Propozimi i ligjit nga LVV-ja\ Kelmendi tregon se çfarë është më se e domosdoshme

Politika

Propozimi i ligjit nga LVV-ja\ Kelmendi tregon se çfarë është më se e domosdoshme

Nga: A.Z Më: 2 prill 2021 Në ora: 20:38
Foto ilustrim

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se  Grupi Parlamentar i VV-së ka përfunduar të gjitha përgatitjet për të dorëzuar nënshkrimet që kanë të bëjnë me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.

Ky projektligj ka të bëjë me votimin e mërgatës së Kosovës në Ambasada e Konsullata, meqë rast Kusari-Lila tha se mërgimtarëve do t’u lehtësohet procedura e votimit.

Lidhur me këtë juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se mos respektimi i votës është shkelje e të drejtave themelore në shoqëri, ndërsa lidhur me projektligjin, Kelmendi thotë se është çështje e mirë, vetëm edhe t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim pastaj edhe për aprovim të saj.

“Vota është një e drejtë elementare e njeriut në shoqërinë demokratike. Mos respektimi i kësaj, siç u bë deri tash është shkelje e rëndë e lirive dhe të drejtave themelore në shoqëri, sidomos për një shtresë tonë në botën e jashtme. Ata pothuajse me mënyrat e votimit kanë qenë të përjashtuar nga vota. Përgatitja e projektligjit mbi zgjedhje është çështje e pritshme për të gjithë dhe shumë e mirë. Tash, nëse ekziston ky projektligj, kërkohet t'i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe në fund edhe aprovim. Unë nuk di se si u përgatitë ky projektligj. Ndoshta grupi parlamentarë i LVV-së e kishte projektin e përgatitur”, ka deklaruar Kelmendi.

Tutje ka shtuar se lidhur me këtë ligj duhet të punohet edhe nga KQZ-ja, por edhe grupet parlamentare duhet ta shqyrtojnë dhe të japin mendime.

Sipas Kelmendit, i domosdoshëm është që ky ligj të shqyrtohet edhe nga qytetarët e vendit, sepse aq më shumë e fiton edhe bazën juridike.

“Dhe kjo është e mirë. Të presim çka po del nga ky projektligj dhe si do të zhvillohet procedura. Një projektligj i tillë kërkohet të kalon dhe të punohet edhe nga KQZ-ja, edhe nga shoqëria civile, por edhe nga shumë mekanizma tjerë të cilët janë të interesuar. Por, mbi të gjitha i takon Kuvendit dhe grupeve parlamentare që të shqyrtojnë dhe të japin mendime. Për mua është e domosdoshme të shqyrtohet ky projekt edhe në shqyrtim publik nga qytetarët e vendit. Sa më shumë që marrin pjesë ne shqyrtim, aq më shumë edhe projekti fiton bazën e vetë juridike. Dhe, në fund i takon Kuvendit të vendos përfundimisht me vota, pas shqyrtimit detal të projektit”, përfundoi Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat