Paralajmëron bashkëluftëtari i Sali Çekajt, tregon se kush do të përfshihet në Listën e Zezë të SHBA-së

Politika

Paralajmëron bashkëluftëtari i Sali Çekajt, tregon se kush do të përfshihet në Listën e Zezë të SHBA-së

Nga: P.R Më: 11 qershor 2021 Në ora: 20:36
ilustrim

Presidenti amerikan Joe Biden, ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për bllokimin e pasurive të individëve dhe ndalimin e hyrjes në SHBA, që sipas Departamentit të Thesarit Amerikan kanë cenuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën.

Ky urdhër është vazhdim i një urdhëri fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë nga Ballkani Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Tani ai është zgjeruar duket përfshirë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

"Garantimi i sigurisë dhe i stabilitetit politik të rajonit të Ballkanit Perëndimor është në përputhje me angazhimin e administratës Biden për avancimin e interesave thelbësore të sigurisë kombëtare të SHBA, përfshirë mbrojtjen e institucioneve demokratike”, kanë deklaruar nga Shtëpia e Bardhë.

E këtë vendim po e quan lajm të mirë dhe inkurajues edhe për Kosovën, Saim Tahiraj, veprimtar i hershëm i LDK-së dhe ish bashkëluftëtar i heroit, Sali Çekajt.

“Nënshkrimi i urdhrit ekzekutiv nga Presidenti Baiden për bllokimin e pasurive individuale të personave që si mbas departamentit të thesarit cenuan stabilitetin në Ballkanin perëndimorë, përfshi këtu edhe Kosovën, është një lajm shumë i mirë dhe inkurajues! Ky lajm i mirë ngjall shpresën se më në fund po ju vije fundi oligarkëve, të fortëve, të paprekshmeve të cilët krijuan pasuri marramendëse në kurriz të popullit. Duke shfrytëzuar pozitat udhëheqëse që kishin në pushtet ata vodhën dhe përvetësuan pasurin shtetërore e cila është edhe pasuri e ç'do qytetari të Republikës së Kosovës”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Image
Saim Tahiraj

“Të gjithë ata që vodhën dhe përvetësuan pasurinë shtetëror, varfëruan buxhetin e Kosovës dhe direkt ndikuan në përkeqësimin e gjendjes sociale të qytetarëve në Republikën e Kosovës. Duke e përkeqësuar gjendjen sociale ata nxitën pakënaqësi dhe revolta sociale, politike dhe automatikisht sollën edhe destabilizim situatës në Kosovë”, shprehet më tej Saim Tahiraj.

Sipas tij, edhe ata që po akuzohen nga Gjykata Speciale për krimet e kryera gjatë dhe pas luftës duhet të përfshihen në listën e zezë të SHBA-së.

“Të gjithë të dyshuarit që po akuzohen për krime të luftës dhe pas saj dhe të tjerët që do akuzohen, duhet të hetohen edhe për pasurin e tyre. Pa paragjykuar verdiktin final të Gjykatës Speciale për secilin, mendoj se të gjithë ata që do dënohen për krime të luftës dhe pas luftës, duhet të jenë edhe në listën e zezë të Departamentit të Shtetit Amerikan, sepse me veprimet e tyre kriminale kanë qenë cenuesit kryesorë të sabilitetit në Kosovë”, thekson Tahiraj për “Bota sot”.

Përveç kësaj, Tahiraj deklaron se në Kosovë duhet të nisin hetimet ndaj të gjithë atyre që krijuan pasuri milionëshe në mënyrë të jashtë ligjshme.

“Krahas këtij vendim shumë të rëndësishëm dhe shpresëdhënës të Departamenti të Shtetit, institucionet përkatëse të shtetit Amerikan, duhet të fillojnë hetimet serioze për pasurin e secilit që dyshohet se e ka krijuar në mënyrë të jashtë ligjshme. Ka dyshime se pasurin e tyre të jashtë ligjshme e kanë fshehur në shtete tjera apo investuar në forma të ndryshme. Kjo duhet të hetohet në bashkëpunim me shtetet përkatëse dhe sa më parë të zbulohen dhe të konfiskohet kjo pasuri e jashtë ligjshme”, nënvizon Tahiraj.

Për fund, ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt thotë se e vetmja shpresë për popullin e Kosovës mbetet hetuesia dhe drejtësia e shtetit Amerikan.

“Kjo pasuri i takon shtetit dhe popullit të Kosovës andaj edhe duhet t’i kthehet. Organet e drejtësisë në Kosovë janë të paafta ta kryejnë këtë hetim dhe drejtësinë ta sjellin në vend. Ato janë të kapura apo edhe të infektuara nga pushtetarët hajna, të vjetër dhe të rijnë. E vetmja shpresë për popullin e Kosovës mbetet hetuesia dhe drejtësia e shtetit Amerikan”, përfundon Saim Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat