U shpallen të pafajshëm të akuzuarit në rastin “veteranët”, analisti vjen me një reagim të ashpër: Vendim skandaloz…

Politika

U shpallen të pafajshëm të akuzuarit në rastin “veteranët”, analisti vjen me një reagim të ashpër: Vendim skandaloz…

Nga: N. H Më: 23 janar 2021 Në ora: 17:54
Elez Blakaj, foto ilustrim nga "Bota sot"

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli të martën të pafajshëm 12 të akuzuarit për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në rastin e njohur si “veteranët”.

Gjykata tha se të gjithë u liruan nga akuza pasi që “nuk ka gjetur prova se të njëjtit kanë kryer veprën penale” për të cilën janë akuzuar nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës.

Në shtator të vitit 2018, Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë kundër Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjahajt, Shkumbim Demaliajt, Rrustem Berishës, Faik Fazliut, Fadil Shurdhajt, Xhavit Jasharit, Qelë Gashit, Shukri Bujës, Ahmet Dakut dhe Smajl Elezajt, nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

E, lidhur më këtë rast, ka folur njohësi i çështjeve politike.

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, këtë vendim e ka quajtur si skandaloz.

Ai shprehet se edhe vet të akuzuarit e kanë pranuar se listat kanë qenë të fryra.

Image
Faton Mehmeti

“Çdo vendim tjetër, pos lirimit, do të ishte befasi, kështu që deklarata e ish prokurorit Blakaj qëndron plotësisht. Edhe pse është vendim skandaloz, në sensin që edhe vet të akuzuarit e pranonin se listat janë fryra, e kush mund t’i frynte listat përveç atyre që kanë qenë në krye të këtij procesi”, ka thënë analisti Mehmeti.

Krejt në fund, ai potencon se ky vendim i gjykatës, është një dëshmi se drejtësia në vendin tonë është e kapur.

“Pra, vet të akuzuarit e pranojnë se ka pasur manipulime, dhe gjykata i liron si të pafajshëm. Kjo dëshmon se drejtësia është e kapur, nevojitet reformë e thellë për të çliruar drejtësinë nga kthetrat e politikës. Vendim i pritshëm,por skandaloz, ky i gjykatës”, ka deklaruar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Edhe ish-prokurori, Elez Blakaj ka reaguar me një status të gjatë në Facebook pasi gjyakta shpalli të pafajshëm të pandehurit në rastin “veteranët”.

Ai tha se ashtu siç pritej edhe ndodhi. Blakaj theksoi se në lidhje me rastin nuk janë parë e as dëgjuar as një për qind të provave materiale.

“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe, madje do të ishte naivitet po të prisja ndonje një vendim tjetër. Edhe një mundesi e humbur për t’ia kthyer dinjitetin veteranit të UÇK-së, pas një procesi të degraduar nga lakmiqar dhe tregtar votash, duke tentuar të mbahët peng e vërteta të cilën qytetari e din shumë mirë!”, u shpreh mes tjerash ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat