Këmbëngulja amerikane në dialogun Kosovë-Serbi, nxitë BE-në për angazhim të shtuar

Politika

Këmbëngulja amerikane në dialogun Kosovë-Serbi, nxitë BE-në për angazhim të shtuar

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 24 shkurt 2021 Në ora: 18:06
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Kosova është në prag të krijimit të institucioneve të reja, derisa po ju bëhet thirrje udhëheqësve të rinj që ta kenë parasysh dialogun me Serbinë. Kjo po kërkohet nga diplomatët e huaj dhe zyrtarët e përfshirë tashmë në këtë dialog.

Kështu, përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak duke folur për vazhdimin e dialogut, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë ambicie evropiane, “kurse Bashkimi Evropian ishte shumë i qartë se normalizimi i marrëdhënieve është një parakusht dhe kjo është ajo që vendet anëtare presin, nuk ka asnjë rrugë tjetër”.

Ai ka deklaruar për mediat ndërkombëtare po ashtu se marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar nën administratën e Trump nuk dëmtoi procesin e dialogut, por as nuk e ndihmoi shumë.

Duhanaj: Si shkak i dialogut Kosova ka pengesa të mëdha

Njohësit e çështjeve politike kanë komentuar këto deklarata të përfaqësuesit të BE-së, Lajҫak.

Kështu, Leon Duhanaj, analisti politik, thotë se ky dialog i stërzgjatur ka sjellë vetëm stagnim dhe regres. Sipas tij, si shkak i këtij dialogu, Kosova ka pengesa të mëdha në procesin e integrimit evropian, liberalizim të vizave e çështje tjera.

Image
Leon Duhanaj

“Për mendimin tim, dialogu i Brukselit, tashmë i stërzgjatur e ka sjellë Kosovën në një "status quo", e cila për ne ka sjellë vetëm stagnim dhe regres. Kemi zvarritje të procesit të njohjeve, gjegjësisht tërheqje të disa prej tyre. Kemi stagnim në anëtarësimin e Kosovës në Organizatat Ndërkombëtare, kemi pengesa të mëdha në procesin e integrimit evropian, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, është shndërruar në një sagë të vërtetë dhe atë jo për fajin tonë, etj...”, është shprehur Duhanaj.

Tutje, ai thotë se në këtë rast kemi të bëjmë me standarde të dyfishta, të përdorura nga BE në raport me Kosovën, e që vazhdojnë ta përkëdhelin Serbinë, duke u munduar ta shkapin nga ndikimi rus, por duke i lëshuar hapësirë të tepruar në kurriz të Kosovës.

“Kjo është më se shqetësuese, pasi që Kosova duke lëshuar pe, vazhdimisht po rrezikon të largohet edhe nga Plani Ahtisari, i cili edhe ashtu ishte kompromis i madh. E kujtojmë gjashtëpikëshin e ish Sekretarit të Përgjithshëm të KS të OKB-së, Ban Ki Mun, i cili po del të ketë qenë shumë problematik për Kosovën”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, Kosova tani duhet të insistojë që SHBA-ja të kyçet drejtpërdrejt në dialog. Kjo pasi që, sipas tij SHBA-ja shton garancinë tek shqiptarët.

“Tani, duke bërë ketë lojë të dyfishtë, Kosova duhet të insistojë që SHBA të kyçet drejtpërdrejt në dialog, me qëllim që të ruhet forca ndikuese dhe garantuese e arritjes, përkatësisht zbatimit të marrëveshjes së mundshme. SHBA, e ka vlerësuar ketë situatë dhe ka filluar të nxisë palët drejtë marrëveshjes. Tani BE, duke parë ndikimin amerikan, dëshiron ta ruajë ndikimin në rajon, duke insistuar në zgjidhje më të shpejtë. Mendoj që kjo qasje është pozitive, pasi që kyçja amerikane i shton dinamikën procesit dhe rrit garancinë dhe sigurinë për shqiptarët. Edhe BE, në bashkëpunim me SHBA-të në ketë proces, janë me vendimmarrëse sa që kishin me qenë pa SHBA-të. Për ne mbetet nevoja e unitetit kombëtar për çështje madhore dhe uroj që kjo të ndodhë në të ardhmen”, ka theksuar analisti Leon Duhanaj për “Bota sot”.

“Amerika do të këmbëngulë në këtë dialog”

Image
Rexhep Shahu

Ndërkaq, analisti politik nga Shqipëria, Rexhep Shahu thotë se tani pas përfshirjes së SHBA-së në dialog, edhe BE-ja është angazhuar më tepër në këtë dialog. Sipas tij, kjo vjen pasi Amerika do të këmbëngulë në këtë dialog.

“BE tani kërkon të angazhohet më shumë për dialogun Kosovë - Serbi sepse autoritetet e shohin se është gjallëruar interesi amerikan për këtë dialog dhe e dinë se aty ku ka këmbëngulje amerikane bëhet ashtu siç thotë Amerika. BE-ja do të jetë në rrjedhë në këtë dialog, do të mos jetë e përjashtuar”, ka vlerësuar ai.

Shahu thotë se tani pas zgjedhjeve në Kosovë pritet që të ketë qeveri të re, e cila duhet të merret seriozisht me dialogun por pa emergjencë sepse në fund te fundit, çdo ngutje është në dëm të Kosovës.

“Shumë marrëveshje janë arritur me Serbinë në vitet e gjata të dialogut në takimet mes ekspertëve por shumë dëme ia kanë shkaktuar Kosovës ngutjet dhe cilësia e padëshiruar e negociatorëve teknik. Qeveria e re duhet ta filtrojë çfarë është bërë dhe si është bërë me dialogun. Unë si individ me kohë kam kërkuar që pa praninë e njerëzve të ditur dhe patriotë nuk duhet bërë dialog, pa praninë e dijetarëve, shkencëtarëve, anëtarëve apo ekspertëve të Akademisë së Shkencave nuk duhet të ketë dialog”, ka theksuar Shahu.

Më tej, ai shton se duket se tani ka shtim të interesit amerikan për të mos u zvarritur edhe më shumë çështja e dialogut.

“Kosova nuk është me Serbi as nën Serbi as koloni serbe, është shtet i pavarur dhe duhet çliruar përfundimisht Serbia prej Kosovës, politika serbe duhet shpëtuar, duhet çliruar nga ëndrra e marrëzia që mendon me Kosovën. Unë shpresoj se do të bëhet siç thonë amerikanët, të cilët bëjnë dhe nuk thonë siç ka ndodhë me evropianët prej një dekade”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat