Vjosa Osmani tejkaloi të gjitha parashikimet, arsyet e fitores historike të saj

Politika

Vjosa Osmani tejkaloi të gjitha parashikimet, arsyet e fitores historike të saj

Arife Morina Nga Arife Morina Më 8 mars 2021 Në ora: 08:39
Vjosa Osmani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.

Nga të gjitha votat e numëruara sipas KQZ-së, Vjosa Osmani e cila ishte kandidate për presidente, doli personi më i votuar.

Osmani, e cila në këto zgjedhje u bashkua me Lëvizjen Vetëvendosje, ka marrë plot 300 mijë e 788 vota, duke lënë mbrapa kundër kandidatin e saj për president Ramush Haradinaj, si dhe kandidatët që ishin për kryeministër.

Duke pasur parasysh që Vjosa Osmani u largua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, u mendua që ajo e vetme do të dështojë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Mirëpo, ndodhi e kundërta, pasi Osmani jo që nuk dështoi, por arriti suksesin më të madh në karrierën e saj politike, duke u bërë personi më i votuar në histori.

Por, pavarësisht numrit të madh të votave, Osmani prapë nuk e ka siguruar postin e presidentes, pasi në aspektin kushtues e ligjor janë disa procedura që duhet ndjekur. Ajo duhet që në Kuvendin e Republikës së Kosovës ta sigurojë kuorumin prej 2/3 të deputetëve, por që është tejet e vështirë të arrihet pa marrëveshje politike me ndonjë subjekt tjetër.

Kreu në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se partia e tij nuk do t’ia bëjë kuorumin Vjosa Osmanit për presidente.

“LDK-ja nuk do të rrijë në sallë, Osmani nuk është personi i duhur për president. Ne si LDK e kemi kandiduar për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, ajo ishte një femër e zonja dhe e zgjuara, ajo ka dalë kundër LDK-së dhe kurdo që i bie pishman ajo mund të kthehet. Vjosa e ka parë që është gabim që është larguar nga LDK-ja”, ka theksuar Mustafa.

Njohësit e çështjeve politike për gazetën “Bota sot” kanë komentuar rezultatin e Vjosa Osmanit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ata kanë vlerësuar se nuk ishte aspak befasi ky rezultat, pasi ishte i pritshëm një sukses i tillë.

Qarri: Rezultati i Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk ishte befasi

Image
Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar rezultatet përfundimtare të publikuara nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Qarri zgjedhjet e 14 shkurtit i cilësoi si një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur Kosovës, , të cilat partitë e inkriminuar tash e mbi një dekadë, i dërguan në këndin e dështimi.

“Gjëja më e mirë që pas më se 21 vitesh kaos social e politik, ka mundur t’i ndodhte popullit dhe shtetit të Kosovës, është referendumi gjithë popullor i qytetarëve të vendit për ndryshim dhe zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat partitë e inkriminuar tash e mbi një dekadë, i dërguan në këndin e dështimit dhe shndërruan përfundimisht në segmente dytësore, gati të parëndësishme dhe në prag të ekzistencës së tyre politike”, ka deklaruar ai.

Analisti përmendi edhe suksesin e lartë të Vjosa Osmanit në zgjedhjet parlamentare. Qarri tha se nuk ishte aspak befasi numri i madh i votave elektorale të Osmanit, ku pas dëbimit të saj arbitrar e përulës nga kryesia e vjetër e LDK-së, numri i madh i votave u dedikuan për presidenten në detyrë.

“Ndaj duke pasur parasysh faktin se Dr. Vjosa Osmani, si një politikane e suksesshme që i takon frymës së re politike, e sinqertë dhe e panjollosur në afera korruptive e kriminale, e cila përpiqet me çdo mënyrë që ta ringjallë demokracinë e mbytur nga politikanët dhe partitë e inkriminuara, si dhe ta fuqizojë pluralizmin politik në vend, pas dëbimit të saj të padrejtë, arbitrar e përulës nga kryesia e vjetër e LDK-së, numri i madh i votave dedikuar kryetares së Parlamentit dhe presidentes në detyrë, jo vetëm që nuk ishte befasi, por është edhe një fitore e madhe për mbarë vendin dhe të gjithë qytetarët, si dhe një sukses vendimtar për mundjen definitive të korrupsionit e krimit të organizuar në vend”, theksoi Qarri.

Tutje, ai deklaroi se me këtë rezultat të Listës "Guxo" të Vjosa Osmanit u dëshmua si kandidatja më e votuar në vend dhe mori numrin më të madh të votave në gjithë Kosovën. Qarri tha se Osmani i ka shkaktuar debakël të rëndë LDK-së, pa anashkaluar këtu as PDK-në e AAK-në.

“Madje pas fitores super të madhe të Listës "Guxo" të Dr. Vjosa Osmanit e cila u dëshmua si kandidatja më e votuar në vend dhe mori numrin më të madh të votave në gjithë Kosovën, në zgjedhjet e 14 shkurtit, pothuajse të gjitha partitë e vjetra pa asnjë dallim thelbësor, pësuan debaklin më të rëndë, që kanë mundur ta pësonin, gjatë gjithë ekzistencës së tyre, si segmente politike, duke filluar nga LDK, e Isa Mustafës, i cili tash e mbi një dekadë, udhëheq LDK-në si despot dhe mbyti çdo formë pluralizmi brenda partisë, pa anashkaluar këtu as PDK-në e AAK-në, të cilat 14 shkurti, i shndërroi pothuajse në segmente rezervë dhe gati të papërdorshme, të paktën për këtë legjislaturë politike”, ka potencuar analisti.

Gani Qarri radhiti edhe arsyet kryesore që ia sollën Vjosa Osmanit këtë sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit parlamentare. Njëra nga arsyet kryesore është mllefi i grumbulluar i qytetarëve ndër vite, nga qeverisjet e kaluara.

“Ndërsa, ndër arsyet kryesore që Dr. Vjosa Osmanit ia sollën gjithë këtë sukses në zgjedhjet e fundit, ishte mllefi i madh i grumbulluar ndër vite, i votuesve, sidomos ndaj diferencimeve të vazhdueshme komuniste, të Isa Mustafës në partinë e LDK-së, fyerja e elektoratit besnik të LDK-së dhe gjithë elektoratit të vendit, personalisht nga Isa Mustafa, se vota e tyre nuk mund të vendosë për Qeveritë, krijimi i klaneve brenda partisë, formimi i Qeverisë antikushtetuese me AAK-në, NISMA-në dhe Listën Srpska, në kulmin e pandemisë me Covid-19, si dhe përjashtimi arbitrar e pa asnjë arsye i kuadrove më të shquara nga LDK, si Dr.Vjosa Osmani”, është shprehur ai më tej.

Në fund, njohësi i çështjeve politike tha se votimi kaq masiv qytetarëve për Osmanin, e goditi rëndë Isa Mustafën dhe e dënoi LDK-në, duke rënë nga partia më e madhe, në parti pothuajse minore. Qarri tha se Osmani përveç përkrahjes mbi popullore në Kosovë, ajo ka edhe mbështetjen e vendeve të QUINT-it.

“Ndaj pas plebishitit masiv të popullit të Kosovës, që nga antipatia e pafund ndaj Isa Mustafës, e dënoi kaq rëndë edhe LDK-në, duke e lëshuar në 12.6 % dhe kthyer, nga partia dikur më e mëdha, në parti pothuajse minore, si dhe votimit kaq masiv të nga qytetarët të Dr. Vjosa Osmanit, e cila përveç mbështetjes mbarë popullore në Kosovë dhe respektit e simpatisë së shprehur për arritjet e saj, nga shumë shtete e qeveri të huaja, nuk do ti mungojë as mbështetja e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesve ndërkombëtar, si dhe vota e deputetëve të pa anshëm e të vetëdijshëm edhe nga LDK dhe partitë tjera politike, të cilët ia duan të mirën popullit të vet dhe shtetit të Kosovës, si dhe duan ta dëshmojnë veten se në pozitat që kanë ardhur me votën e qytetarëve, si përfaqësues të tyre, do t’i lenë anash teket politike dhe do të punojnë për prosperitetin e vendit, krijimin e institucioneve sa më të qëndrueshme dhe çuarjen përpara të shtet ndërtimit të Kosovës”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

Ahmeti: Fitorja e Vjosa Osmanit goditje e rëndë për LDK-në

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse, analisti politik Hidajet Ahmeti, në një prononcim për gazetën “ Bota sot”, tha se qëndrimet parimore në proceset politike, i janë përkthyer në vota Vjosa Osmanit.

“Stoicizmi në qëndrime parimore gjatë shumë proceseve politike të znj. Osmani janë përkthyer në vota dhe e kanë fuqizuar politikisht. Por, të vlerësosh objektivisht mund të konstatojmë se pa Vetëvendosjen znj.Osmani nuk do ishte e fuqizuar kështu, por edhe Vetëvendosja pa znj.Osmani nuk do të kishte rezultatin e 14 shkurtit”, ka deklaruar Ahmeti.

Sipas tij, fuqizimi i Osmanit i ka gjunjëzuar thellë kundërshtarët politikë, me theks të veçantë LDK-në. Ahmeti u shpreh se fitorja e Osmanit ishte edhe përmbysje e parashikimeve të ‘analistëve’ të partive.

“ Mendoj se fuqizimi i znj.Osmani brenda listës së përbashkët me VV-në i ka gjunjëzuar thellë kundërshtarët politik e veçanërisht LDK-në. Përmbysja e parashikimeve të “analistëve” të partive kundërshtare ka dekonstruktu tendencën propaganduese për minimin e rolit të saj brenda listës së VV-së. Elektorati mund të jetë i heshtur, por assesi në gjykimin objektiv në kutitë e votimit, ku u dëshmua me 14 shkurt”, ka theksuar Ahmeti.

Mirëpo, analisti u shpreh skeptik sa i përket zgjedhjes së Osmanit president e vendit, pasi sipas tij në aspektin kushtues e ligjor janë disa procedura që duhet të ndjek dhe pa marrëveshje politike, vështirë të bëhet kuorumi.

“Znj.Osmani me votat që ka marrë ka legjitimitet popullor për të përfaqësuar pozitën e presidentit të vendit, por në aspektin kushtues e ligjor janë disa procedura që duhet të ndjekë. Në realitetin e krijuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës është shumë e vështir të bëhet kuorumi nga 2/3 pa marrëveshje politike”, ka potencuar ai.

Në fund, Ahmeti kërkoi që Vetëvendosje, Vjosa Osmani dhe partitë e tjera duhet të gjejnë moduse për të vepruar në harmoni, që të shmangun kriza politike në zgjedhjen e presidentit të ri.

“Gjykoj se Vetëvendosja se bashku me znj.Osmani , por edhe partitë tjera parlamentare duhet të gjejnë moduse për të vepruar në harmoni dispozitat kushtuese e ligjore në mënyrë që të mos shkaktohen kriza politike në zgjedhjen e presidentit të ri”, ka përfunduar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat