Riza Smaka tregohet i ashpër me klasën politike: Kosovës i tjetërsuan edhe tokë

Politika

Riza Smaka tregohet i ashpër me klasën politike: Kosovës i tjetërsuan edhe tokë

Nga: G.B Më: 23 shtator 2020 Në ora: 17:23
Prof. dr. Riza Smaka

Marrëveshje ekonomike u nënshkrua në mes të Kosovës dhe SHBA të hënën gjatë vizitës së emisarit special në Kosovë.

Gjatë vizitës ai tha se ka ardhur për të nisur implementimin e marrëveshjes, për të cilën SHBA është krenare.

Sa i përket kritikave nga ana e VV-së, Grenell i quajti të parëndësishme.

Lidhur me këtë, profesori Riza Smaka, ka thënë për gazetën “Bota sot” se marrëveshjet do të mund të cilësohen pozitive.

“Në çdo veprim politik, mund të gjenden elemente të cilat do të mund të valorizoheshin pro et contra. Gjithsesi, marrëveshjet e përafruara, përgjithësisht, do të mund të cilësoheshin pozitivisht. Veçanërisht, në kontekstin e klasës politike kosovare të infektuar me forma korruptive të ndryshme dhe me pasurim ilegal e amoral dhe për aq, inkredibile për përfaqësim të dinjitetshëm të vendit tonë në transaksionet e karakterit politik e ekonomik. Asaj, jo rrallë herë i mungon profesionalizmi adekuat, në një anë në favor të politikanizmit të skajshëm, në anën tjetër”, është shprehur ai.

Sipas Smakës, klasa politike e vendit tonë pa përgjegjësi etike, juridike e politike dhe se shumë herë ka vepruar në dëm të Kosovës.

“Klasa politike e vendit tonë pa përgjegjësi etike, juridike e politike, në vend të mbrojtjes konsekuente të emrit dhe integritetit territorial të Kosovës, ka vepruar kundër, ashtu që emrin dhe emërtimin e Kosovës e ka njollosur me fusnotë dhe territorit të saj ia ka tjetërsuar 8250 hektarë. Kosova, sipas Kushtetutës, është shtet unitar civil, por, klasa politike e saj, në struktura e kontekste të caktuara, ka vepruar të kundërtën, ashtu që ka përafruar dokumente për federalizimin e vendit tonë dhe për aq për defunksionalizimin e tij. Edhe aktualisht sjelljet vërdallë fantomi për ristrukturimin inkonsekuent të vendit tonë në shtet kompleks e për aq infunksional edhe ashtu, aktualisht inefikas dhe ineficient. Së andejmi çfarëdo që do të mund të rezultonte në favorin e vendit do të duhej aplauduar më shumë si e rastit oportun e më pak e herë herë aspak si meritë e klasës politike aktuale sikundër edhe më parë”, ka deklaruar Smaka për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat