“Heshtja” e Gjykatës Speciale përballë Thaçit e Veselit, çfarë pritet të ndodhë këto ditë?

Politika

“Heshtja” e Gjykatës Speciale përballë Thaçit e Veselit, çfarë pritet të ndodhë këto ditë?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 28 tetor 2020 Në ora: 07:58
Ilustrim

Gjykatës Speciale i ka kaluar të premten afati që të konfirmojë ose të hedhë poshtë aktakuzat për krime lufte ndaj presidentit, Hashim Thaçi, e liderit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli.

Më 24 tetor janë bërë plotë 6 muaj prej kur Zyra e Prokurorit të Specializuar u ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej gjykatës, ku Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Njohësit e çështjeve juridike e kushtetuese dhe analistët kanë shpjegime të ndryshme, sa i përket heshtjes së Gjykatës Speciale, lidhur me aktakuzat ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, e liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Derisa juristi shpjegon se Gjykata Speciale do të veprojë edhe sipas të drejtës së diskrecionit që do të thotë se do të vlerësojë vetë se a do të shpallë plotë-fuqishmërinë eventuale të aktakuzës apo jo, nga ana tjetër analistët janë të mendimit se fakti se Specialja deri më 24 tetor nuk e ka rrëzuar aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit, s’ka rrugë tjetër përveç se ajo të jetë konfirmuar tashmë.

Nga Gjykata Speciale ditë më parë në një përgjigje ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, kanë shpjeguar se një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës.

Në sqarimin dhënë gazetës “Bota sot”, kanë treguar se rregullorja parasheh një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar e që bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas paraqitjes së saj.

“Varësisht nga specifikat e një çështje individuale, gjykatësi i procedurës paraprake ka një maksimum prej 6 muajsh për të vendosur nëse do ta konfirmojë ose të hedhë poshtë aktakuzën. Në të njëjtën kohë, rregullorja parasheh një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar e që bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas paraqitjes së saj. Për shembull, Rregulli 88 parasheh që gjykatësi i procedurës paraprake mund të urdhërojë mospublikimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose për të shmangë ndërprerjet e procedurave. Në çdo rast, një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë gazetës “Bota sot”.

Riza Smaka: Dënimi eventual i Thaçit e Veselit do të njolloste edhe imazhin e Kosovës

Image
Riza Smaka

Eksperti i çështjeve ligjore e kushtetuese, Riza Smaka, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka shpjeguar situatën e heshtjes së Gjykatës Speciale, lidhur me aktakuzat e ngritura ndaj presidentit e ish-kryeparlamentarit.

Smaka është i mendimit se Gjykata Speciale është themeluar në kundërshtim me parimet fondamentale juridike.

“Kolegjet prokuroriale e gjyqësore të specializuara apo shkurtimisht Gjykata Speciale, “Ab Inicio” kanë të qenë themeluar në kundërshtim më jo pak parime fondamentale juridike siç është ndër të tjera akuzimi vetëm i shqiptarëve, por jo edhe i serbëve për krime të supozuara. Në të drejtën penale ndërkombëtare nuk njihet precedenti i themelimit të gjykatave monoetnike, vetëm për etnikumin e definuar në shoqëri politike multietnike”, shprehet Smaka.

Lidhur me këtë çështje, profesori deklaron se Specialja do të veprojë edhe sipas të drejtës së diskrecionit që do të thotë se kjo e fundit do të vlerësojë se a do të shpallë plotë-fuqishmërinë eventuale të aktakuzës apo jo.

“Pastaj, ajo gjykatë i ka caktuar rregullat e veta që në pika të caktuara dallojnë nga rregullat standarde të drejtës penale procedurore. Gjithsesi, tani gjykata në fjalë do të veprojë edhe sipas të drejtës së diskrecionit që do të thotë se do të vlerësojë se a do të shpallë plotë-fuqishmërinë eventuale të aktakuzës apo jo”, tha me tej Smaka.

Profesori Riza Smaka, ka thënë për gazetën “Bota sot”, mes të tjerave ka theksuar se me ngritjen e aktakuzës kundër Thaçit e Veselit nuk duhet të gëzohemi, pasi sipas tij, dënimi eventual i tyre në trajtë indirekte do të njolloste edhe imazhin politik të Kosovës.

“Duke qenë pro persekutimit të të pandehurve për kryerje të krimeve të cilave do forme, në një anë nuk do të duhej të gëzohemi për ngritjen e aktakuzës kundër Presidentit Thaçi, ish kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli nga se ndër të tjera dënimi eventual i tyre në trajtë indirekte do të njolloste edhe imazhin politik të shtetit tonë”, tha mes të tjerave njohësi i çështjeve juridike profesor Riza Smaka.

Analisti politik: Aktakuza është konfirmuar, ja kur pritet që të bëhet publikimi i saj!

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti e njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka deklaruar se fakti se kjo gjykatë deri më tani nuk e ka hedhur poshtë aktakuzën e ngritur, lë të kuptohet se ajo tashmë veç së është konfirmuar.

Mehmeti shprehet i bindur se Specialja aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit do të bëjë publike para caktimit të mbajtës së seancës së parë.

“Fakti se Gjykata Speciale deri më 24 tetor nuk e ka rrëzuar aktakuzën nga Thaçit dhe Veselit, s’ka rrugë tjetër përveç se ajo të jetë konfirmuar. Mirëpo, ekziston mundësia që ajo mos të bëhet publike, deri pak para mbajtës së seancës së parë ndaj të akuzuarve. Kështu që, Gjykata Speciale aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit do të bëjë publike para caktimit të mbajtës së seancës së parë ndaj tyre”, shprehet Mehmeti.

Krejt në fund, njohësi i rrethanave politike në vend ka nënvizuar se presidenti aktual i vendit, dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës duhet të jenë të vetëdijshëm se aktakuza ndaj tyre është konfirmuar, gjersa lidhur me konfirmimin e aktakuzës kjo do varët varësisht si e sheh të nevojshme gjykata që ka selinë në Hagë.

“Kështu e lexoj heshtjen e Gjykatës Speciale, e cila ka marr parasysh edhe peshën politike të të akuzuarve, andaj edhe nuk e ka parë edhe aq të nevojshme që të konfirmojë tani aktakuzën ndaj tyre, me seancën që mund të mbahet pas disa javësh apo muajve. Në këtë logjikë, Thaçi dhe Veseli duhet të jenë të vetëdijshëm se aktakuza ndaj tyre është konfirmuar, pritet publikimi, varësisht kohës që Gjykata e sheh të nevojshme”, tha krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat