Ekspertët komentojnë aksionin në Dukagjin, bëjnë thirrje për arrestime dhe hetime të politikanëve

Politika

Ekspertët komentojnë aksionin në Dukagjin, bëjnë thirrje për arrestime dhe hetime të politikanëve

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 17 korrik 2021 Në ora: 08:22
Aksioni

Prokuroria e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike së fundi ka realizuar një aksion policor.

Ky aksion është realizuar në tre komuna, Pejë, Istog dhe Klinë.

Sipas Prokurorisë, aksioni ka të bëjë me ndërtimet pa leje që janë bërë në këto komuna, bastisjet janë bërë me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme.

Nga aksioni për ndërtimet pa leje që ndodhi të enjten, u arrestuan 10 zyrtarë, prej tyre 3 persona në Komunën e Pejës, 4 në Komunën e Istogut, dy në atë të Klinës dhe një nga Deçani.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj tregoi se deri tek aksioni erdhi pas shqetësimeve të qytetarëve që kishin paraqitur për ndërtimet që po bëheshin në këto komuna.

“Kjo iniciativë ka rrjedhë nga unë si kryeprokuror pas shqetësimeve të qytetarëve rreth ndërtimeve pa leje që janë duke u lejuar në këto pesë komuna që Prokuroria Themelore në Pejë i mbulon, flasim për Komunën e Pejës, Klinës, Deçanit dhe Junikut. Pas marrjes së kësaj informate unë kam caktuar pesë prokurorë të cilët janë marrë me grumbullimin e informatave për këto ndërtime. Ndërsa sot kemi shkuar bastisje në tri komuna, të Pejës, Klinës dhe Istogut ku me këtë rast janë arrestuar 10 persona zyrtarë kryesisht drejtor të drejtoratit për urbanizëm dhe inspektorë me dyshimet fillestare që kishin për të kryer veprën penale ‘keqpërdorim i autoritetit apo i pozitës zyrtare’”, ka thënë Kurmehaj.

 E lidhur me këtë kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

 “Me drejtorin e ri të PK, ka filluar një dinamikë më e theksuar”

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se e gjithë kjo tregon seriozitetin që Kosova ka marrë për luftimin e veprave penale.

Image
Drizan Shala

Sipas tij, në këtë rast duhet përmendur edhe drejtorin e ri të PK-së, që sipas tij tani struktura policore ka marrë një dinamikë më të theksuar, duke përfshirë edhe përmbushjen e vizionit dhe aplikimit të kërkesave që kërkohen në rrugë e Kosovës drejt BE-së.

“Në vazhdën e punës që është duke u zhvilluar policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë në luftën kundër krimit ekonomik, kjo po tregon që Kosova ka marrë seriozisht luftimin e këtyre veprave penale duke përmbushur edhe njërin nga raporti i progresit për Kosovën që është zero tolerancë kundër korrupsionit të çdo nivelit. Policia e ka për detyrë që të përmbush obligimet ligjore të saja si dhe misioni që është mbrojtja dhe siguria e qytetarëve të saj e ku kjo nënkupton vazhdimi i luftës të pa kompromis për shtet të së drejtës dhe aksione të tilla janë të mirëpritura. Por, duhet të përmendet edhe faktin që me Drejtorin e ri të PK-së ka marrë një dinamikë më të theksuar struktura e policisë së vendit si në nivelin e drejtorisë së përgjithshëm si në atë rajonal/stacione në përmbushjen e vizionit të drejtorit dhe aplikimin e kërkesave të specifike që kërkohet në rrugën e Kosovës drejtë BE-së”, ka potencuar Shala për "Bota sot".

“Këto aksione nuk tregojnë ndryshime të krimit të organizuar”

Ndërsa, profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi, ka vlerësuar se aksionet e fundit nuk tregojnë ndonjë ndryshim të krimit të organizuar, sepse sipas tij, arrestimet nuk janë tregues të veprimit të shtetit, por prova dhe fakte për të vërtetuar të vërtetën.

Image
Muhamet Kelmendi

“Është mirë kur shikohet se organet e shtetit po veprojnë dhe po marrin masa. Natyrisht se aksionet e fundit në tri komuna nuk tregojnë ndonjë ndryshim të vijës së deritanishme të vlerësimit kundër krimit të organizuar. Veprime të tilla ka pasur edhe në të kaluarën. Ka pasur arrestime, por dënimet kanë qenë me kusht ose janë liruar të akuzuarit nga përgjegjësia. Arrestimet nuk tregojnë se shteti po vepron. Duhen masa konkrete dhe prova të domosdoshme dhe faktike për të vërtetuar veprën dhe për të shpallur dënimin”, tha ai.

Më tej, profesori ka përmendur edhe disa çështje të azhuritetit, që sipas tij është mos kryerja e punës nga organet dhe mos shqyrtimi i provave nga gjykata, madje sipas tij që të dyja tregojnë mos funksionimin e shtetit dhe pa Vetting nuk funksionon e drejta.

“Natyrisht se janë disa çështje që tregojnë jo azhuritetin. E para, ka të bëjë me mos kryerjen e punës nga organet e ndjekjes dhe të Prokurorisë. E dyta, ka të bëjë me mos shqyrtim të duhur të provave nga ana e vetë gjykatave. Këto dy anë janë të një medaljeje. Të dyja tregojnë mos funksionimin e shtetit të së drejtës. Dhe kështu do të vazhdohet, nuk funksionon e drejta pa Ligjin e Vetting-ut. Me Vetting bëhet spastrimi dhe përzgjedhja e kuadrit adekuat. Në këtë fillon të aplikohet shteti i së drejtës”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për gazetën "Bota sot".

“Nuk po ndodhin arrestime të politikanëve, por të shërbyesve”

Në anën tjetër, juristi Blerim Burjani, ka potencuar se këto arrestime deri më tani janë vetëm për shërbyesit civil, por jo edhe për politikanët që deri tani nuk janë arrestuar asnjëri nga ta. Madje, Burjani thotë se ka edhe kryetarë të komunave që janë të dyshuar por që ende nuk janë të arrestuar.

Image
Blerim Burjani

Ai shtoi tutje se për këtë arsye duhet hetuar shumë ministra sepse këto gjëra nuk bëhen vetëm nga shërbyesit civil.

“Deri më tani po ndodhin vetëm arrestime të shërbyesve civil të përfshirë në korrupsion, asnjë politikan i vetëm përgjatë kësaj periudhe nuk është arrestuar. Pra, nuk ka ministra të cilët për një kohë të gjatë në shumë ministri në bashkëpunim me disa shërbyes civil nuk ka ndodhë asnjë arrestim. Pra, deri tani po i arrestojnë bashkëpunëtorët e politikanëve apo ministrave të dikurshëm, por jo edhe persona që kanë pasur pozita ministrash, zëvendësministrash të përshirë në korrupsion dhe gjëra të tjera, por ka edhe kryetarë komunash të shumtë që janë të dyshuar për një kohë të gjatë, për shumë raste ende nuk ka arrestime të askujt, kjo po i bie arrestime të njerëzve të dobët për pesha politike dhe vendimmarrëse. Ndërsa, vendimmarrësit po fshihen prapa tyre. Pra, nëse duhet të ketë gjëra të tilla atëherë duhet hetuar shumë ministra dhe zëvendësministra, ato gjëra nuk mund vetëm nga shërbyes civil”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat