Kosnett me mesazh të qartë – Ushtarët amerikanë vdiqën për Kosovën

Politika

Kosnett me mesazh të qartë – Ushtarët amerikanë vdiqën për Kosovën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 janar 2021 Në ora: 18:10
Philip Kosnett, ambasador i SHBA-së në Kosovë

Bashkimi kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë mbetët një dëshirë për shumicën e shqiptarëve.

Shtjellimi i kësaj teme është diskutuar që më herët duke filluar nga VV-ja e tashmë edhe AAK-ja, mirëpo që kundrejt kësaj nuk kemi parë asgjë përveç “fontanë dëshirash”.

Haradinaj deklaroi që Kosova nuk është në NATO, nuk janë liberalizuar vizat, nuk është njohur nga 5 vendet e BE dhe nuk është anëtarësuar në OKB, do të kërkoj referendum për bashkim me Shqipërinë.

Kjo deklaratë e Haradinajt për bashkimin kombëtar, ka nxitur reagime të mëdha duke filluar nga Presidenti Serbisë, Aleksandër Vuçiq e deri tek ambasadori Amerikan, Philip Kosnett.

Presidenti serb e ka parë deklaratën e Haradinajt në mënyrë serioze, pasi sipas tij, ai është politikan serioz, i fuqishëm edhe i rrezikshëm.

Ai gjithashtu u shpreh se deklarata për krijimin e Shqipërisë së Madhe është kërcënim për Serbinë dhe për të gjithë Evropën.

Kundërpërgjigjja e Haradinajt pas kësaj deklarate nuk mungoi duke iu drejtuar Vuçiqit të mos ketë frikë dhe të mos bëhet nervoz, pasi Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.

Por kjo temë ngjalli reagime edhe tek ambasadori Kosnett i cili pak ditë më parë erdhi me një deklaratë për këtë çështje.

Ambasadori amerikan është shprehur që ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur për të krijuar Serbinë e Madhe apo Shqipërinë e Madhe.

Kosnett ka thënë se do t’i vinte inat që njerëzit në Kosovë të hiqnin dorë nga shtetësia e Kosovës kur është pyetur për deklaratat nacionaliste nga politikanët kosovarë për bashkim me Shqipërinë.

“Komenti im për bashkimin me Shqipërinë ka qenë i pandryshueshëm. Ushtarët amerikanë nuk kanë luftuar – dhe disa prej tyre nuk kanë vdekur – për të krijuar Serbinë e Madhe dhe Shqipërinë e Madhe në Ballkan. Do të më vinte mëri të shoh njerëzit në Kosovë duke hequr dorë nga kjo. Mendoj se Kosova përfiton që është shoqëri shumetnike, shumëfetare dhe bisedat për Shqipëri të Madhe, bisedat për Serbi të Madhe në Ballkan do të ishin dorëzim, do të ishin dështim dhe mendoj se kjo nuk është përgjigjja për problemet e vendit dhe të rajonit”, ka thënë Kosnett në një intervistë.

Ndërsa njohësit e çështjeve politike, shprehën që deklarata e Kosnett-it vjen si një mesazh për partitë politike që Amerika nuk është dakord për bashkim kombëtar.

Ata gjithashtu e shohin deklaratën e Haradinajt të pamenduar.

Mehazi: Deklarata e Haradinajt naive detyroi Kosnett-in të reagojë

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi gjithashtu në një bashkëbisedim për "Bota sot" e cilësoi deklaratën e Haradinajt shumë naive përkundër faktit që ka më shumë se njëzetë vite përvojë në politikë.

Profesori thekson që kjo deklaratë e Haradinajt bëri të reagoj edhe ambasadorin Kosnett i cili me të drejtë mendon që ushtarët amerikan nuk kanë çliruar Shqipërinë por Kosovën.

"Deklarata naive, jo politike e Haradinajt për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë detyroi jo vetëm politikanët serb të reagojnë ashpër, por edhe ambasadori amerikan Philip Kosnett të reagonte ndaj deklaratës paushall e parazgjedhore të Haradinajt. Si gjithmonë, spektaklet politike e jo diplomatike të Ramush Haradinajt nuk kanë të sosur, dhe se këto çudira i bën jo për diçka tjetër, po vetëm për të emocionuar qytetarët naivë që gjatë zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit të votojnë partinë e tij të AAK-së. Ai nuk është pa përvojë, ka përvojë të madhe politike, që njëzet vjet radhazi deputet e dy herë kryeministër dhe e di shumë mirë se si bëhet bashkimi, në heshtje e me punë të madhe politike, diplomatike, ekonomike të Kosovës e Shqipërisë, e jo në këtë mënyrë të hapur sa që t'i kundërpërgjigjet ambasadori Kosnett ashpër duke i thënë se "ushtarët amerikan nuk kanë vdekur për të krijuar Shqipërinë e Madhe apo Serbinë e Madhe", dhe kjo deklaratë e ambasadorit amerikan është shumë e vërtetë se edhe vëllezërit e Haradinajt nuk u vranë për Shqipërinë e Madhe, po për Republikën e Pavarur të Kosovës", tha Mehazi.

Profesori tutje thekson që ne mund të qëndrojmë si dy shtete të pavarura shqiptare në Ballkan me dy diplomaci të jashtme e me dy ushtri.

Mirëpo pavarësisht kësaj Mehazi cek që Haradinaj nuk është në pozitë të kërkojë këtë gjë, pasi sipas tij këtë kërkesë duhet ta ketë Rama.

"Me deklarata qesharake nuk bëhet Shqipëria e Madhe, po me durim, kohë e punë procesuale spontane deri në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Gjermanëve iu deshtë dyzet vjet të presin heshturazi për t'u bashkuar e ku shtetet tona shqiptare të varfëra e të kapura për pushtetin. Pastaj bashkimin e Kosovës me shtetin amë duhet ta kërkojë Edi Rama e jo Ramush Haredinaj. Porosia e deklaratës së ambasadorit amerikan Kosnett e ka kuptimin, se Kosova e Shqipëria, duhet ditur se bashkimi i trojeve të tyre ka marrë fund. Ç'të keqe ka edhe nëse nuk bashkohet Kosova me Shqipërinë, përkundrazi shqiptarët në Ballkan do kishin dy shtete, dy ushtri, dy diplomaci të jashtme, e kështu me radhë, të ishte mirë bashkimi pse vëllezërit nuk rrinë bashkë, po sa martohen ndahen për të qenë të pavarur ndaj njëri tjetrit," u shpreh Mehazi për "Bota sot".

Jashari: Kosnett tregoi edhe njëhere që Amerika është kundër çdo projekti që do të destabilizonte rajonin

Image
Shemsi Jashari

Në lidhje me këtë temë njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari në një prononcim për "Bota sot" u shpreh që deklaratat e disa liderëvë të partive politike në lidhje me bashkim kombëtar bëhen vetëm për fushata parazgjedhore dhe nuk janë aspak serioze.

Mirëpo që nga Serbia këto deklarata mund të shihen si kërcënim për bashkim kombëtar.

"Deklaratat e disa liderëve të partive politike të Kosovës, rreth bashkimit kombëtar, të cilat zakonisht shfaqen gjatë fushatave zgjedhore dhe sidomos nga ata lider që janë në opozitë nuk janë serioze dhe bëhën vetëm për përfitime elektorale. Por pavarësisht seriozitetit të tyre, këto deklarata shfrytëzohen nga Serbia për të akuzuar Kosovën për kërcënim me bashkim kombëtar tek bashkësia nderkombëtare", u shpreh Jashari.

Në anën tjetër, analisti komenton deklaratën e ambasadorit Kosnett që sipas tij vjen si një mesazh për shtetin e Serbisë që Amerika ka ndaluar gjenocidin për të çliruar Kosovën nga shteti Serbë e jo të i kthejnë e ta bëjnë Serbi të madhe.

"Në përgjigje të këtij diskursi kemi edhe reagimin e ambasadorit Kossnett i cili shprehet qartë se, ushtarët Amerikan nuk kanë vdekur pë të krijuar as Shqipërinë e madhe e as Serbinë e madhe. Me këtë mesazh ai bënë të qartë se ndihma për çlirimin e Kosovës është dhënë për të ndalur vrasjet, deportimet dhe gjenocidin Serb në Kosovë dhe jo ndonjë projekt tjetër. Gjithashtu për Serbinë dërgon mesazh se nuk kanë ardhur këtu për të ia kthyer Kosovën Serbisë, që ta bëjnë Serbinë e madhe", thekson analisti.

Ndër të tjera, Jashari shprehët që z.Kosnett ka dhënë një mesazh që ShBA ka ardhur për të krijuar paqe në Ballkan e që nuk lejon asnjë projekt që do të destabilizonte rajonin.

"Z.Kosnett don të jap mesazh se, SHBA kanë ardhur të ndërtojnë paqen në Ballkan dhe Kosova e Serbia duhet të jetojnë si dy shtete sovrane dhe se janë kundër çdo projekti që do të destabilizonte rajonin", përfundoi Jashari për "Bota sot".

Duhanaj: Deklaratat e politikanëve të Kosovës për bashkim kombëtar, lojëra me ligj

Image
Leon Duhanaj

Analisti nga Diaspora, Leon Duhanaj për "Bota sot" komentoi në lidhje me këtë temë, duke u shprehur që është deklaratë e pamatur nga ana e Haradinajt mirëpo jo vetëm e tij por edhe VV-së, vetëm për të fituar vota e që sipas tij është mënyra më e gabuar për thirrjen e qytetarëve për t'i votuar.

"Deklaratat e pamatura të kohëve të fundit z. Haradinaj, rreth bashkimit kombëtarë. Përpjekja e VV-së e çarqëve të tjera, për t'i krijuar parakushtet që pas zgjedhjeve të mos kemi edhe zgjidhje, janë vërtetë dëshmi e mjerimit në të cilin gjendemi", u shpreh Duhanaj.

Analisti tutje përmend deklaratën e ambasadorit Kosnett të cilën e sheh shumë të qartë dhe të matur.

Sipas analistit partitë politike duhet ta kenë të qartë që nuk mund të bëjnë lojëra me ligj e këto deklarata paraelektorale.

Duhanaj bënë thirrje që qytetarët të këndellen dhe të shohin se kënd do të votojnë pasi jo secila parti meriton votat e tyre.

"Z. Ambasador Kosnet, ka dhënë deklarata të matura dhe të qarta, drejtuar politikës së Kosovës përkatësisht partive politike, se rendi dhe ligji janë mbi të gjithë, dhe lojërat e kinse me deklarata të tilla po dalin sa më patriot karshi situatës paraelektorale, duke berë deklarata edhe të pamatura, sa për bashkim kombëtare, sa për Kosovën në NATO, USA, e për integrimin e saj si shtet në Europë. Ky popull, duhet të këndellet njëherë e mirë dhe ta kuptoj rrugën të cilën disa parti kanë përzgjedhur në mënyrë që t'ua marrin të ardhmen e tyre dhe duke i manipuluar t'i mbajnë aktiv për interesa meskine", përfundoi Duhanaj për "Bota sot".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat