Reagimi i LDK-së ndaj Gjykatës Kushtetuese, analisti: Për të qeshur e qarë, se si kësaj partie i pengon një urim!

Politika

Reagimi i LDK-së ndaj Gjykatës Kushtetuese, analisti: Për të qeshur e qarë, se si kësaj partie i pengon një urim!

Nga: N. H Më: 26 mars 2021 Në ora: 23:53
Kryesia e LDK-së

Një urim që sot është dërguar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në drejtim të Kryeministrit Albin Kurti, ka nxitur reagime.

Është një subjekti politik opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila këtë veprim e ka quajtur afërsi të paprecedent të Kushtetueses.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se urimi nga ana e Arta Rama- Hajrizi, drejtuar Albin Kurtit e ka kuptimin e një etike zakonore shtetërore e juridike.

Image
Sulejman Mehazi

“Qëllimi i partive nuk është për të bërë luftë politike vetëm për të hyrë në pushtet, po dhe për të treguar etikë ndaj partive kundërshtare. Pikërisht urimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe të kryetares së kësaj gjykate, Arta Rama- Hajrizi, drejtuar Albin Kurtit për fitoren dhe marrjen e postit të kryeministrit është i mirëpritur për shkak se e ka kuptimin e një etike zakonore shtetërore e juridike, kuptimin e sjelljes e karakterit institucional që përcakton njerëzoren nga jo njerëzorja, urimi dallon të mirën, të drejtën, të moralshmen, nga sjelljet e këqija e të pa moralshme”, ka thënë Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

Sipas Mehazit, e logjikshme për partinë e Abdixhikut do të ishte sikurse do të reagonte për veprimet e gabuara politike, dhe jo për mesazhet e tilla.

“LDK-ja opozitare do ishte e logjikshme të reagonte ndaj veprimeve të gabuara politike të Albin Kurtit e jo ndaj letrës uruese të Gjykatës Kushtetuese për detyrën e përgjegjësinë e madhe të Kurtit si kryeministër i Kosovës. Urimet jepen gjatë veprimeve solemne, gëzimesh, suksesesh, kurrë urimet s’janë mallkuese e të këqija, po urata humane, njerëzore, familjare, institucionale e shtetërore”, tha njohësi i politikës.

Me tej, Mehazi është shprehur se është për të qeshur e qarë, se si LDK-së së Ibrahim Rugovës i pengon edhe urimi i Gjykatës Kushtetuese drejtuar Albin Kurtit për kryeministër.

“Pyesim LDK-në e Abdixhikut se a kanë marrë edhe ata urime nga Gjykata Kushtetuese me rastin e qeverisjes së tyre të mëparshme dhe se ç’të keqe kanë urimet, në cilën kategori të fjalëve hyjnë urimet në grupin e solemniteteve, sukseseve, gëzimeve, dëshirave, sjelljeve humane, apo në grupin e urrejtjes, smirës, xhelozisë e jo njerëzores? Edhe të LDK-së e dinë se urimet janë pjesë përbërëse të pandara të çdo partie politike në pushtet, po shtiren qëllimisht. Urime Albin Kurtit dhe nga gjithë shqiptarët”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat