Aktakuzat e Speciales ndaj Thaçit e Veselit, flet Haziri, thotë se kanë qenë të pritura

Politika

Aktakuzat e Speciales ndaj Thaçit e Veselit, flet Haziri, thotë se kanë qenë të pritura

Nga: N.H Më: 24 qershor 2020 Në ora: 22:04
Hashim Thaçi

Prokuroria e Specializuar ka dorëzuar aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, e kreut të PDK-së ,Kadri Veseli.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) iu ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës”.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

”Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se aktakuzat ndaj Thaçit dhe Veselit ishin të pritura, dhe këto nuk kanë pse të na befasojnë.

Haziri po ashtu ka thënë se Gjykata Speciale është themeluar nga Kosova, dhe për gjithë këto vite që nga themelimi ka pasur aktivitetin e saj në hetim dhe mbledhjen e dëshmive për krime të supozuara të kryera nga UÇK-ja.

“Është një zhvillim që është pritur dhe s’ka pse të na befasojë në këtë drejtim, pasi Gjykata Speciale është themeluar nga Kosova, dhe për gjithë këto vite që nga themelimi ka pasur aktivitetin e saj në hetim dhe mbledhjen e dëshmive për krime të supozuara të kryera nga UÇK-ja, mbi të cilat edhe janë ngritur aktakuzat e para, pra këto ndaj presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, z. Kadri Veseli”, ka thënë Haziri.

Tutje, ai ka shtuar se ky proces duhet të pritet me qetësi, dhe se në rast se ne sillemi si shoqëri e përgjegjshme ndaj këtyre zhvillimeve, Kosova do të dal shumë më e fortë.

Image
Nexhat Haziri

“Krimet kanë ekzistuar dhe ato nuk kemi pse t’i mohojmë, ka pasur vrasje të civilëve, vrasje të oponentëve politik, pra të 100 zyrtarëve të LDK-së, gjatë dhe pas luftës, vrasje brenda strukturave të UÇK-së, dhe këto aktakuza nuk janë kundër Kosovës e as kundër UÇK -së, janë aktakuza ndaj individëve të cilët kanë pasur përgjegjësi komanduese në UÇK gjatë periudhës së luftës. Andaj si i tillë, ky proces duhet të pritet me qetësi, dhe në rast se ne sillemi si shoqëri e përgjegjshme ndaj këtyre zhvillimeve, Kosova do të dal shumë më e fortë”, ka shtuar Haziri.

Kurse, i pytur se cili do të jetë përfundimi i gjithë kësaj, Haziri ka thënë se është Gjykata Speciale, ajo që do të vendos për epilogun e këtyre dy aktakuzave.

“Se cili do të jetë përfundimi, këtë unë nuk mund ta them pasi që është Gjykata ajo që do të vendos për epilogun e këtyre dy aktakuzave, dhe të tjerave që priten të ngritën, por them se është lajm i mirë për familjet e viktimave, për qytetarët e Kosovës, që më në fund drejtësia po ndodhë në këtë vend, me këtë proces fillon edhe dekriminalizimi i skenës politike të Kosovës”, ka përfunduar analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara "të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat