Vendimi i Kushtetueses për rrëzimin e Qeverisë Hoti, profesori jep alarmin: Gjendja është e rëndë

Politika

Vendimi i Kushtetueses për rrëzimin e Qeverisë Hoti, profesori jep alarmin: Gjendja është e rëndë

Nga: N.H Më: 8 janar 2021 Në ora: 23:06
Avdullah Hoti dhe Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar të mërkurën, nuk do të ketë të drejtë të garojë për deputet në zgjedhjet e reja. Kështu të paktën mendojnë njohësi e kësaj fushe.

Profesori i së Drejtës, Muhamet Kelmendi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka shpjeguar në detaje vendimin e Kushtetueses lidhur me Qeverinë Hoti dhe për kandidimin e Kurtit për kryeministër.

Ai është i mendimit se lidhur me këtë çështje, dalin dy çështje shumë domethënëse për politikën e Kosovës, të cilat në aspektin juridik.

Image
Profesori i së Drejtës, Muhamet Kelmendi

“Në kuadër të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të shpallur zyrtarisht dalin dy çështje shumë domethënëse për politikën e Kosovës, të cilat në aspektin juridik, futen në gabime të rëndë të kësaj gjykate. Së pari, ka të bëjë, pas anulimin e vendimit të dal nga Kuvendi për Qeverinë Hoti, mbi bazën e nenit 70, paragrafi 3, pika 6 të Kushtetutës, pasi që deputeti ka qenë i dënuar mbi një vit burg të formës së prerë. Ky anulim është i drejtë. Nuk ka bazë juridike pjesa tjetër, ku në vend që sipas të njëjtit nen, paragrafit 4 të kësaj kushtetute të bëhet zëvendësimi i vendit të deputetit të përjashtuar, me një deputet tjetër nga lista e njëjtë, nuk bëhet”, thotë Kelmendi.

Profesori shpjegon se në paragrafin 3, pika 6 të Kushtetutës qëndron se, ‘Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlershëm (...), nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për një ose më shumë vjet me burg’.

“Gjykata shkon dhe urdhëron zgjedhjet. Së dyti, në asnjë nen kushtetues nuk qëndron se kandidatet për deputet a për ndonjë pozite shtetërore përjashtohen pse kanë qenë të dënuar me kusht. Në paragrafin 3, pika 6 të Kushtetutës qëndron: ‘Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlershëm (...), nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për një ose më shumë vjet me burg’. Këtu shihet se thuhet në Kushtetute taksativisht ‘me nxjerr më shumë vjet burgim’. Nuk thuhet me kusht. Në interpretim juridik qëndron fakti se nëse një njeri është dënuar me një vit burg, por i cili iu ka kthyer me kusht, nuk ka të drejtë të konkurron”, tha ai.

Gjithë këtë procesm Kelmendi e konsideron si të rëndë, që nuk lejohet zëvendësimi i deputetit nga lista e njëjtë dhe procedurën juridike të zgjedhjes së re të një qeverie, pa shkuar në zgjedhje.

“Pra, kemi një interpretim juridiko-logjik të nenit kushtetues. Natyrisht se gjykata në rastet e tilla ka të drejtë në interpretimin e normave kushtetuese, por jo në kundërshtim me frymën e sistemit të rregulluar me Kushtetutë. Këtej kemi një situatë të rëndë. Në rastin e parë, gjykata futet në punën e Kuvendit, gjë që nuk ka të drejtë dhe ia ndalon zëvendësimin e deputetit të përjashtuar me deputet tjetër,sipas Kushtetutës. Dhe, edhe me rëndë nuk lejon zëvendësimin e deputetit nga lista e njëjtë dhe procedurën juridike të zgjedhjes së re të një qeverie, pa shkuar në zgjedhje. Ndërsa, në rastin tjetër, bënë interpretim juridiko-logjik, në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe ndalon konkurrimin për deputet dhe për qeveri. Pra, kemi këtu një kundërthënie të pakuptimtë dhe aspak te mbështetur në ligj”, ka shtuar njohësi i çështjeve juridike.

Krejt në fund, Kelmendi ka theksuar se Kushtetuesja po dëshiron të tregojë mbisundimin, që në fakt, sipas tij, është antikushtetuese dhe puqë ndaj organeve të dala nga votat e qytetarëve.

“Duket se Gjykata Kushtetuese donë për të treguar mbisundimin, që në fakt është antikushtetuese dhe puqë ndaj organeve të dala nga votat e qytetarëve. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i kanë përzier dy çështje: 1. Deputetët dalin nga vota e qytetarëve dhe për çdo njërin deputet kanë votuar mbi 6 a 7 mijë votues dhe 2. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë dalë nga vota e Kuvendit mbi bazën e pazarllëqeve ndërpartiake. Por, kjo s’ka rëndësi juridike. Pse? Sepse pazarllëqet dihen, por në aspektin juridik, nuk vlerësohen pa masa konkrete gjyqësore. Kanë dalë,pra, gjyqtarët nga Kuvendi. Në këtë kuadër mbetet respektimi i verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Këtu e kemi instancën e fundit dhe diku çështja duhet të përfundojë”, tha në fund, profesori i së Drejtës, Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat