Padia e PDK-së ndaj Qeverisë, juristët tregojnë skenarin që mund të ndodhë nga Kushtetuesja

Politika

Padia e PDK-së ndaj Qeverisë, juristët tregojnë skenarin që mund të ndodhë nga Kushtetuesja

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 18 maj 2021 Në ora: 13:04
Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Qeveria e Kosovës gjatë muajit prill ka marrë vendim për pagimin e energjisë elektrike në Veri të Kosovës.

Ky vendim është marrë me propozim të deputetes së LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, shkruan “Bota sot”.

Ky propozim u miratua me 6 vota për dhe 3 kundër, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti duke u miratuar kështu vendimi që në 6 muajt e ardhshëm, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Vendimi është përbërë nga 5 pika, ndër to është lirimi i Qeverisë së Kosovës nga përgjegjësia për pagesën e 11 milionë eurove të kërkuara nga KOSTT. Sipas saj, për shkak se KOSTT ka mundësi financiare të mbulojë këtë shumë deri në një zgjidhje afatgjate.

Në lidhje me këtë vendim patë reagime shumë të mëdha duke mos u pajtuar aspak me të.

Këto pakënaqësi erdhën nga opozita duke e kritikuar që i dhanë këtë mundësi veriut të Kosovës.

Si pasojë e kësaj, PDK duke iu drejtua Gjykatës Kushtetuese.

Ishte deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se ky vendim është antikushtetues për shkak të trajtimit të pabarabartë të qytetarëve të Kosovës para ligjit.

Deliu-Kodra tutje tha se ky vendim i cili u përkrah nga deputetë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe e dëmton buxhetin e Kosovës.

“Ky vendim i mbështetur nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe ka dëmtuar buxhetin e Kosovës duke marr kështu në mënyrë të kundër kushtetuese taksat e qytetarëve për të paguar energjinë e shpenzuar nga qytetarët dhe bizneset në veri të Kosovës. Kjo përbën shkelje kushtetuese për shkak të trajtimit të pabarabartë të qytetarëve para ligjit”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.

Deputetja e PDK-së ka rikujtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti brenda një viti ka ndarë 21 milionë euro për pagesën e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës, pasi edhe në qeverinë Kurti 1 ishin ndarë 10 milionë euro për këtë çështje.

Sipas Deliu-Kodrës këto mjete do ishte më mirë të shfrytëzoheshin për blerjen e vaksinave anti-COVID.

Mirëpo këto akuza PDK po i bën edhe pse të njëjtën gjë e kanë bërë edhe qeveritë e kaluara por të njëjtat nuk kanë hasur në kritika, ndërsa qeveria Kurti po.

Kujtojmë që qeveria Kurti është duke u kritikuar vazhdimisht nga opozita mirëpo shumë herë për veprimet që edhe ajo i ka bërë gjatë kohës kur ka qenë në pushtet.

Në lidhje me këtë temë, juristët thonë që ky vendim nuk do të duhej të drejtohej në Gjykatën Kushtetuese, pasi që do të duhej të zgjidhej brenda ligjeve të Qeverisë së Kosovës.

Miftaraj: Çështjet e tilla siç është energjia elektrike nuk duhet të rregullohen nga Gjykata Kushtetuese

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur në lidhje kërkesën që PDK i ka drejtuar Kushtetuese.

Ai u shpreh se Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë një hulumtim, nga i cili ka nxjerrë përfundim që ky vendim nuk është në përputhje me ligjet e Kosovës dhe duhet të gjendet një zgjidhje tjetër.

“Institucioni i Avokatit të Popullit sipas detyrës zyrtare ka hulumtuar çështjen e pagesës së rrymës elektrike në pjesën veriore të Kosovës me para të taksapaguesve të Kosovës. Sipas hulumtimit të njëjtë një praktikë e tillë nuk është në pajtim me ligjet e Kosovës dhe institucionet duhet të gjejnë një zgjidhje adekuate”, u shpreh Miftaraj.

Image
Ehat Miftaraj

 

Sipas tij, këto lloj tema siç është energjia elektrike nuk duhet të dërgohen në Kushtetueses pasi ajo nuk i rregullon ato por ligjet dhe institucionet nga qeveria që janë në pushtet.

“Sikurse, çështja e rrymës në veri dhe pavarësisë së sistemit energjetik në Kosovë është një çështje që ka qenë e diskutimit edhe në Bruksel, dhe investimeve strategjike edhe nga Gjermania lidhur me autostradën energjetike Kosovë-Shqipëri. Në këtë drejtim, politizimi i kësaj çështje nga secila parti politike qoftë në të kaluarën nga VV edhe tani nga PDK, nuk do të duhej të ishte pjesë e diskursit publik. Çështjet si këto nuk munden dhe nuk duhet të rregullohen nga GjK, por brenda kornizës ligjore dhe institucionale nga qeveria në pushtet”, tha Miftaraj për “Bota sot”.

Kelmendi: Juridikisht ky vendim duhet të anulohet

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, është shprehur se në bazë të gjendjes ekonomike që ka vendi, atëherë për asnjë familje nuk merr përgjegjësi shteti mirëpo sipas tij në Kosovë ka shumë padrejtësi e sidomos për minoritetet serbe prandaj edhe është bërë kjo padi.

Ai shton se pavarësisht që për minoritetet serbe është formuar një kushtetutë e veçantë, e njëjta nuk respektohet nga ata, pasi që të gjitha veprimet e vendimet i marrin duke u mbështetur në pushtetin serbë.

Kelmendi thotë se është vendim i padrejtë dhe në kundërshtim me çdo normë të ndërtimit të shoqërisë dhe natyrisht nuk ka normë që mbron atë vendim.

“Në kuadër të gjendjes ekonomike e sociale që ka vendi është e kuptueshme se çdo qytetar ose familje që bën shpenzime i bartë ato shpenzime, askush dhe për askënd nuk përgjigjet sot në shtetet ku sundon ekonomia e tregut. Mirëpo në Kosovë ka shumë padrejtësi sidomos ndaj minoritetit serb është bërë lëshime dhe kështu ky minoritet është ndarë shumë nga Republika. Për atë minoritet është ndërtuar një Kushtetutë që nuk është funksionale. Shumë vendime nuk mund të merren pa votat e 2/3 të minoritetit serb. Për serbët janë krijuar komuna tipike jo funksionale dhe që janë nën bartësin totale të shtetit serb. Kemi komuna ku as flamurin e Republikës së Kosovës nuk e respektojnë. Nëpër të gjitha komunat serbe është vetëm flamuri serb, pushteti serb, administrata dhe çdo veprim bëhet nën kontrollin e Beogradit. Në ato komuna fare nuk ka pushtet Kosova. Në këtë kuadër është edhe vendimi i Kuvendit të Kosovës që shteti të paguaj 11 milionë e euro për energjinë në Veri. Natyrisht se është vendim i padrejtë dhe në kundërshtim me çdo normë të ndërtimit të shoqërisë. Nuk ka normë që mbron atë vendim”, tha juristi.

Tutje, ai shprehet se në lidhje me këtë çështje ishte vendimi i qeverisë Haradinaj që të anulohet mirëpo pas saj dy qeveritë Hoti dhe Kurti kanë rikthyer përsëri këtë vendim, e që sipas tij duhet të anulohet.

Duke vazhduar Kelmendi thotë se nëse Gjykata Kushtetuese mbështetet në norma juridike vendimi i tashëm i Kuvendit anulohet, por, nëse politika ndikon vendimi nga Gjykata Kushtetuese nuk do të anulohet.

“Ishte vendimi i Qeverise Haradinaj për mos pagim të energjisë. Ky vendim u largua dhe erdhi Qeveria Kurti, Hoti dhe tash Kurti ku po bëhet përsëri pagesa. Juridikisht ky vendim duhet të anulohet. Ekziston një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit për energji. Kjo marrëveshje është antikushtetuese. Dhe natyrisht se edhe vendimi i tashëm për pagesën e 11 milionëve është vendim antikushtetues. Prandaj, nëse Gjykata Kushtetuese mbështetet në norma juridike dhe në gjendjen ekonomike e sociale në vend, vendimi i tashëm i Kuvendit anulohet. Por, nëse politika ndikon dhe, sigurisht që do të ndikon, vendimi nga Gjykata Kushtetuese nuk do të anulohet. Ky do të jetë përfundimi”, thekson Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

 

Më tej, ai potencon që e gjithë kjo rrëmujë erdhi si rezultat I planit të Ahtisarit ku bëri ndarjen totale të komunave serbe nga Kosova.

Qëllimi kryesor i minoriteteve serbe sipas juristit është që të përfitojnë nga ekonomia e vendit mirëpo që atje duhet të ndalohet që të veproj ligji i Kosovës pasi që vazhdimi I kësaj dërgon te ndarja e pushtetit të veçantë nëpër komunat serbe dhe kështu Republika bëhet inekzistente.

“Këtu është thjeshtë gjendja e krijuar në vend me planin e Ahtisarit, me Kushtetutën e Republikës, me komunat e me ndarjen totale të komunave serbe nga Kosova. Ata vetëm po e shfrytëzojnë Republikën ekonomikisht dhe po e dëmtojnë në shumë fusha. Qëllimi i tyre dhe u Beogradit është organizimi i shteti serb në Kosovë apo ndarja totale nga Kosova. Këtu duhet vepruar pushteti i Republikës së Kosovës. Atë duhet ndaluar dhe natyrisht atje duhet të veprojë ligji i Republikës. Vazhdimi i mëtejshëm i gjendjes aktuale dërgon te ndarja dhe pushteti i veçantë nëpër komunat serbe dhe kështu Republika bëhet inekzistente”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat