Një kurth i ri për LDK-në, “Skenari, ja çfarë po përgatisin PDK, AAK dhe NISMA”

Politika

Një kurth i ri për LDK-në, “Skenari, ja çfarë po përgatisin PDK, AAK dhe NISMA”

Nga: P.R Më: 28 korrik 2020 Në ora: 21:14
Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Famir Limaj

Zyrtari i PDK-së, Arben Gecaj u ka bërë thirrje Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt të bëhen bashkë në një subjekt politik.

“AAK e Nisma, sa shpenzojnë energji e mund për ta bind PDK- në me hy në qeveri, më mirë është t‘i bashkohen PDK- së si një subjekt i vetëm. Tri partitë me bazë të fortë në komuna te vogla e me deputet kryesisht nga periferia, në të ardhmen duhet të punojnë në etablim në komuna të mëdha, e gjithesesi në Prishtinë. Krejt kjo, sepse LDK e VV degët në Prishtinë e Kryesi Qendrore i kanë edhe pari të partisë. Prishtina e ka dasht UCK-në, e disa komandant me pak atë, pasojat i shohim sot. S‘ke parti nëse nuk e ke ne kryeqytet. Është rregull ky, nëse dëshiron me udhëheq vendin, e jo provincën”, kishte thënë Gecaj.

Kjo thirrje e Gecajt erdhi pasi Selim Selimi, Ministër i Drejtësisë nga radhët e AAK-së në Qeverinë që udhëhiqet nga Avdullah Hoti, i bëri thirrje PDK-së që t’i bashkohet qeverisë.

“Ne si AAK, si partneri kryesor në këtë koalicion, e kemi pasë qëndrimin që koalicioni duhet të jetë gjithëpërfshirës. Edhe para krijimit të këtij koalicioni, kryetari Haradinaj ka thënë se PDK-ja duhet të jetë pjesë e koalicionit dhe ky është qëndrimi jonë për shkak të proceseve që i kemi përpara, si ai i dialogut. Ne qëndrojmë pas asaj që PDK-ja duhet të jetë pjesë e koalicionit, pra një koalicion që garanton 2/3 në Kuvend”, kishte thënë Selimi ditë më parë.

Por a mund të ketë një bashkim të këtyre partive në një subjekt të vetëm politik? Lidhur me këtë, për “Bota Sot” ka folur anlisti politik, Gani Qarri.

Qarri ka treguar arsyet kryesore dhe atë së çka i bashkon këto tri parti, PDK-në, AAK-në dhe Nisma-në.

tri këto parti; PDK, AAK dhe NISMA, janë i njëjti brumë, kanë ide të njëjta, veprime të njëjta dhe qëllime të njëjta, dhe që të trija pa dallim, e duan pushtetin më tepër se çdo gjë tjetër, për të zotëruar korrupsionin, krimin e organizuar dhe realizuar përfitime sa më të mëdha në dëm të shtetit dhe popullit të Kosovës. Që të tria, sidomos në këto momente të rënda për to, më tepër se çdo gjë, i bashkon halli i përbashkët, janë të predispozuara ndaj Prokurorisë së Dhomave të Specialzuara, të njollosura deri në fyt me korrupsion e krim të organizuar dhe bëmat më makabre antiligjore, që nga paslufta e këtej”, thotë Qarri për “Bota Sot”.

Image
Gani Qarri

 

Sipas tij, këto tri parti dallojnë vetëm në emra, pasi ideologjinë e kanë të njëjtë.

“Madje kohët e fundit, secila prej tyre dhe të gjitha bashkë, më tepër se çdo segment tjetër në vend, e kanë mizën pas veshit dhe presin me ankth ftesat e Gjykatës Speciale ndaj anëtarëve dhe udhëheqësve kryesor të partive, njëjtë si PDK. Kështu që Arben Gecaj, zyrtar i PDK’së, ditë më parë, ka thënë me arsye, se zgjidhja më e mirë do të ishte bashkimi i AAK’së, NISMA’së dhe PDK’-së, që të bëhet më në fund edhe njësimi në një subjekt të vetëm politik, pasi që edhe ashtu, dallimet mes tyre, pothuajse nuk vërehen”, thekson ai.

“Kjo do t’i ndihmonte ato, jo vetëm në trashjen e zanatit të tyre për thellimin e veprimtarisë kriminale dhe zgjerimin e klanit PRONTO, por edhe që të ngritën nga një klan me fuqi të mesme veprimi në një organizatë të pathyeshme agresive, të tipeve mafioze në veprimet e reja kundërligjore, ku nuk do të kishte ligj as fuqi, që mund ti ndalonte më, njëjtë si simotrat në vendet amerikano-latine”.

Më tej, Qarri shprehet se kjo dëshmon hapur se grupet klanore të PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, po përgatisin ndërkëmbëzat e fundit për rimarrjen e qeverisjes së vendit.

“Ndaj për poshtërimin e LDK-së, dhe rrëzimin me “marifet” të Hotit nga posti i kryeministrit, ndërkohë AAK kinse si alternativë dhe në emër të garantimit të 2/ 3-ës së votave në Kuvend, i ka bërë thirrje PDK-së, që fillimisht të futet edhe ajo në Qeveri, për të kamufluar qëllimin dhe arritur më lehtë, pa votime dhe zgjedhje të reja, në marrjen e qeverisjes dhe jetësimin e planeve të tyre për kapjen e shtetit, sidomos tani para përballjes me Specialen, kur postet shtetërore atyre u duhen më shumë se ushqimi. E gjitha kjo dëshmon hapur se grupet klanore të PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s po përgatisin ndërkëmbëzat e fundit për rimarrjen e qeverisjes së vendit në duart e veta, si goditja më e rëndë dhe 'thikë' pas shpine për Hotin dhe vet LDK-në”, thekson analisti Qarri për “Bota Sot”.

Ai e quan këtë një kurth të ri ndaj LDK-së.

“Një kurth i ri ky, për mënjanimin e LDK-së, qoftë edhe pjesërisht për fillim nga udhëheqja e qeverisë dhe postet më me rëndësi shtetërore, në prag të marrëveshjes finale me Serbinë, ku PDK, nuk duron askënd tjetër të vejë dorë dhe firmos ato. Në këtë mënyrë LDK, jo vetëm se do të eliminohej nga qeverisja dhe qasja në vendimet më të rëndësishme për vendin, si dhe të gjitha përgjegjësitë shtetërore, por do të rrezikohej edhe me ndarje e parcializim, nga ekzistimi i pakënaqësive të vjetra dhe shpërthimit të atyre më të rejave, brenda për brenda partisë, tanimë, pikërisht për shkak të dështimit më të ri dhe turpërimit të serishëm të LDK-s, në prag të marrëveshjes me Serbinë, nga ballafaqimi me klanin Pronto, Thaçin dhe PDK-në”, përfundon analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat