Marrëveshja e arritur me Kosovën në Shtëpinë e Bardhë, është një arsye më shumë për Lëvizjen Vetëvendosje që ta rrëzojë Qeverinë.
Ata kanë kërkuar përkrahjen e PDK-së dhe AAK-së, që të votojnë pro mocionit të mosbesimit.
Derisa nga PDK janë shprehur pro rrëzimit të Qeverisë, AAK nuk do e bëjë një gjë të tillë.
Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është e natyrshme që të gjithë deputetët e pakënaqur të partive të nënshkruajnë mocionin.
“Pas këtyre zotimeve të njëanshme që këto partitë në pushtet po i quajnë marrëveshje me Serbinë është e natyrshme që të gjithë deputetët e pakënaqur nga të gjitha partitë politike pos LVV-së të nënshkruajnë mocionin për seancë për rrëzimin e qeverisë Hoti”, është shprehur ai.
Sipas Gashit, PDK nuk është shumë e qartë për përkrahjen, pasi po e luhatë lakmia për pushtet dhe joshja nga PDK, por që sipas tij PDK dhe AAK duhet ta përkrahin VV për rrëzimin e Qeverisë.
“Nuk është shumë e qartë se PDK a e përkrahë në tërësi këtë mocion apo e ndryshojnë mendimin dhe nuk kanë ndonjë konsistencë për këtë çështje. Normal që lakmia për pushtet apo joshja për pushtet nga ana e liderëve politik të partive që janë në qeveri e posaçërisht joshja nga LDK po e luhatë kohë pas kohe qëndrimin e PDK-së. Sido të jetë, mendoj edhe PDK edhe AAK do të duhej ta përkrahin mocionin e LVV-së për rrëzimin e qeverisë Hoti”, ka vlerësuar Gashi.
Pas këtij mocioni dhe rrëzimit të Qeverisë, avokati thotë se duhet të shkohet në zgjedhje dhe të vërtetohet vullneti i qytetarëve të Kosovës e të formohet Qeveria sipas këtij vullneti.
“Dhe që pas mocionit të suksesshëm të peticionit të LVV-së të rrëzohet Qeveria Hoti dhe të shkohet në zgjedhje që të vërtetohet vullneti i qytetarëve të Kosovës i cili vullnet u vodh nga qytetarët e Kosovës të cilët votuan qeverinë Kurti në tetor të vitit të kaluar. Dhe me këtë të formohet prapë një qeveri që do ta ketë vullnetin e qytetarit të Kosovës sepse kjo qeveri Hoti është pa kredibilitet dhe pa mbështetje të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Tomë Gashi për “Bota sot”.