Flet Kurti: Asnjë politikan nuk duhet të konsiderohet Zot, VV ka momentin historik për ndryshim, ja ku i kërkon votat për Vjosa Osmanin

Politika

Flet Kurti: Asnjë politikan nuk duhet të konsiderohet Zot, VV ka momentin historik për ndryshim, ja ku i kërkon votat për Vjosa Osmanin

Nga: N.SH Më: 20 shkurt 2021 Në ora: 11:29
Albin Kurti, Vjosa Osmani

Lëvizja Vetëvendosje me Albin Kurtin tani e kanë momentin historik për t'ia sjellë Kosovës ndryshimin që e meriton.

Kështu po vlerëson, prof. Faton Kurti kryetar i Republikanëve të Kosovës.

Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, këto zgjedhje ishin një gur shënjues për fatin e Kosovës, në disa aspekte.

Image
Faton Kurti

“Së pari, dëshmuan në mënyrë gati referendare se qytetari i Kosovës më në fund, me të vërtetë është vetëdijesuar. Së dyti, vota e popullit të Kosovës në këto zgjedhje ishte edhe ndëshkim. Ndëshkim për ata që qeverisën deri dje, për korrupsionin, skandalet dhe papërgjegjshmërinë me të cilën e rrezikuan fatin e Kosovës deri në shpërbërje. Këto zgjedhje mbi të gjitha i dhanë besimin popullit se është ai që ka fatin e vetes në dorë dhe asnjë politikan nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet Zot, por thjesht shërbëtor i vendit të tij”, thotë Kurti.

Ai shton se, nga ana tjetër rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte i parashikuar pas një keq qeverisje dramatike gjatë këtyre dy dekadave.

“Nuk mund të mbahet peng e ardhmja e vendit për hir të krismave të së kaluarës. Kontributi i luftës, nuk është garanci për ekspertizë të lartë në shumë fusha që kërkon e tashmja dhe e ardhmja e një shteti të vogël me një fat pavarësimi gjithmonë të kërcënuar. Akrobacitë politike të deritanishme ishte afati i fundit që të përfundonin dhe populli i Kosovës e kuptoi dhe reagoi bindshëm, pa ju lënë madje as kohë atyre që e konsideronin veten pashallarë të këtij vendi, ta merrnin veten”, thekson ai.

Kurti shton se, ndëshkimi i parë ishte vota, pjesa tjetër e ndëshkimit duhet të jetë drejtësia.

“Të gjitha krimet e korrupsionit të politikanëve duhet të ndëshkohen maksimalisht pasi Kosova është shteti i cili ka marrë me miliarda ndihma dhe investime nga BE dhe SHBA dhe mjerisht Kosova është vendi më i varfër në Evropë dhe me një ritëm shpopullimi të frikshëm, shkaku papunësia dhe varfëria ekstreme”, thotë ai.

Sipas tij, LVV me Albin Kurtin tani e kanë momentin historik për t'ia sjellë Kosovës ndryshimin që e meriton.

“Pasi të kalojë euforia e kuptueshme e fitores LVV do të përballet me jo pak sfida të qeverisjes si në planin e brendshëm ashtu dhe në politikën e jashtme. Por besoj se Albini dhe LVV ndonëse vetëm 50 ditë në qeverisjen e vitit të kaluar i kanë marrë mësimet e duhura se qeverisja e një vendi që ka trashëguar korrupsion, papunësi dhe tronditje të ekzistencës së vet duhet të drejtohet dhe menaxhohet nga një ekip individësh jo vetëm me aftësi profesionale të larta por edhe me integritet të padiskutueshëm. Shqiptarët e Kosovës i besuan integritetit të lartë moral të Albin Kurtit ndaj dhe e votuan. Në qeverisjen e LVV qytetarët do të kërkojnë që edhe ekipi i tij qeverisës të tregojë integritet moral, aftësi qeverisëse dhe guxim për të ndërmarrë reforma jetike për të ardhmen e vendit”, thotë ai.

Ai shton se, LVV kurrsesi nuk duhet të bëjë koalicion me partitë të cilat e zvarritën Kosovën deri në këtë gjendje asfiksie.

“Për zgjedhjen e Presidentit LVV duhet të kërkojë votën nga deputetë opozitarë që mendojnë përtej kornizave të subjekteve partiake të cilat i përfaqësojnë ose këta në zgjedhjet e ardhshme do të marrin zero vota nga elektorati, nëse rrezikohet e ardhmja e Kosovës. Qeveria e re urgjentisht duhet ta luftojë korrupsioni dhe shtetin e kapur dhe pastaj me të gjitha forcat të punohet për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Për ti realizuar të gjitha këto synime qeveria Kurti duhet t'ju zgjasë dorën ekspertëve të fushave të ndryshme e sidomos në menaxhimin ekzekutiv të dalë edhe jashtë kornizave partiake dhe ti drejtojë sytë nga kapacitetet e diasporës”, thotë Faton Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat