe dy kryeministrat, Hoti dhe Brnabiq do të duartrokasin në atë ceremoni”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, prej këtej del se projektet e Thaçit, Vuçiq e Edi Ramës për Kosovën do të realizohen në mënyrën që presidenti i Kosovës u shpreh në gusht 2018 në Alpach të Austrisë, ndoshta me ndonjë retushim të vogël për shkak të reagimit të opinionit publik.

“Heqja e reciprocitetit do të shoqërohet me ruajtjen e reciprocitetit në përfaqësim në dialog: President me president, Vuçiq dhe Thaçi. Por me nënshtrim absolut nga ana e presidentit të Kosovës ndaj presidentit të Serbisë. Albin Kurti e para tij, Ramush Haradinaj, e kundërshtuan këtë skemë. Duhej Dulla si pasardhës i Isës në LDK që ta plotësonte oreksin e bashkëbiseduesve për të plotësuar projektet serbe e ruse në Kosovë e në rajon”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Zogaj: Vlerësim i drejt heqja e reciprocitetit

Kurse analisti politik Skënder Zogaj ka thënë se kriza shumëvjeçare politike që e ka mbërthyer Kosovën, kulmoi me Qeverinë Kurti, e cila u shpresua të ishte e shpresës, por doli të ishte e dëshpërimit, sepse jo vetëm që, nuk çoi proceset përpara, por i ngatërroi dhe i këputi fare, me vendimet e paligjshme që i mori duke qenë qeveri e shkarkuar.

Image
Skënder Zogaj

Sipas tij, masa e reciprocitetit ishte një nga orvatjet kalkulative, që bashkësia ndërkombëtare e hetoi dhe e refuzoi, duke e bërë kusht për vazhdimin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

“Prandaj, nuk ka asnjë fije dyshimi se heqja e reciprocitetit nga ana e Qeverisë Hoti, arsyeja e vlerëson si veprim të drejtë, sepse, pos tjerash, e shpreh gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e bisedimeve! Kjo është e vërteta që e dinë të gjithë, prandaj, them se, thashethemet e koluareve të caktuara dhe fushata propaganduese nëpër disa medie të shpifura, janë qëllimkëqija dhe të dëmshme! Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, sepse është përgjegjësi e tyre! Pse u dashka të prejudikimet me dyshime qëllimi i heqjes së reciprocitetit?!ka thënë analisti politik Skënder Zogaj.

Blakaj: Heqja dorë e Kosovës nga reciprocitetit, është heqje dorë nga sovraniteti

Ndërsa njohësi i çështjeve për Integrime Evropiane, Sami Blakaj ka thënë se edhe në rastin ndaj Serbisë vlen e njëjta frymë reciprociteti.

Image
Sami Blakaj

“Reciprociteti si masë shtetërore në aspektin ekonomik nuk është i preferuar në tregtinë ndërmjet shteteve, por në momentin që një shtet fillon të ndryshojë sjelljen ndaj shtetit tjetër, me të cilin ka marrëdhënie kontraktuale tregtare, siç ka Kosova me disa vende të rajonit përmes CEFTA-as, atëherë është e lejueshme që të njëjtat masa të zbatohen edhe nga shteti që është dëmtuar, ka thënë Blakaj.

Sipas tij, përderisa Serbia ushtron praktika të padrejta tregtare ndaj Kosovës, atëherë edhe Kosova e ka të drejtën e saj kushtetuese dhe ligjore për ta bërë një gjë të tillë.

“Përtej kësaj, për mua masa e reciprocitetit ndaj Serbisë nuk ishte vetëm masë mbrojtëse ndaj ekonomisë, por mbi të gjitha ishte masë mbrojtëse ndaj parimeve të barabarësisë dhe pavarësisë së Kosovës karshi Serbisë. Prandaj, jam i bindur se vendimi i qeverisë së re për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë ishte vendim i nxituar dhe si i tillë i gabuar. Për mua, heqja dorë e Kosovës nga Reciprocitetit, është heqje dorë nga Sovraniteti, përkatësisht heqje dorë nga e drejta për t’u trajtuar si shtet i pavarur dhe i barabartë”, është shprehur njohësi i çështjeve për Integrime Evropiane, Sami Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat