Gjykata Speciale ka brengosur Edi Ramën dhe Vuçiqin, kjo është arsyeja që Rama vizitoi Kosovën

Politika

Gjykata Speciale ka brengosur Edi Ramën dhe Vuçiqin, kjo është arsyeja që Rama vizitoi Kosovën

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 3 korrik 2020 Në ora: 08:00
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte në vizitë dy ditore në Kosovë. Gjatë kësaj vizite ai ka zhvilluar takime të ndryshme me zyrtarët shtetërorë si dhe më liderët politikë.

Por, kjo vizitë e Ramës po cilësohet më shumë private se vizitë sytarë, të paktën kështu vlerësojnë ekspertët. Ata shprehën se vizita e Ramës ka të bëjë më shumë me aktakuzën që është paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçit.

Bytyçi: Rama shkoj e u kthye nga Kosova pa rezultat

Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se Rama mbaroi vizitën pa një rezultat konkret, si dhe foli për “bashkimin”, por duke përçarë.

“Edi Rama i dha fund një vizite dy ditore në Prishtinë. Erdhi dhe u largua nga kryeqyteti i Republikës së Kosovës pa një rezultat konkret, aq më pak të rëndësishëm. U takua me politikanët dhe drejtuesit e institucioneve të vendit, por foli vetëm në aeroportin e Prishtinës. I takoi thuajse të gjithë. Disa (Thaçin dhe Veselin) si vëllai i tyre dhe disa të tjerë si me të njerkës (Kurtin, Osmanin). Takoi edhe atë të cilin e quante “skile”, pra Isa Mustafën, por nuk mundi ta takonte Ramush Haradinajn, edhe pse hoqi dorë nga padia e dështuar kundër tij”, thotë ai.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Ai shton se si gjithmonë Edi Rama foli për “bashkimin”, por duke përçarë.

“Thoshte të bashkohemi dhe akuzoi kundërshtarët e tij se “e përçajnë shoqërinë shqiptare”. Tha që shqiptarët të bashkohen kur flasin anglisht, por në rajon ai vetë për shtatë vite u bashkua me Serbinë kundër Kosovës dhe Shqipërisë. Bashkimin Edi Rama dhe Hashim Thaçi e shohin si nocion me të cilin duhet që të tjerët të bashkohen me kryeministrin e Shqipërisë dhe Presidentin e Kosovës. Edhe kur këta të dy bashkohen me Aleksandër Vuçiçin dhe Ivica Daçiçin, ata u kërkojnë liderëve të tjerë politikë të bëhen bashkë në Beograd. Nëse këta tjerët e kundërshtojnë, ai do t’i fyejë me emërtime nga më banalet e madje do t’i padisë në gjykatë. Fushata denigruese e Edi Ramës kundër atyre që nuk i bashkohen atij në projektet serbe të ndarjes së territoreve të Kosovës dhe të krijimit të një Jugosllavie të Re është tashmë e njohur dhe e paprecedentë në historinë politike të shqiptarëve”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Bytyçi është shprehur se në konferencën për media kryeministri shqiptarë se ka thumbuar Albin Kurtin, ka sulmuar Sali Berishën dhe ka etikuar si antishqiptarë ata që luftuan për mbrojtjen e territorit të Kosovës nga copëtimi i parapërgatitur prej tij.

“Rama sulmoi Kurtin e Berishën dhe mbrojti miqtë e tij Thaçin, Vuçiqin e Batonin”

“Koncepti që Edi Rama shfaqi në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës në fakt kishte si përmbajtje përçarjen. Thumboi Albin Kurtin, sulmoi Sali Berishën dhe etiketoi si antishqiptarë ata që luftuan për mbrojtjen e territorit të Kosovës nga copëtimi i parapërgatitur prej tij dhe miqve të tij si Thaçi, Vuçiq dhe Baton Haxhiu. Sipas tij, ata që mbrojtën territorin e Kosovës “janë të dyshimtë”, ndërsa ai, kryeministri i Shqipërisë, bashkë me emrat e tjerë që u përmendën e të cilët luftuan kundër shtetësisë dhe integritetit territorial, na qenkan  atdhetarët e mëdhenj.

Ai tha se duhet të bashkohemi dhe “shqiptarët nuk duhet të jenë ashtu si i do hasmi”! Por për gati një dekadë i vetmi etalon i të qenit siç e do hasmi është Edi Rama dhe për pesë vitet e fundit edhe Hashim Thaçi. A nuk ishin Rama dhe Thaçi ashtu siç i deshi presidenti i Serbisë Vuçiq?! Kush qenka ai hasmi tjetër, që i dashka shqiptarët të përçarë, përveçse Beogradit? A nuk ishte Edi Rama kumbarë i realizimit të projektit serb të Beogradit për ndarjen e Kosovës?!”, ka potencuar profesori për “Bota sot”.

Bytyçi ka thënë se kryeministri Rama ka dhënë mesazhin e bashkimit të kombit e të shqiptarëve dhe se Thaçi duhet se kështu mbrohet lufta e UÇK-së.

“Edi Rama dha mesazhin e bashkimit të kombit e të shqiptarëve sot më shumë se kurrë. Madje e quajti këtë bashkim si historik. Por nuk mendoj se një akt-akuzë ndaj Hashim Thaçit është shkak për bashkim. Projekti i Kosovës shtet funksional ishte fondamental për bashkimin. Por kur u desh kjo, Edi Rama urdhëroi dhe ndaloi lotimin e diplomacisë shqiptare për njohjet e shtetit të Kosovës. Kur duhej të bashkoheshim për t’i kërkuar Beogradit përgjegjësi për krimet kundër shqiptarëve në Kosovë, Edi Rama na quante “sharlatanë”! Tani që rrezikohet miku i tij, Hashim Thaçi, i quan “sharlatanë”, ata që nuk bashkohen për ta mbrojtur presidentin e Kosovës. Edhe në Prishtinë Rama dha mesazhin se Thaçi duhet mbrojtur, se kështu mbrohet lufta e UÇK-së dhe vetë Kosova, ndërkohë që të dy këta nuk e mbrojtën asnjëherë UÇK-në në shtatë vite përballë persekutorëve mizorë të tyre, liderë politikë të Beogradit. Ai kërkon të mbrohet Thaçi, se sipas tij “kështu mbrojmë Kosovën”. Por këtë Kosovën për të cilën sot derdhi lot krokodili e vu në ankand, duke ua premtuar Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit!”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Rama nuk harroi as Minishengenin

Më tej, profesori Bytyçi ka shtuar se Rama erdhi në Prishtinë për ta mbrojtur Hashim Thaçin, por nuk harroi edhe të mbrojë idenë për krijimin e Minishengenit.

“Ndaj them se vizita e zotit Rama dhe mesazhet e tij ishin jo vetëm kontradiktore, por edhe mbivendosje mbi qëndrimet e idetë e kundërta me bashkimin. Ai që vazhdimisht ka kërkuar të bashkohemi së paku anglisht, ka përçarë dhe ndarë vazhdimisht për llogari të serbishtes.  Sigurisht që Rama erdhi në Prishtinë për ta mbrojtur Hashim Thaçin. Por nuk harroi edhe të mbrojë idenë e tij dhe mikut të tij në Beograd për krijimin e Minishengenit. Madje bëri thirrje që Kosova të bëhet pjesë e këtij minishengeni. Edhe pas akt-padisë ndaj Hashim Thaçit, Edi Rama nuk do të heqë dorë nga bashkëpunimi antishqiptar me Beogradin. Nga njëra anë atakon mikun e tij në Beograd, nga ana tjetër jep mesazhit e bashkëpunimit të ngushtë me Vuçiq! Por edhe nëse Vuçiq mund të ketë jetë të gjatë në pushtet, Edi Rama nuk mund t’i shtyjë ditët në qeverisje përmes miqësisë dhe solidaritetit me Serbinë dhe interesat e saj në Ballkan”, ka thënë Bytyçi për “Bota sot”.

Mehazi: Vizita e Ramës u bë për Thaçin

Image
Sulejman Mehazi

Ndërkaq, profesori Sulejman Mehazi në bashkëbisedim për “Bota sot” ka thënë se Rama erdhi në Kosovë për presidentin Thaçi pasi iu është paraqitur aktakuza nga Gjykata Speciale.

“Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës më shumë ka të bëjë me Hashim Thaçin, sesa për t'u takuar dhe me liderët tjerë politikë, takimi me të tjerët është alibi, kurse takimi primar i tij është ngushëllues ndaj Hashim Thaçin për shkak aktakuzës së Gjykatës Speciale”, ka potencuar profesori për “Bota sot”.

Për më tepër, ai është shprehur se vizita e Ramës më shumë është private, për t'u takuar me Thaçin sesa zyrtare.

“Ardhja e tij në Kosovë është për të qarë hallin e Thaçit për situatën e aktakuzës sesa për t'u takuar me qeverinë e Kosovës. Vet veshja e tij anti-plumb tregon se ardhja e tij më shumë është private dhe e pa sigurt për t'u takuar me Thaçin sesa zyrtare, sepse liderëve të pozitës qeveritare në krye me Isën, Haradinaj e Hotin, s'u zë besë”, ka thënë Mehazi për “Bota sot”.

Gjithashtu, Mehazi ka deklaruar se shihet qartë se Gjykata Speciale ka brengosur jo vetëm Edi Ramën, por edhe mikun e tij të Mini-shengenit Vuçiqin, për shkak se kjo gjykatë do shkëput njëherë e përgjithmonë idenë politike të Hashim Thaçit me Vuçiqin për shkëmbime territoresh.

“Pra, pikëqëndrimi kryesor e primar i Ramës është takimi me Thaçin për shkak akuzës nga Gjykata Speciale, kurse sekondare është takimi me elitën qeveritare të Kosovës. Shihet qartë se Gjykata Speciale ka brengosur jo vetëm Edi Ramën, por edhe mikun e tij të Mini-shengenit Vuçiqin, për shkak se kjo gjykatë do shkëput njëherë e përgjithmonë idenë politike të Hashim Thaçit me Vuçiqin për shkëmbime territoresh. Vizita dy ditore e Ramës në Kosovë sikurse luan rolin arsyetimit e shpëtimtarit të Thaçit nga aktakuza e Gjykatës Speciale”, ka përfunduar Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat