Zgjedhjet banditeske të presidentëve

Politika

Zgjedhjet banditeske të presidentëve

IDRIZ ZEQIRAJ Nga IDRIZ ZEQIRAJ Më 1 shtator 2020 Në ora: 15:47
Ilustrim

Kosova është në hall nga bijtë e saj bastardë. Gjithçka po ecën së prapthi. Në vend të konsolidimit shtetëror, siguria e së ardhmes po zvetënohet gjithnjë e më shumë. Mjafton të sjellim në mendje emrat e lakuar të kandidatëve për president, kohëve të fundit. Në mes tyre edhe Edita Tahiri, e cila gënjeu shqiptarët ndër vite për "bisedime teknike", ndërkohë që ato rezultuan tërësisht politike. Ishte një konspiracion i pistë Hashimi-Edita. As shkrirja e 6 pikëshit të Baki Munit, si "fluskat e borës" nuk ndodhi!

"Xhevahirët" e saj po i shpalosë në debatet e televizive. "Kam qenë për shumë vite ministre e jashtme! Rugova nuk merrte vendime, por unë, ne", duke lënë me kuptuar se e gjithë politika sillet rreth saj! Hashimi është udhëheqës me vizion" dhe broçkulla të tjera vetëlavdëruese. Ndërkohë, dihet se ministria e jashtme nuk ka ekzistuar, disa punë të kësaj natyre, i ka mbuluar dikush tjetër.

Edhe disa emra të tjerë të lakuar, janë për "faqe të zezë", me afera kriminale e korruptive. Megjithatë, procedura e zgjedhjes së presidentit, është thjeshtëzuar dhe privatizuar, deri në banalitet. Mjafton një "ujdi" e dy kryetarëve të partive, plus Lista Serbe dhe çfarëdo banditi mund ta sigurojë kulltukun presedencial, për pesë vjetë radhazi! Rrjedhimisht, zgjedhja parlamentare e presidentit, është tërësisht banditeske.

Për listën emërore, deputetët i cakton kryetari i partisë, pa kurrëfarë debati dhe as konkurrence! Zgjedhja bëhet nga populli. Kosova me - një zonë zgjedhore -, me të drejtë votimi, një zgjedhës - pesë deputetë, përjashton çfarëdo konkurrence në votim. Përveç meritorëve, zakonisht, përvidhën edhe ata që kanë pushtet e para, duke i sfiduar kandidatët tjerë varfanjakë, por, dinjitarë e me vlera sipërore intelektuale dhe atdhetare.

Edhe pse Parlamenti i disa legjislaturave numëron duzina deputetë kriminelë e korruptivë, ata vazhdojnë të rizgjidhën lehtësisht. Këtë e dinë shqiptarët dhe ndërkombëtarët! Megjithatë, nuk e ndryshojnë ligjin zgjedhor, që Kosova ta braktisë - një zonën zgjedhore -, për t`u kthyer në - shumë zonat klasike zgjedhore -. Ndryshimi i ligjit zgjedhor zvarritët, qëllimshëm, për ta ruajtur status-quonë nga zgjedhjet - në zgjedhje me zonën njëshe për tërë Kosovën!

Vërtet, deputeti merr votat nga populli, por, harron popullin dhe vihet në shërbim të kryetarit të partisë dhe i voton vendimet e kryetarit, kundër vullnetit të votuesëve dhe të vet popullit! Kështu ndodhi edhe në zgjedhjen bizare të Hashimit-president, ku vendosën vetëm dy vetë: "Unë president- ti kryeministër!" Refuzuesit e këtij krimi "zgjedhor", e pësuan dje dhe vazhdojnë ta pësojnë edhe sot, pas afro pesë viteve!

Nëse deri në zgjedhjet e pritshme, nuk ndryshon ligji për zgjedhjen e presidentit nga populli, do të përsëritën pazarët e pista të krerëve partiakë, për emërimin e një presidenti monstër! Disa nga pretenduesit aktual, për postin e presidentit, të cilët bazohen, kryesisht, në pazaret ndër-partiake, kanë shkaktuar ilariret e neveri në opinion, ngaqë janë konsumuar e shpëlarë nga skandalet serike 20-vjeçare.

Tani, në prag të skadencës politike, duan t`i mbulojnë krimet dhe pisllëqet politike e ordiniere të tyre, me kostumin e presidentit të Kosovës!! Jo me kot thonë se "turpi nuk ka mbytur askënd".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat