Ligji për konfiskimin e pasurisë, juristi flet për nevojën e tij në Kosovë

Politika

Ligji për konfiskimin e pasurisë, juristi flet për nevojën e tij në Kosovë

Nga: A.Z Më: 12 prill 2021 Në ora: 10:33
Foto Ilustrim

Pasuria e zyrtarëve shtetëror do të hetohet, pasi tashmë në ekzekutiv ka arritur koncept-dokumenti për Ligjin për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme. Por, nuk përjashtohet mundësia që me këtë ligj të hetohet edhe pasuria e qytetarëve që nuk kanë pozita zyrtare.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se janë ithtarë të asaj që të krijojnë një Agjension të veçantë, që do niste hetimet karshi pasurisë së paligjshme, e cila nuk është në përputhje me të hyrat e ligjshme.

Zëvendësministri i Drejtësisë̈, Blerim Sallahu, ka deklaruar se me këtë ligj, barra e provës bie mbi të dyshuarin i cili duhet të arsyetojë pasurinë, në të kundërtën ai thotë se ajo pasuri me aktvendim të gjykatës do të shpallet e jashtëligjshme dhe do konfiskohet.

Lidhur me këtë, profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Kosova ka nevojë për një ligj të tillë sepse ndarja e shoqërisë mbi bazën e pasurisë sipas tij, nuk është bërë nga të ardhurat e veprimtarive legale, por pasuri mbi bazën e veprimeve të dyshimta, por nga ky ligj nuk mund të përjashtohet edhe konteksti gjyqësor për konfiskimin e pasurisë.

“Në Kosovë ka nevojë imediate që të nxirret një ligj i tillë. Ka kohë që krimi dhe korrupsioni ka kapluar strukturat e ndryshme të shoqërisë. Ndarja në shtresa shoqërore mbi bazën e pasurisë tashmë në Kosovë është e dukshme. Kështu kemi një shtesë, jo të madhe, por që bie në sy, shumë të pasur dhe që jetojnë në një jetë përrallore dhe, natyrisht se e kemi masën e gjerë që nuk jeton mirë dhe në fund një shtresë që vuan edhe për bukë. Kjo ndarje është bërë me siguri jo në bazë të të ardhurave të mbështetur në veprimtari legale. Ata kanë krijuar pasuri mbi bazën e veprimeve të dyshimtë dhe jo legale financiare dhe ekonomike. Këtu duhet një ligj që e rregullon këtë çështje. Por, ky ligj kurrsesi nuk mundet të përjashtojë përgjegjësinë penale sipas Kodit Penal të Kosovës. Kuptohet se me Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk përjashtohet edhe kontesti gjyqësor për konfiskim të pasurisë, sikundër edhe përgjegjësia penale”, është shprehur ai.

Sipas tij, në bazë të ligjit janë edhe vendimi administrativ dhe ai gjyqësor, pra të cilat duhet të zhvillohet procedura dhe kështu, pasuritë e mëdha duhet të hetohen, për të konstatuar ligjshmërinë e pasurisë që e kanë krijuar, sepse pa konfiskim të pasurisë nuk munden të spastrohen as organet e shtetit.

“Sipas Ligjit zhvillohet procedura për konfiskimin e pasurisë dhe dy mënyra janë që nxirret vendimi mbi të. 1. Vendimi administrativ dhe 2. Vendimi gjyqësor. Dhe, në shtetet demokratike, pa vendim gjyqësor nuk mund të konfiskohet pasuria. Vendimi administrativë shërben si bazë për procedurë gjyqësore. Vendimi i Gjykatës është përfundimtar. Pasuri të pajustifikueshme kanë krijuar shtresat e punësuara në pushtet dhe shumë individë e subjekte ekonomike e tregtare jashtë pushtetit. Pasuritë e tyre janë shumë të mëdha dhe natyrisht se kërkohet të hetohet ajo pasuri e krijuar nga subjektet private dhe juridike. Jo për të marr të njëjtën, nëse ka bazë juridike, por për te konstatuar ligjshmërinë e pasurisë së krijuar. Krimit dhe korrupsionit duhet t'i vijë fundi. Pa përgjegjësi penale dhe konfiskim të pasurisë nuk spastrohen organet e shtetit, politika dhe vetë subjektet private. Me këto dy masa realizohet një përgjegjësi e duhur juridiko- penale dhe ekonomike”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat