Zgjedhjet e reja, analisti jep paralajmërimin: Do të ketë thellim të krizës – përmend aferat e krimit dhe korrupsionit

Politika

Zgjedhjet e reja, analisti jep paralajmërimin: Do të ketë thellim të krizës – përmend aferat e krimit dhe korrupsionit

Nga: G.B Më: 9 janar 2021 Në ora: 12:01
Foto ilustruese

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë do të mbahen me 14 shkurt.

E KQZ ka caktuar kohën për fushatë nga 3 deri me 12 shkurt, por edhe pa u caktuar, politikanët tashmë kanë filluar me fushatën e tyre.

Pavarësisht pandemisë së Covid, tubimet po mbahen e në disa raste edhe pa respektim të masave.

Por, çfarë duhet të presim nga këto zgjedhje?

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se këto zgjedhje janë si rezultat i krizës së thellë që kanë krijuar partitë, për të fshehur aferat e krimit dhe korrupsionit e të tjerë për të shpërlarë paratë.

Image
Skënder Zogaj

"Zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme erdhën si rezultat i krizës gjithnjë e më të thellë, që e kanë krijuar partitë politike, disa për t'i fshehur aferat e krimit dhe korrupsionit gallopant, të tjerat për për t'ia shpërlarë trurin e rrudhur qytetarëve hallelinj, ca për t'i shpërlarë paratë dhe kapitalet e tyre të dyshimta, një grup tjetër sepse nuk ka ditur ta ruajtur rregullin e kullës së vet nga laro-servilër që, si skilet janë endur nga partia në pari duke kërkuar lëpirjen e ndonjë molle me sheqer! Pra, kemi zgjedhjet e përzierjes së maskarsllëkut të jashtëzakonshëm politiko-historik", është shprehur ai.

Zogaj thotë se nuk pret asgjë nga këto zgjedhje, por shpreson të mos ketë tronditje më të forta se deri tani, duke shtuar se ka frikë që do të ketë thellim të krizës.

"Prandaj në këtë gjendje, nga këto zgjedhje,nuk pres asgjë, veçse lutem që të mos kemi tronditje edhe më të forta se deri më tash. Kam parasysh zhgënjimi e madh dhe masiv që këto zgjedhje nuk do të mund ta urtësojne, ngase hallet janë tepër të mëdha. Kështu që kam frikë se Kosovën e pret një periudhë e thellimit edhe më të madh të krizës në vijim, pavarësisht nga renditja e partive politike", ka vlerësuar ai.

Ai shton se në Kosovë po endet fryma sikur në Maqedoninë e veriut, derisa thotë se partitë politike në Kosovë, kauzën kombëtare e kanë bërë "krimb për karrem" në luftën për pushtet.

"Këtë e tregon fakti se, partitë politike kosovare kauzën kombëtare e kanë bërë "krimb për karrem" në luftën për pushtet! Kjo është fryma që në Malit të Zi e renditi të vendin e parē partinë serbe e cila ua mori pushtetin malazezëve, kjo është fryma që në Maqedoninē e Veriut ka instaluar ndikim të fuqisë ruso-serb, kjo është fryma që e ka zënë fortë meraku me Shqipëria e trëndafiltë... Kjo frymë kahera është duke u endur edhe nëpër Kosovë! Qofsha i gabuar", ka deklaruar Skënder Zogaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat