Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, Riza Smaka thotë se është cenuar Kushtetuta dhe sovraniteti i vendit - ja kush është përgjegjës për këtë - Bota Sot
Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, Riza Smaka thotë se është cenuar Kushtetuta dhe sovraniteti i vendit - ja kush është përgjegjës për këtë

Politika

Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, Riza Smaka thotë se është cenuar Kushtetuta dhe sovraniteti i vendit - ja kush është përgjegjës për këtë

Nga: N. H Më: 22 qershor 2020 Në ora: 22:24
Riza Smaka

Përkundër që në Kosovë për shkak të pandemisë, është shtyrë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të dy komunave, të Podujevë dhe asaj të Mitrovicës së Veriut, nën monitorimin e OSBE-së, dje në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë u mbajten zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Profesori dhe një prej hartueseve të Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të shtetit serb në Kosovë nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Smaka shprehet se nuk ka precedencë të tillë ku një shtet organizon e mban zgjedhje të përgjithshme në një shtet tjetër.

“Organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për funksionarë publikë të shtetit serb në Kosovë nuk është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës as me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë. Aq më parë kur shteti serb në te gjitha mënyrat e më të gjitha mjetet operon kundër shtetit të Kosovës. Nuk ka precedencë të tillë në të cilën në një shtet konkretisht në Kosovë të organizohen e mbahen zgjedhje të përgjithshme për një shtet tjetër, për Serbin, pa përfillje të reciprocitetit të ndërsjellë dhe pa marrëdhënie diplomatike”, ka thënë Smaka.

Tutje, ai ka shtuar se sikur Serbia do ta kishte njohur shtetin e Kosovës, do të kishe ekzistuar kuptimi dhe baza për organizim e mbajtje të zgjedhjeve të përgjithshme.

“Sikundër Serbia të kishë njohur Kosovën për shtet sovran dhe anasjelltas dhe sikundër paraprakisht të ekzistonte marrëveshje shtetërore e këtyre shteteve do të kishe ekzistuar kuptimi dhe baza për organizim e mbajtje të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë e Serbi në komunat më shumicë serbe përkatësisht shqiptare”, ka shtuar profesori i njohur.

Smaka konsideron se është cenuar Kushtetuta dhe sovraniteti i vendit, ndërsa është i mendimit se përgjegjësia politike për këtë akt provokativ irritues bie mbi Qeverinë e Kosovës.

“Nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë edhe në komunat me shumicë serbe, pos cenimit të Kushtetutës dhe të sovranitetit të Kosovës, implicite impozicionohet superioriteti i shtetit serb mbi shtetin tonë. Lejimi i zgjedhjeve të tilla, pa njohje të ndërsjellë dhe pa reciprocitet të ndërsjellë, vendi ynë vetvetiu vihet në status politik inferior përballë Serbisë. Përgjegjësia politike për këtë akt provokativ irritues bie mbi Qeverinë e vendit tonë. Aq me parë kur zgjedhje lokale në disa komuna të Kosovës nga Qeveria e vendit nuk janë lejuar për shkak të pandemisë aktuale”, ka deklaruar profesori Riza Smaka.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat