Kërkohet të hetohet shuarja e Institutit për krime të kryera gjatë luftës

Politika

Kërkohet të hetohet shuarja e Institutit për krime të kryera gjatë luftës

Nga: A.M. Më: 9 qershor 2021 Në ora: 23:25
Ilustrim

Gjatë kësaj jave është mbajtur takimi i parë i Grupit Punues për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës.

Në këtë takim morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, këshilltarja për çështje juridike e kryeministrit Kurti, Furtuna Sheremeti, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, zyrtarë shtetërorë dhe ekspertë për drejtësi transicionale, juristë, përfaqësues të shoqatave dhe të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dokumentues të krimeve të luftës, ekspertë të trashëgimisë kulturore etj.

Në këtë takim, kryeministri Kurti ka treguar se çfarë do të bëjë ky Institut për krime të kryera gjatë luftës

“Besoj e keni vërejtur menjëherë, që emri i Institutit, të cilit i referohemi nuk është “Instituti për krime lufte” por Instituti për krime të kryera gjatë luftës. Kjo për shkak se konsiderojmë, që është e rëndësishme që të adresohen edhe krimet e tjera që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit, e që janë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, pra përveç se krimet e luftës”, ka thënë Kurti.

Por,  ky nuk është Instituti i parë në Kosovë që merret me krimet e luftës, pasi një i tillë ka ekzistuar edhe më parë. Fatkeqësisht, Instituti për Krime të Luftës në Kosovë është shuar me urdhër të kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj në vitin 2018.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se duhet të bëhen hetime rreth shuarjes. së edhe "Institutit për Krimet e Luftës".

Ai ka shtuar se personat e përfshirë duhet të nxirren para drejtësisë e të marrin dënimin e merituar.

“Ndaj dëmi që i kanë shkaktuar popullit dhe shtetit të Kosovës opozita e sotme dhe partitë e inkriminuara me Thaçin, Mustafën, Haradinajn e Limajn në krye, në 13 vitet e fundit, jo vetëm që është i pallogaritshëm, por veçanërisht, veprimet e tyre kundër shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, të cilët shkuan deri atje sa ta shuanin edhe "Institutin për Krimet e Luftës", duhet hetuar urgjentisht dhe të gjithë të inkriminuarit të nxirren para drejtësisë e të marrin dënimin e merituar”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat