Dialogu me Serbinë, në ‘duart’ e Kurtit dhe SHBA-ve

Politika

Dialogu me Serbinë, në ‘duart’ e Kurtit dhe SHBA-ve

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 5 mars 2021 Në ora: 08:08
Albin Kurti

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak deklaroi në Prishtinë se pret që marrëveshja gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet brenda mandatit të qeverisë Kurti 2.

Pas një takimi me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ai tha se edhe BE-ja pret zbatimin e programit elektoral të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Osmanit, por se partnerët ndërkombëtarë, BE-ja dhe SHBA-ja, presin edhe vazhdimin e dialogut.

“E kam thënë edhe në të kaluarën dhe e po e përsëris se ky proces do të mund të përmbyllet brenda disa muajve, nuk kërkon vite që të arrihet marrëveshja. Por, ne nuk jemi ata që po nxitojmë ose ata që e ngadalësojnë procesin. Janë Kosova dhe Serbia që vendosin se sa shpejtë duan të procedojnë. Nëse duan të takohen na baza mujore, ne jemi aty. Nëse ata duan të takohen në baza javore, ne jemi këtu për të ndërmjetësuar dhe ne nuk na duhen edhe dhjetë vjet të tjera, as pesë vjet të tjera, as tre vjet, nëse ka përkushtim dhe vullnet të palëve”, u shpreh Lajçak.

Mehazi: Lajçak nuk vendos për dialogun

Image
Sulejman Mehazi

Lidhur me këtë analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se këto fjalë të Lajçak-ut janë të zakonshme e asgjë më shumë. Për marrëveshje të dialogut, Mehazi thotë se nuk vendos Lajçak-u as Borelli por qeveria e Kurtit së bashku me SHBA-të.

“Fjalët e Lajçakut "se pret që marrëveshja gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet brenda mandatit qeverisës të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit”, janë fjalë të zakonshme të dërguarish emisarësh nga BE-ja e asgjë më shumë. Për marrëveshje gjithëpërfshirëse të dialogut, Kosovë Serbi, nuk vendos as Lajçaku e as Borelli që përkrahin dëshirat serbe, por do të vendos qeveria e Kurtit në të mirë të Kosovës, së bashku me SHBA-të në krye me Bidenin. Themi kështu për shkak se nuk mund të ketë marrëveshje të frytshme dialoguese në dobi të Kosovës, me emisarë evropianë të ardhur nga Spanja e Sllovakia, që me mos njohjen e Kosovës përkrahin hartën dhe Kushtetutën e Serbisë së madhe”, ka thënë Mehazi.

Mënyrën e dialogut, profesori e quan turp për BE-në, që dërgon në Kosovë emisarë që nuk e njohin Kosovën por e përkrahin Serbinë dhe kështu, Kosova gjatë dialogut duke mos e pasur përballë vetëm Serbinë por edhe Sllovakinë dhe Spanjën, pra shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.

“Nuk mund të ketë dialog të tri forcave të bashkuara diplomatike: Vuçiq, Lajçak, Borell, kundër një force dialoguese të Kosovës në krye me Kurtin. Mënyra e dialogut Kosovë-Serbi është turp i madh për BE-në, e cila për t'i ndihmuar Serbisë dërgon në Kosovë emisarë nga shtetet evropiane që duke mos e njohur Kosovën përkrahin Serbinë. Pra, dialogu Kosovë-Serbi nuk është i barabartë sipas BE-së, për shkak se qeveria e Kosovës gjatë dialogut nuk e ka përballë vetëm Serbinë, po edhe dy shtetet evropiane, Sllovakinë dhe Spanjën, që se njohin Kosovën, në anën tjetër pranojnë kushtetutën e Serbisë me Kosovën brenda republikës së Vuçiqit”, ka deklaruar Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Arritjen e shpejtë të marrëveshjes, Lajçak e dëshiron si fitore personale

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, sipas analistit Faton Mehmeti, dëshira e Lajçak-ut është që arrijë këtë marrëveshje, por frika e tij është përmbyllja e këtij procesi në Shtëpinë e Bardhë.

Si qëllim tjetër për të arritur këtë marrëveshje, Mehmeti thotë se janë përpjekjet për t’i sajuar gabimet që BE-ja i ka bërë.

“Natyrisht se dëshira e Lajçak-ut është që të arrihet një marrëveshje e tillë sa më shpejt, e cila do të ishte një fitore edhe personale për të, por edhe arritje e BE-së. Frika e z.Lajçak-ut është përfshirja e SHBA-së në këtë proces dhe përmbyllja e këtij procesi në Shtëpinë e Bardhë, çka do e dobësonte akoma më shumë rolin e BE-së në Kosovë. Dorën në zemër BE-ja ka dështuar në Kosovë, andaj po bën përpjekje për të sanuar të gjitha gabimet e saj, duke përdorur arritjen e kësaj marrëveshje”, ka thënë ai.

Më tej, Mehmeti ka shtuar se përderisa Kurti nuk i ka prioritet bisedimet me Serbinë, atëherë është e vështirë të arrihet një marrëveshje.

Sipas Mehmetit, Gjermania do të angazhohet në këtë drejtim dhe do të ketë një marrëveshje me Serbinë.

“E shoh shumë të vështirë arritjen e një marrëveshje të tillë brenda mandatit qeverisës të  z.Kurti, kur dihet se Kurti nuk i ka prioritet bisedimet me Serbinë dhe për më tepër është negociator i lehtë, në këtë aspekt e shoh të vështirë, mos të them të pamundur që të ndodh një gjë e tillë. Përkundër presionit nga BE-ja, besoj se Gjermania do të angazhohet më shumë në këtë drejtim, do të ketë marrëveshje me Serbinë, por jo ajo finale e cila duket e vështirë të arrihet në këtë periudhë”, ka përfunduar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat