Garë e ‘nxehtë’ për të parin e Prishtinës, parashikohet balotazh mes Arben Vitisë dhe Përparim Ramës

Politika

Garë e ‘nxehtë’ për të parin e Prishtinës, parashikohet balotazh mes Arben Vitisë dhe Përparim Ramës

Nga: A.Morina Më: 29 maj 2021 Në ora: 22:22
Foto ilustrim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka zyrtarizuar kandidaturën e arkitektit të njohur Përparim Rama, për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale.

Ndërsa, nga radhët e AAK-së është kandidat Daut Haradinaj, kurse nga PDK Uran Ismaili e nga LVV është përmendur Arben Vitia, por ende nuk ka asgjë zyrtare.

Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqiptar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë.

Mirëpo, sa mund të i bëjë ballë kundërkandidatëve të tij Rama, mbetët të shihet në zgjedhjet e tetorit.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar zgjedhjet lokale dhe kandidatët e partive politike për komunën e Prishtinës.

Sipas Mehazit, zgjedhjet lokale ndryshojnë nga ato parlamentare, pasi ato kanë kuptimin e garave personalitetesh të autoritetshëm me pedigre intelektuale, morale e vertikale.

Image
Profesori Sulejman Mehazi

“Zgjedhjet lokale ndryshojnë nga ato parlamentare dhe kanë të bëjnë me interesa të ngushta të qytetarëve brenda komunave, për këte shkak janë më të rënda e më problematike dhe kurrsesi nuk duhet besuar e menduar se partia që ka fituar gjatë zgjedhjeve parlamentare do jetë fituese edhe gjatë zgjedhjeve lokale.

Zgjedhjet Lokale e kanë kuptimin e garave personalitetesh të autoritetshëm me pedigre intelektuale, morale e vertikale e jo horizontale të zgjedhje parlamentare të deputetëve të zgjedhur nga një skaj në skajin tjetër të Kosovës. Deputetë mund të zgjidhen analfabetë e individë të pa autoritetshëm brenda prefekturave të tyre, kurse kryetarë komunash kurrsesi”, deklaroi profesori.

Ai tha se kandidatura e Përparim Ramës nga radhët e LDK-së, për komunën e Prishtinës do të jetë sfiduese për kundëkandidatët nga LVV, PDK e AAK.

“Kjo vërehet nga kandidatura e arqitektit të njohur, Përparim Rama, nga LDK-ja që është i njohur jo si politikan, por si profesionalist, shkencëtar e intelektual i nivelit te lartë. Kandidatura e LDK-së me Ramën për qytetin e Prishtinës do jetë sfidues kundër konkurentëve të LVV-së, PDK-së e AAK-së”, theksoi Mehazi.

Madje, profesori parashikoi edhe balotazh në mes Arben Vitisë (LVV) me Përparim Ramën (LDK), ndërsa Mehazi tha se Ismaili dhe Haradinaj do të humbin në raundin e parë.

“Edhe pse është herët të flitet për kandidatët për kryetar të Prishtinës pasi zgjedhjet lokale do mbahen në vjeshtë, po nëse propozohen këta emra: Përparim Rama-LDK, Uran Ismaili-RDK, Ramush Haradinaj-AAK dhe Arben Vitia-LVV, lufta do jetë e fuqishme në mes dy kandidatëve në Prishtinë, në mes Përparim Ramës dhe Arben Vitisë, ndërsa Uran Ismaili dhe Haradinaj do humbin që në raundin e parë, dhe se në balotazh do mbeten Përparim Rama e Arben Vitia”, nënvizoi ai.

Mirëpo, Mehazi tha se pavarësisht kësaj, qytetarët e votojnë partinë dhe jo individin.

“Megjithat, psikologjia politike e shumicës së votuesve shqiptarë janë bindjet politike e jo individualizmi e performanca shkencore e intelektuale e Përparim Ramës, si gjithmonë qytetarët votojnë partinë e jo individin”, u shpreh ai.

Në fund, profesori konsideroi se para se të konkuronte për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama është dashur të bëhet politikan e më pas arkitekt.

“Shumica e qytetarëve të Kosovës janë për LVV-në e jo për individualizmin e arkitektit Përparin Ramën. Qytetarët shqiptarë në përgjithësi më shumë respektojnë partitë e politikanët sesa intelektualët e shkencëtarët e humbur e të mbyllur brenda studimeve shkencore të tipave të Përparim Ramës” Përparim Rama para se të konkuronte për kryetartëi Prishtinës, më parë është dashur të bëhet politikan e më pas arkitekt”, përfundoi Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat