“Kurti ua mbylli gojën”/ Përballja me Vuçiqin dhe kritikat e opozitës, ja mashtrimi me dialogun

Politika

“Kurti ua mbylli gojën”/ Përballja me Vuçiqin dhe kritikat e opozitës, ja mashtrimi me dialogun

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 27 korrik 2021 Në ora: 18:09
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq - ilustrimi Bota sot

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që në fillim kur mori pushtetin, deklaroi se dialogun me Serbinë nuk e kishte në plan të parë. Mirëpo, duket se ai është përgatitur mirë për përballjen me palën serbe. Në dy takimet që tanimë ka realizuar në Bruksel përballë palës serbe, këta të fundit janë dëshpëruar shumë me paraqitjen e kryeministrit të Kosovës.

Krerët serbë janë parë shumë të nervozuar me të dalë nga takimet me Kurtin, pasi ky i fundit ka folur për temat më të prekshme për Kosovën, për gjenocidin e fatin e të pagjeturve.

Ndërkohë, opozita në Kosovë është treguar mjaft kritike ndaj veprimeve e fjalimeve të Kurtit në Bruksel.

Zeqiraj: Mashtrimi i madh i kryedialogueses Edita Tahiri: “Po bëjmë vetëm dialog teknik dhe jo politik”

Image
Opinionisti Idriz Zeqiraj

Njohësit e ҫështjeve politike në vend kanë deklaruar se Kurti edhe vite më parë ishte kundër dialogut me Serbinë.

Kështu, opinionisti Idriz Zeqiraj, thekson se ‘kryeministri Albin Kurti, qysh një dekadë më parë, është shprehur hapur kundër dialogut, për mënyrën se si filloi të bëhej.’

“Palët në dialog, nuk ishin palë të mirëfillta, të barabarta. Dhe, as që pritej të ishin të tilla, ngaqë kishin dosje të hapura, të krimeve serike, të bëra para, gjatë dhe pas luftës, ndaj kundërshtarëve politikë, shqiptarë të pafajshëm. Dhe, duke qenë fort të shantazhuar, me dosje faktike, dështimi ishte i parathënë: zvarritje të dialogut në vite e dekada”, thekson Zeqiraj.

Ai thotë se një mashtrim të madh e bëri edhe Edita Tahiri, e cila kishte deklaruar se po bëjmë dialog teknik dhe jo politik, ndërsa ndodhi e kundërta dhe me rrjedhë fatale për Kosovën.

“Mashtrimi i madh i kryedialogueses Edita Tahiri: "Po bëjmë vetëm dialog teknik dhe jo politik!" Rezultoi krejt e kundërta! I gjithë dialogu ishte politik dhe me rrjedhoja fatale, që sot ballafaqohet Kurti me shokë dhe po e vuajnë shqiptarët: Mitrovica e ndarë; Demarkacioni me humbje të mijëra hektarëve tokë; Asociacioni i komunave serbe, alias "Zajednica"; moszbatimi i dhjetëra marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia, pa i emërtuar, meqë nevrikosin shqiptarët, me talljen e përçmimin që bënte pala serbe”, vlerëson ai.

Zeqiraj thotë se jo vetëm Albin Kurti, por edhe përcjellësit e vëmendshëm të dialogut të stërzgjatur, Kosovë-Serbi, kanë paralajmëruar rrezikun, dëmin e madh që po i shkaktohet Kosovës, sepse të shantazhuarit askund dhe askurrë nuk lejohen të ballafaqohen më palën kundërshtare, ngaqë ata janë inferiorë, të paguximshëm, për të kërkuar për të qenë të barabartë në dialog.

“Kjo ndodhë vetëm në Kosovë, edhe pse shqiptarët e dinin, paraprakisht, se Hashim Thaçi nuk ishte njeriu i duhur, për përballjen me Serbinë dhe ishte lutur nga analistët, ishte kundërshtuar, madje, edhe dhunshëm, pikërisht, nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit. Megjithatë, Thaçi kishte vazhduar flirtin me agjentin freng, Damjan Arnaud dhe përmes tij edhe me Serbinë. Mungesën e Hashimit, me stafin e tij dialogues, sot po e ndjejnë, të paktën, Vuçiq, Daçiq, Bërnabiq, Vulin, të cilët e kanë pohuar hapur. Kryeministri Albin Kurti solli një standard të ri, në bisedimet me palën serbe. Takimit të parë i paraprinë deklarata e tij se "në bisedime duhet të jemi palë të pabarabarta, si dy shtete të pavarura". Përndryshe, nuk ka dialog. Dhe, ashtu ndodhi. Pyetja e parë e Kurtit, në takimin e parë në Bruksel, me prezencën e përfaqësuesve të BE-së, Borell e Laiçak, ishte: "Zoti Vuçiq, kur do ta njihni Kosovën",- ishte më e duhura dhe sintezë, në bazë të së cilës duhet të vazhdojë dialogu shqiptaro-serb”, thekson analisti.

Ai thotë tutje se edhe parashtrimi i çështjeve tjera, ishte mirë i studiuar, një qasje përmbajtësore, ndryshe nga bisedimet rutinë e klishe të dialoguesve paraprakë, me stërzgjatje "tërkuzë" dhe, kjo i shërbente Serbisë, për të përfituar në kohë, duke i sjellë asaj favore në raportet me BE-në.

“Takimi i dytë, Kurti Vuçiq, për të cilin vazhdon zhurmimi paushall dhe hiç real i opozitës. Të 6 (gjashtë) pikat e shtruara për dialog, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishin lënë dore dhe përkufizonin çështje konkrete, për bisedime serioze, në favor të zgjidhjes të problemeve, të mbetura pezull, përtej dy dekadave radhazi. "Ballafaqimi me të kaluarën",- ishte në krye të listës të shtruar për dialog, në takimin e dytë Kurti-Vuçiq. Por, duke pasur "mizën pas veshit", si pjesë e krimit serb në Kosovë, në cilësinë e propaganduesit gebelsian të luftës vrastare të Millosheviçit, kërcen "si zorra në prush", duke reaguar, refuzueshëm, dhe duke e konsideruar si çështje, tashmë, të tejkaluar, edhe pse asnjëherë nuk është shtruar nga dialoguesit e qeverive të kaluara”, thotë Zeqiraj.

Ai përmend edhe rastin kur Borrell në tryezën e bisedimeve kishte aprovuar ‘ballafaqimin me të kaluarën’.

Mirëpo, sipas Zeqiraj, ballafaqimi është kërkesë normale e Kurtit, ndërsa Borelli e relativizoi, duke thënë se më shumë të orientohemi nga e ardhmja se sa të kthehemi tek e kaluara.

“Vlen të theksohet se edhe përfaqësuesi i BE-së, Borell, vënien në tryezën e bisedimeve të çështjes të "ballafaqimit me të kaluarën", e aprovoi. Sepse, që këtej, duhet të pasojë kërkim-falja për krimet, deri në gjenocid, të soldateskës serbe, ndaj shqiptarëve të pambrojtur dhe të pafajshëm, përgjatë luftës, më saktë, masakrave të vitit 1989-99! Megjithatë, këtë aprovesë fillestare, se ballafaqimi është kërkesë normale e Kurtit, më vonë Borelli e relativizoi, duke këshilluar që "më shumë të orientohemi nga e ardhmja, se sa të kthehemi tek e kaluara!" Si gjithëherë, përfaqësuesit e BE-së, sa herë xekërrohet Vuçiqi, "si lopa në vapën verore nga mizat", e miklojnë butësisht, për ta qetësuar! Mbizotëron opinioni se kryeministri Kurti ka evoluar e ndryshuar, në kahje pozitive. Nuk është më ai refuzuesi i gjithçkaje. Dhe, kjo ngjallë shpresën e një qeverisjeje të përgjegjshme dhe krejt ndryshe nga paraardhësit e tij, të cilët punuan pak dhe vodhën shumë. Shkurt, vranë shpresën e këtij populli dhe sidomos të rinisë së Kosovës, duke braktisur, madje, në masë Atdheun e tyre – Kosovë”, vlerëson Zeqiraj.

Ndërkaq, sa i përket kritikave të opozitës në Kosovës, Zeqiraj thotë se ato janë për keqardhje.

“Një opozitë e çakorduar, me elementë kriminalë, që kanë përgjakur Kosovën, thjeshtë, për të ardhur në pushtet dhe për ta mbajtur, dhunshëm, pushtetin kriminal e korruptiv, me hajni zyrtare industriale. Kjo opozitë e çoroditur, ende shpreson në gabimet e Albinit, mospërfilljen e faktorit ndërkombëtar dhe vet rrëzimin apo rrëzimin e Qeverisë Kurti. Është gënjeshtër e kulluar se Qeveria Kurti-1, u vetrrëzua! E vërteta, madje absolute, është se prishjen e koalicionit LDK-LVV; rrëzimin e Qeverisë Kurti-1; dhe krijimin e Qeverisë Hoti, i realizoi Hashim Thaçi, me patericën e tij, LDK-në, përkatësisht, klanin e Isa Mustafës. Këtë e konfirmojnë edhe SHBA dhe BE-ja”, vlerëson Zeqiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, akuzat zhurmuese të opozitës janë ‘lehje në hënë’. Në takimin e parë, ata akuzuan Kurtin pse nuk e kërkoi njohjen e Kosovës nga Serbia, ndërsa në takimin e dytë, pse nuk kërkove kthimin e personave të zhdukur.

“Akuzat zhurmuese të opozitës, të larguar, turpshëm, nga pushteti, me votën vullnetare të popullit, janë "lehje në hënë". Çdo kritikë e tyre, është autogol, bumerang, për të parë realitetin tashmë të ndodhur, më 14 shkurt 2021. Për takimin e parë Kurti-Vuçiq, opozita akuzoi kryeministrin e Kosovës, "pse nuk kërkoi njohjen nga Serbia?!" Ndërkohë që, fjalia e parë e Kurtit në takim ishte: "Zoti Vuçiq: Kur do ta njohësh Kosovën?" Dhe, përgjigja ishte një "kurrë" e përsëritur. Për takimin e dytë, Kurti-Vuçiq, opozita kritikoi kryeministrin, "pse nuk kërkove kthimin e personave të zhdukur?!" Ndërkohë që, nga 6 (gjashtë) pikat e parashtruara, e para ishte kërkesa "Ballafaqimi me të kaluarën", ku renditën krimet serbe të luftës në Kosovë, përfshirë edhe -të pagjeturit”, vlerëson Zeqiraj.

Mehazi: Kërkesat e kryeministrit Kurti ia kanë mbyllur gojën Vuҫiҫit

Image
Analisti Sulejman Mehazi

Ndërkaq, analisti tjetër, Sulejman Mehazi, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se sjelljet e Albin Kurtit e kanë detyruar Presidentin serb, Aleksandër Vuҫiq të humbasë balancimin politik që dikur e kishte ndaj Hashim Thaҫit.

“Veprimet politike të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në Bruksel kanë detyruar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin të humbë balancimin politik që e kishte ndaj Hashim Thaçit për shkëmbime territoresh, kryeministri i Kosovës Kurti në dy takimet në Bruksel aq e rriti çmimin e pazarit politik të Kosovës sa që Vuçiqin e vuri në dilemë ose të pranonte në mënyrë paqësore Republikën e Kosovës, ose ai, shteti dhe populli i Serbisë të shpallet gjenocidial. Ose të përgjigjet për tre gjenocidet ndaj shqiptarëve që nga 1878 e deri më 1999 e të kërkojë falje ose s'ka dialog sipas dëshirës së Vuçiqit për asociacionet serbe”, vlerëson Mehazi.

Mehazi thotë se kërkesat e kryeministrit Kurti ia kanë mbyllur gojën Vuҫiҫit, sa që Serbisë i ka mbetur vetëm të njoh Kosovën.

“Kërkesat historike terroriste e vrastare dyshekullore serbe të Albin Kurtit ia kanë mbyllur gojën Vuçiqit sa që nuk i lejohet kurrgjë të kërkojë më shumë përveç që ta njoh Kosovën ashtu si është me serbët brenda Kosoves, po pa farë asociacionesh. Kërkesat e mëdha politike e ofanzive të Albin Kurtit në Bruksel e detyruan Serbinë që të njeh pasaportat e Kosovës, pranimi i pasaportave nga Serbia a s'është fitore e madhe politike e qeverisë së Kurtit”, tha Mehazi.

Sa i përket kritikave të opozitës, Mehazi thotë se fitorja politike e Kurtit po i pengon opozitës, të cilët dikur përkuleshin para Vuҫiҫit.

fitore politike e Albin Kurtit ju pengon edhe partive opozitare të Kosovës, të cilët sa ishin në pushtet përkuleshin para Vuçiqit aq sa presidenti i Serbisë dhe pak do ua merrte një pjesë të Kosovës. Partitë opozitare dhjetë vjet radhazi dialogonin me Serbinë e asgjë nuk bënë për Kosovën, kurse Albin Kurti vetëm gjatë dy takimeve në Bruksel detyroi Vuçiqin që të njoh pasaportat e Kosovës”, ka deklaruar Sulejman Mehazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat