Gjykata Speciale dhe Hashim Thaçi: Askush s’u dënua për dhjetëra vrasje të ndodhura në Kosovë e Shqipëri

Politika

Gjykata Speciale dhe Hashim Thaçi: Askush s’u dënua për dhjetëra vrasje të ndodhura në Kosovë e Shqipëri

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 11 nëntor 2020 Në ora: 21:14
Hashim Thaçi

Tash janë mbajtur seanca fillestare të Gjykatës Speciale në Hagë. Para trupit gjykues dolën edhe ata të cilët lobuan për themelimin e kësaj të fundit.

Njohësi e çështjeve politike kanë vlerësuar se nuk është bërë gabim me themelimine Gjykatës Speciale, pasi kjo do të sjellë drejtësi për krimet e ndodhur në Kosovë. Po ashtu, ata vlerësojnë se themelimi i kësaj Gjykate ishte si dhuratë për qeverinë e Serbisë.

“Thaçi & CO për 20 vite me radhë urdhëroi gjykatat vendore”

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, nuk mendon se është bërë gabim për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Për Gjykatën Speciale, askush nuk gaboi, as nuk u keqkuptua edhe nga politikanët qëllimi i saj, por pasi që kuislingu Hashim Thaçi & CO për 20 vite me radhë urdhëroi gjykatat vendore që të hedhin poshtë edhe paditë private të qytetarëve të dëmtuar të Kosovës kundër kriminelëve serbë që shkaktuan gjenocid mbi kategoritë më të pafajshme si fëmijët, gratë, pleqtë dhe civilët e paarmatosur vetëm pse ishin të pambrojtur, tani le të akuzohet vet dhe marr dënimin e merituar bashkë me mbështetësit dhe themeluesit e saj, nëse nga procesi gjyqësor kundër tij në Gjykatën Speciale, vërtetohet se edhe ai me shokë, gjatë dhe pasluftës kanë vrarë shqiptar.

Sa herë bëhet fjalë, apo shtrohet pyetja hipokrite se kush gaboi për Gjykatën Speciale, duhet thënë me zë dhe theksuar fort, se askush nuk gaboi, sidomos miqtë tanë amerikanë dhe evropianë, të gjithë për vite me radhë, i kanë dalë hakut Kosovës me të gjitha, madje edhe kanë privilegjuar kriminelët, duke pritur mbi 15 vite, pas luftës që edhe Kosova, njëjtë si të gjitha shtetet tjera të shkëputura me luftë, nga ish mbetja jugosllave, ta formojë një gjykatë të veçantë për hetimin e krimeve të ndodhura dhe atyre të supozuara, gjatë dhe pas lufte, por kjo gjë nuk ndodhi kurrë në Kosovë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Askush nuk u dënua për vrasjet e Konushevcit, Ukës, Krasniqit...

Image
Gani Qarri

Në prononcimin e dhënë për “Bota sot”, Qarri tregon se çfarë ka ndodhur në Kosovë përgjatë viteve që ndodhen vrasjet e pasluftës, ku nuk janë mbajtur proceset gjyqësorë për këtë raste.

“Përkundër të gjithave, bandat që kishin kapur shtetin nuk lejuan formimin e një gjykate të tillë, as pas paralajmërimit nga ndërkombëtarët, se nëse nuk lejohet krijimi i një gjykate vendore, duhet të ngritët një gjykatë jashtë shtetit të Kosovës për hetimin e krimeve brenda territorit të saj.

Gjatë viteve të luftës u vra  Ilir Konushevci, Ali Uka, kolonel Ahmet Krasniqi etj dhe atë në Shqipëri, por sot e atëherë nuk u mbajt asnjë proces gjyqësor, nuk u akuzua as dënua askush në Shqipëri as Kosovë, ani pse asnjëri prej këtyre heronjve, nuk u goditë nga predhat e armikut serb, as vdiqën nga vdekja natyrore, por nga dora barbare e kriminelëve shqipfolës.

Në Kosovë u vra Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Komandant Drini e shumë emra të tjerë, nga më të mirënjohurit në truallin e shtetit tonë të ri, por vrasjet që vetëm pas lufte arritën shifrën në mbi 1800 sosh, në Kosovë, kurrë nuk guxuan të hetohen nga askush dhe mbetën të pazbardhura tash e atëherë, pa u zbuluar kurrë dorasit as urdhërdhënësit, sikur ti kishte gjuajtur dhe vrarë vet Zoti, nga qielli me rrufe”, ka thënë Qarri për “Bota sot”.

Ai tregon se pse nuk u themelua një Gjykatë e tillë në Kosovë, por në Hagë.

“Ndaj, nëse dikush ka gabuar ndonjëherë, madje shumë rëndë, ata janë kriminelët, bandat dhe hajnat të cilët nga frika se do të hetohen për bëmat e tyre makabre, e quan punën deri atje, sa të krijohej një Gjykata Speciale me seli mijëra kilometra larg vendit, në Hagë të Holandës, si Specialja të cilës, edhe pse pak me vonesë, po shihet qartë se përgjegjësisë së krimeve, nuk mund ti ikë më askush”, ka theksuar ai.

Qarri shprehet se qysh në fillim është ditur saktë, se cilat janë  shkaqet dhe arsyet e formimit të kësaj gjykate.

“Madje qëllimet e krijimit të saj, nuk ishin të fshehta as të mbuluara dhe qysh në fillim dihej saktë, se shkaqet dhe arsyet e formimit të kësaj gjykate ishin plotësisht të qarta e pa asnjë dykuptim dhe publikisht thuhej, se; Nga Specialja do të hetohen vrasjet gjatë dhe pas luftës në Kosovë! Kështu që, këtu nuk ka asnjë keqkuptim, nga udhëheqja e atëhershme shtetërorë dhe politika e kriminalizuar vendore, qëllimi i krijimit të saj ishte deklaruar paraprakisht dhe formimi i Gjykatës Speciale po ndodhte, pikërisht siç shkruan edhe në akuzat e sapopublikuara, për të hetuar vrasjet, plagosjet, detyrimet, torturat dhe keqpërdorimet tjera, të cilat Kosova vet, nën sundimin e bandave nuk kishte "dashur" ti hetonte”, ka potencuar Qarri.

Gjithashtu, ai shprehte se ka pasur mendime se  Gjykata Speciale do të vepronte njëjtë sikur Gjykatat në vend.

“Vetëm mbështetësit dhe aprovuesit e saj mendonin se edhe Gjykata Speciale, do të vepronte njëjtë si gjykatat e korruptuara dhe prokuroria e kapur në Kosovë, që këta i kishin vet në dorë dhe me urdhrat e klanit PRONTO mund të ndiqnin dhe hetonin secilin, por jo edhe bartësit e kriminalizuar të pushtetit, që tash e mbi 13 vite sundojnë arbitrarisht këtë vend. Prandaj, megjithëse faljen nuk ua kishte premtuar askush, anipse insistuan në miratimin e kësaj gjykate me mendimin e pa bazuar se edhe Dhomat e Specializuara do të mjaftoheshin me burgosjen e shokëve të tyre të rangut më të ulët, por jo edhe të koxhabashëve kryesor, përfundimisht ata ranë në gropën që u kanë përgatitur gjithë të tjerëve, pa besuar se edhe vet të parët, do të fundoseshin në të, siç po ndodhë aktualisht me ta në Hagë”, ka thënë Qarri për “Bota sot”.

Në fund, ai ka ritheksuar se askush nuk ka gabuar për Gjykatën Speciale, as nuk ka keqkuptuar nga politikanët qëllimi i saj.

“Kështu që duhet përsëritur zëshëm dhe theksuar fort e dinjitetshëm, se askush nuk gaboi për Gjykatën Speciale, as nuk u keqkuptua nga politikanët qëllimi i saj, madje është plotësisht e kuptueshme se tani po akuzohen edhe vet mbështetësit dhe themeluesit e saj, për faktin se prokuroria e Dhomave të Specializuara pretendon se ka dëshmi të mjaftueshme për involvimin e tyre në krimet më makabre, duke akuzuar për qindra vrasje, detyrim dhe tortura edhe vet ish presidentin, i cili gati ia pati falur gjysmën e Kosovës, Serbisë okupatore, me shpresën se do të shpëtonte nga Gjykata Speciale, gjë që vërteton se ai hallin e ndjekjes prej saj, e kishte shumë më herët”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

Thaçi, Veseli dhe deputetët votuan për gjykimin e tyre

Profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” ka folur për Gjykatën Speciale, ku ka thënë se kjo e fundit doli si dhuratë për qeverinë serbe nga politikanët e Kosovës.

Image
Sulejman Mehazi

“Atë që nuk mund ta bënte Serbia me anë të fletarrestimeve për të akuzuar e burgosur komandantët e Shtabit të Përgjithshëm të  UÇK-së: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e bënë vet këta me krijimin e Gjykatës Speciale, me duart e veta zotërinjtë e lartpërmendur e krijuan naivisht Gjykatën Speciale që për t'u akuzuar vetë, në anën tjetër, për serbët ishte e mirëseardhur, dhe doli si dhuratë e peshqesh juridik e politik i jashtëzakonshëm për qeverinë serbe”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, profesori shton se Gjykata Speciale është tradhti qeveritare, parlamentare e jo gabim politik.

“Në vend që ish-deputetët e parlamentit të Kosovës të votonin një Gjykatë Specialë ndërkombëtare për krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë, çuditërisht, ata krijuan Gjykatë Speciale për të akuzuar e burgosur liderët e vet politik, atë që se bëri Millosheviqi e bëri Thaçi, Veseli dhe deputetët e Kosovës duke akuzuar e burgosur vetveten dhe luftën çlirimtare të Kosovës, kjo ndodh vetëm në Kosovë e askund tjetër. Gjykata Speciale është tradhti qeveritare, parlamentare kosovare e jo gabim politik, gabimet politike përmirësohen e korrigjohen, kurse kjo Gjykata Speciale e ka kuptimin e vetëvrasjes politike, ushtarake e shtetërore”, ka përfunduar  Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat