Kundërpërgjigje Hisen Berishës: Kjo ishte strategjia e SHIK-ut, ja adresa e vërtetë e vrasjeve politike

Politika

Kundërpërgjigje Hisen Berishës: Kjo ishte strategjia e SHIK-ut, ja adresa e vërtetë e vrasjeve politike

Nga: P.R Më: 16 maj 2021 Në ora: 19:21
Viktimat e vrasjeve politike në Kosovë

Ish udhëheqësi i SHIK-ut, Kadri Veseli, po qëndron i burgosur në Hagë, ku ndër tjerash akuzohet nga Gjykata Speciale për vrasjen e anëtarëve të LDK-së. E anëtari i partisë së Veselit, ish Komandanti në Betejën e Koshares,, Hisen Berisha, ka shokuar të gjithë me deklaratën e tij të fundit.

Anëtari i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se SHIK-u, shërbim ky i cili është akuzuar se qëndron prapa vrasjeve politike, i ka raportuar Ibrahim Rugovës.

“Unë jam dëshmitar i daljes nga zyra e Rugovës në Velani dhe më thonë futu qitu dhe kur hynë brenda, hynë pa emër — SHIK’u. Kjo ka ndodhur pak para vdekjes së Rugovës, në vitin 2005. Unë kam dalur nga zyra e Rugovës, shkallëve teposhtë, sigurimi më thanë futu këtu në një zyrë sepse po futet një delegacion… kur shoh (SHIK’u). Janë futur brenda në zyre të Rugovës, unë kam qenë prezent aty. Kadri Veseli e ka takuar Rugovën më shpesh se unë, e që unë kam pasur takime pa protokoll”, ka thënë Hisen Berisha.

E deklaratën e Hisen Berishës po e kundërshton ashpër Osman Ferizi, kryetar i LDK-së në Gjermani.

Sipas tij, vrasjet politike e kanë adresë ish eksponentët e Shtabit të UÇK-së dhe SHIK-ut.

Image
Osman Ferizi

“Vrasjet politike ende të pa ndriçuara ku dorasit dhe nxitësit e tyre ende shëtisin të lirë dhe të pa u ndëshkuar, ne demokratet e djathtë nuk do heshtim e as nuk do i harrojmë deri sa të zbardhen të gjitha vrasjet e porositura, e kemi obligim human e qytetar dhe si Shtet të veprojmë derisa drejtësia të vihet në vend. Aq të thella janë rrënjët e krimit dhe kapja e Shtetit saqë jo vetëm organet ligjvënëse të Shtetit e as misionet ndërkombëtare nuk arritën që vrasësit dhe nxitësit e vrasjeve politike të marrin dënimin e merituar”, thotë Ferizi për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se Hisen Berisha që nga inkuadrimi në PDK nuk është më vetvetja.

“Deklarata publike e njërit nga ish komandantet e Koshares z. Hisen Berisha se SHIK kishte bashkëpunim me presidentin historik dr. Rugova, sipas meje është jo bindëse dhe për mendimin tim me një strategji për ta hudhë në një rrafsh tjetër, ai burrë që kisha respekt dhe konsideratë për kontributin e tij në luftën e Koshares me daljen e tij në PDK-së nuk është më vetvetja dhe i bëjë lutje publike që mos të sharroi ma thellë sepse aty llumi është i thellë”, shprehet Ferizi.

Ferizi thekson roli dhe synimi i SHIK-ut ka qenë vëlla vrasja dhe marrja e pushtetit me dhunë.

“E di shumë mirë edhe Hisen Berisha dhe cilido veprimtar politik, ish eprorë e ushtarë i UÇK-së i rreshtuar në vijën institucionale se është e dëshmuar roli i SHIK dhe ish Shtabit të UÇK-së, sepse kanë pas një plan dhe strategji propagandistike përmes “Zërit të Kosovës“, “Epokes se Re”, dhe mediave për të nxitur urrejtje, përçarje, etiketim, shpifje duke e nxitur popullin në rrethana lufte të një ndarje në tradhtar dhe çlirimtar gati deri në vëlla-vrasje, e që kishin qëllime meskine për marrjen e autoritetit në masa dhe marrja e pushtetit”, deklaron kryetari i LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi.

“Poashtu i kujtoi z. Berisha se SHIK-së u formua gjatë marsit të 1999 nga ish eksponent e drejtues të Shtabit të UÇK-së që drejtohej nga Azem Syla, Xhavit Haliti, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi.... dhe zyrtarisht u mbyll në qershor 2008 kur morën pushtetin dhe arritën të kapin shtetin në çdo aspekt dhe deri më sot asnjë hetim apo raportim parlamentar për ketë organizatë shumë të diskutueshme kriminale dhe shumë të dyshimtë në veprimtarinë e saj”, thotë Ferizi.

Sipas kryetari të LDK-së në Gjermani, vrasjet politike janë njollë e zezë për shtetin e Kosovës.

“Vrasjet Politike janë njolla më e zezë dhe më e turpshme e periudhës 1998-2005, sepse u torturuan, kidnapuan, plagosën e vranë figura e personalitet të LDK-së si Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Ismet Rraci, Smajl Hajdaraj, Arben Seidiu,Haki Imeri.... Ish eprorët, Ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, Ekrem Rexha komandant “Drini“, kolonel Tahir Zemaj, Mirush Dakaj, .... U vranë gazetarët që patën guximin të shkruajnë Bardhyl Ajeti, Shaban Popova, Bekim Kastrati... Atentat kundër presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova (2005), deputetit Fetah Rudit, tani në karrocë invalidore (15.12.2000), Sabri Hamiti, Gani Geci e shumë të tjerë”, nënvizon Ferizi.

Për fund, Ferizi thotë se edhe raportet ndërkombëtare e konfirmojnë të kaluarën e erret të SHIK-ut, organizatë të cilën sipas tij, duhet ta hetoj Gjykata Speciale.

“Raportet konfidenciale dhe dokumentet e klasifikuara të shërbimeve inteligjente të NATO-se, KFOR-it, BND, ...tregojnë që truri dhe skenari i këtyre veprimeve anti kombëtare monstruoze e vëlla vrasëse ishin ish eksponent të Shtabit puçist të UÇK-së e PDK-së, dhe për këtë kërkojmë hetim ndërkombëtar që përmes GJND-së së votuar nga Parlamenti ynë për krimet dhe gjenocidin Serbë të kryer ndaj popullit tonë dhe zbulimin e vrasjeve politike të kryera gjatë dhe pas luftës!”, përfundon për “Bota sot” Osman Ferizi, kryetar i LDK-së në Gjermani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat