“SHBA dhe BE mbështesin Vjosa Osmanin”, profesori ia shuan shpresat Haradinajt, tregon kush do të jetë president pas 14 shkurtit

Politika

“SHBA dhe BE mbështesin Vjosa Osmanin”, profesori ia shuan shpresat Haradinajt, tregon kush do të jetë president pas 14 shkurtit

Nga: G.B Më: 14 janar 2021 Në ora: 12:07
Vjosa Osmani

Fyerjet dhe ofendimet nuk kanë të ndalur, ndaj u.d së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmanit.

Derisa ditë më parë bëri bujë deklarata e ministrit në detyrë, Agim Veliu lidhur me të, tani lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur atë të dobët.

Derisa ka folur për kërcënimet që po vijnë nga Serbia, Haradinaj ka thënë se ato po bëhen për shkak të qeverisë dhe presidentes së dobët.

Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se për shkak që Kosova është në fushatë zgjedhore, Haradinaj po kërkon vota dhe bën deklarata të tilla që nuk i shërbejnë askujt, por i shërbejnë ambicies së tij për ta marrë kreun e shtetit.

“Tani Kosova është në fushatë elektorale dhe liderët politikë kanë mundësi të ndërtojnë një diskurs në funksion të shtimit të votave. Mesa duket edhe Ramush Haradinaj është në kërkim të votave të qytetarëve dhe bën deklarata si kjo. Megjithatë në këtë rast deklaratat e Haradinajt nuk i shërbejnë qëllimit të tij elektoral. I shërbejnë më shumë ambicies së tij për të marrë kreun e shtetit. Në fakt ai duhet të kuptojë se ky rol përcaktohet nga zgjedhjet dhe rezultati i tyre”, ka thënë ai.

Sipas Bytyçit, deklarata e Haradinajt është e pamenduar, fyesve dhe e pavend dhe se nuk duhet të ndërtojë strategji kundër Vjosa Osmanit.

“Deklarata e zotit Haradinaj ishte e pamenduar, fyese, e pavend dhe e pavërtetë. Ishte e pamenduar, sepse ai duhet të përcaktojë qartë kundërshtarin e tij politik në këtë fushatë. Kreu i AAK-së duhet të përcaktojë pozicionin e tij e të partisë që ai drejton: Me kë është, me ndryshimin apo me stanjacionin dhe statuskuonë politike në vend?! Ku e vendos veten në raport me dy grupimet që synojnë qeverisjen, me LDK-në dhe PDK-në, apo me Vetëvendosjen dhe Lëvizjen e Vjosa Osmanit?! Nëse nuk do të jetë i qartë, pra nëse nuk do ta përcaktojë publikisht vendin e tij, nuk do të mund të shtojë vota në favor të AAK-së. Prandaj kjo deklaratë është e pamenduar. Nuk besoj se ai duhet të ndërtojë strategjinë e luftës kundër Vjosa Osmanit”, është shprehur profesori.

Së dyti, Bytyçi thotë se deklarata është fyese, pasi nuk mund të quhet e dobët, një grua që kryen dy detyra njëkohësisht.

“Së dyti, deklarata e zotit Haradinaj është fyese, sepse nuk mund të quhet president e dobët një femër, e cila kryen dy detyra njëkohësisht, një person që merr një detyrë të përkohshme, maksimumi gjashtë mujore. Është anakronike të vlerësosh dikë, kushdo qoftë ai, aq më pak një grua në detyrën e ushtrueses së presidentes së vendit. Dhe duket se kemi të bëjmë edhe me një dozë anti-feminizmi. Në fund të fundit tani nuk sqaroi “Pse Vjosa qenka e dobët”. Ndaj zoti Haradinaj shfaqet paragjykues dhe për pasojë fyen personalitetin e presidentes në detyrë”, ka vlerësuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Tutje, ai shton se deklarata e tij nuk bazohet në të vërtetën, pasi kjo nuk është e vërtetë.

“Së fundi, duhet thënë se pohimi i kreut të AAK-së nuk bazohet në të vërtetën. Nuk është e vërtetë se Vjosa Osmani është një president në detyrë e dobët dhe këtë mund ta provojë lehtë secili prej nesh. Ajo megjithëse ka shumë pak kohë në këtë post, megjithëse e përkohshme në detyrë, megjithëse e kufizuar në kohën fizike për shkak se është edhe kryetare e parlamentit, ka realizuar në kohë dhe kompetencë të gjitha obligimet e kreut të shtetit”, ka theksuar profesori.

Ai vlerëson se presidentja e ka kryer punën e saj mjaft mirë, ka kthyer në normalitet disa nga shkeljet e paraardhësit të saj, ka bërë vizita jashtë Kosovës, ka reaguar me përgjegjësi, pastërti e qartësi ndaj provokimeve që i vijnë vendit nga jashtë, sidomos nga Beogradi.

“Presidentja në detyrë ka ndjekur në përditshmëri të gjitha problematikat e vendit dhe ka reaguar me përgjegjësi për to. Është kujdesur që të jetë ekuilibruese në ushtrimin e detyrës në raport me institucionet e tjera të shtetit. Ka përmirësuar dhe rikthyer në normalitet disa nga shkeljet e paraardhësit të saj. Ka bërë vizita jashtë vendit, jo në funksion të takimeve të fshehta me Aleksandër Vuçiç, por në funksion të ardhmërisë së Kosovës. Këto ditë vizitoi Brukselin dhe në takimet e atjeshme mbrojti interesat e Kosovës me dinjitet dhe integritet të admirueshëm. Iu përgjigj flakë për flakë shkeljes së të drejtës së votimit. Ka reaguar me përgjegjësi, pastërti e qartësi ndaj provokimeve që i vijnë vendit nga jashtë, sidomos nga Beogradi. Në këtë moment ndodhi gjithashtu ndryshimi kushtetues për pjesëmarrjen e forcave të armatosura të Kosovës në misione ndërkombëtare paqeruajtëse përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar ai.

Bytyçi shton se mund të numërohen shumë suksese të Osmanit që shihen dhe vlerësohen por që Haradinaj nuk do ta bënte më mirë punën që po e bën Osmani dhe mbi të gjitha, ajo e ka përkrahjen nga SHBA dhe BE, derisa parashikon se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, këtë post do ta ketë Vjosa Osmani.

“Mund të numëroj sa e sa suksese të Vjosa Osmanit, të cilat qytetarët i shohin, i vlerësojnë dhe frymëzohen prej saj. A ka edhe ajo mangësitë e saj. Sigurisht. Por nuk besoj se Ramush Haradinaj do ta bënte më mirë sesa Vjosa këtë detyrë kaq të rëndësishme. Mbi të gjitha, duket se SHBA-të dhe Bashkimi Evropian i japin mbështetje të pakushtëzuar zonjës Osmani për të qenë në krye të shtetit të Kosovës dhe unë parashikoj se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit këtë post do ta trashëgojë zonja Osmani”, ka deklaruar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat