Çka nëse Albin Kurtit nuk i lejohet kandidimi më 14 shkurt?

Politika

Çka nëse Albin Kurtit nuk i lejohet kandidimi më 14 shkurt?

Nga: P.R Më: 18 janar 2021 Në ora: 19:45
Albin Kurti

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të tregojë nëse në listat me kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës, ka emra të cilët nuk kanë të drejtë kandidimi.

“Germat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit. Prandaj, kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës; nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit”, tha Elezi.

Kjo vjen pasi në fund të vitit të kaluar, kur Gjykata Kushtetuese konstatoi se Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo legjitime, deklaroi gjithashtu se çdo person që në tre vitet e fundit është dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë nuk mund të kandidojë për deputetët të Kuvendit të Kosovës. E kjo pikë ka prekur edhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, njëherit edhe kandidat për kryeministër nga kjo parti.

Por, sipas analistit politik, Nexhat Haziri, Albin Kurti nuk mund të kandidojë për mandatin e deputetit.

Image
Nexhat Haziri

“Nëse bazohemi në aktgjykimin e Kushtetueses, ku thuhet se çdokush që ka një vendim gjyqësor të plotfuqishëm për një vepër penale në tri vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet dhe nuk mund të ketë mandat deputeti, atëherë kjo duhet të vlente edhe për zotin Kurti, përndryshe nëse vetëm i lejohet atij dhe të tjerëve me vepra penale, si Albulena Haxhiu, atëherë kemi të bëjmë më standard të dyfishta dhe kjo nuk do të përbënte lajm të mirë, është kundër demokracisë dhe kundër parimeve të respektimit të drejtësisë”, thotë Haziri për “Bota sot”.

E nëse Kurtit nuk i lejohet kandidimi, Haziri thotë se kjo do të jetë një hendikep për Vetëvendosjen.

“Ndërsa nëse moslejimi I tij për të garuar në zgjedhje si kandidat për deputet, do të paraqiste hendikep për LVV-në, por jo edhe në një masë të madhe të reflektimit në rezultat, dhe zgjedhja e tij eventual për kryeministër të Kosovës, do të shënonte poashtu një hap prapa në konsolidimin e institucioneve të vendit në aspektin demokratik, por edhe në imazhin e vendit, pasi Kosova do të vazhdohet traditën me zyrtar të lart shtetëror që kanë problem me ligjin”, deklaron për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat