Pas dështimit të takimit në Washington me 27 qershor, me 12 korrik do të mbahet takimi në Bruksel për dialogun Kosovë-Serbi.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësim të BE-së.
Se çfarë pritet nga ky takim, për gazetën “Bota sot” ka folur hulumtuesja nga KDI, Violeta Haxholli.
Ajo thotë se ky takim është vazhdim i dialogut dhe pritet artikulim i kërkesave nga palët dhe konfirmohet edhe njëherë mbështetja e BE-së për dialogun që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen finale.
“Po takimi i 12 korrikut në Bruksel mund të shihet si vazhdim i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Nga ky takim pritet që palët të artikulojnë kërkesat e tyre për këtë fazë të dialogut dhe të rikonfirmohet edhe një herë mbështetja e BE-së për këtë proces si dhe qëllimi që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme që do të përmbyllte normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve”, është shprehur ajo.
Sipas Haxhollit, takimi në Bruksel është i ndërlidhur me atë në Washington dhe se së shpejti do të ricaktohet takimi tjetër në SHBA.
“Ky takim ndërlidhet me takimin e Uashingtonit meqenëse të dyja palët edhe BE edhe SHBA po mbështesin procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj takimi në Bruksel ka qenë i paralajmëruar dhe siç jemi njoftuar nga deklaratat publike të zyrtarëve amerikanë së shpejti do të ricaktohet edhe takimi në Uashington”, ka deklaruar Violeta Haxholli për “Bota sot”.