Rreziku për Kosovën nga Asociacioni dhe “pendimi” i Isa Mustafës

Politika

Rreziku për Kosovën nga Asociacioni dhe “pendimi” i Isa Mustafës

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 28 gusht 2021 Në ora: 08:29
Isa Mustafa

Ai në vitin 2015 kishte nënshkruar në Bruksel një ndër marrëveshjet më të dëmshme për vendin.

Por, tani ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ndryshuar qëndrimin sa i përket Asociacionit të komunave serbe.

Ai për mediat vendore ka deklaruar se është mirë që të mos bëhet.

Ndërkaq, analistet e kanë komentuar për “Bota sot” këtë ndryshim qëndrimi të Mustafës sa i përket çështjes së Asociacionit.

Vata: Koha që Kosovë-Serbi të kenë një konceptim të ri të marrëveshjes

Analisti politik, Ilir Vata në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel.

“Marrëveshja e nënshkruar në Bruksel  nga e ngarkuara e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, kishte në thelb katër marrëveshjet, ajo për Telekomunikacionin, Marrëveshjen për Energjinë, për lirimin për qarkullim të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë si dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Ilir Vata

Gjithashtu, ai ka komentuar edhe deklaratën e Mustafës që e kishte dhënë në atë kohë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Ish-kryeministri Mustafa në atë kohë e konsideroi marrëveshjet se kanë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Madje ka shtuar se Asociacioni "do të mundësojë që të ndihmohen komunat me shumicë serbe, por nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Kështu që funksionimi i shtetit të Kosovës do të jetë normal dhe i suksesshëm", ka thënë ai.

Po ashtu, Vata e komentuar edhe deklaratën të cilën e ka bërë tani Mustafa, duke treguar se çfarë ka lënë të nënkuptohet.

“Sot Mustafa e konsideron në kundërshtim me kushtetutën. Pra, kemi dy qëndrimi, një kur ishte kryeministër dhe një tjetër kur është në pozita dëshpëruese politike. Dyfytyrësia e Mustafës ka në thelb që ta përdor çështjen e Kosovë-Serbi për qëllime politike, madje po e çon marrëveshjet e deri tanishme drejt shpërbërjes duke lënë të kuptohet se duhet një marrëveshje e re mes Kosovës dhe Serbisë”, ka vlerësuar ai.

Sipas Vatës, Mustafa në dyzimin e tij, po kërkon jo të shkel mbi vete, por të përdor këtë situatë politikisht dhe të lë shteg për një situatë të re politike.

“Pra lëvizja e Mustafës nga marrëveshja, tregon se ajo marrëveshje ka pasur kundërshtinë edhe nga pala serbe pasi ka qenë një marrëveshje sipërfaqësore e nënshkruar në Bruksel, dhe fakti se ky proces ka ngecur tregon se marrëveshja është inekzistente, edhe për faktin se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkon që të ketë një marrëveshje të re mes Kosovës dhe Serbisë, pasi ka futur pika shtesë si njohja e krimeve të luftës, përveç kushti kryesor të njohjes së Kosovës. Pra, Mustafa në dyzimin e tij, kërkon jo të shkel mbi vete, por të përdor këtë situatë politikisht, dhe të lë shteg për një situatë të re politike”, ka deklaruar Vata.

Më tej, ka shtuar se deklarata e  Mustafës kundër marrëveshjes së Brukseli kërkon një qartësim të ri të klasës politike.

“Reagimi i Mustafës kundër marrëveshjes së Brukseli kërkon një qartësim të ri të klasës politike të Kosovës për të ia vënë në dijeni BE-së dhe SHBA-së. Pra politika e Kosovës ka ngelur në vend, një situatë e paralajmëruar pa ardhjes në krye të qeverisë të Albin Kurtit, për sa i përket ecjes përpara të marrëveshjes Kosovë-Serbi”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Vata ka theksuar se reagimi i Mustafës është një sinjal i qartë, që tregon se marrëveshja e Brukselit ka qenë formale.

“Asnjë politikan qoftë në Kosovë, në opozitë apo pushtet, qoftë në Shqipëri nuk duhet të pranojë asnjë hap para të marrëveshjes nëse cenohet integriteti territorial i Kosovës dhe reagimi i Mustafës është një sinjal i qartë, që tregon se marrëveshja e Brukselit ka qenë formale. Ajo që duhet thënë me të madhe është se Kosova nuk është në gjendje politikisht as të vazhdojë marrëveshjen e vjetër dhe as të hedh idenë e një marrëveshje të re, Kurti po luan vetëm e në fushë të huaj”, është shprehur Vata për “Bota sot”.

Maxharraj: Nuk do te këtë Asociacion një etnik në Kosovë

Profesori Binak Maxharraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka komentuar marrëveshjen të cilën e pati nënshkruar Mustafa.

“Njëra nga këto Marrëveshje të dëmshme, paçavër, është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë e cila në asnjë rrethanë nuk do të duhej të lejohet që të ndodhë por që ka ndodhë sepse këtë e mundësuan dy figura me kontroverse Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa që aksidentalisht ndodhën  në krye te shtetit.  Këta ta dytë në vitin 2016 me një marrëveshje nate, me një puç nate e injoruan VLAN-in kur Isa Mustafa e tradhtoi për të lidhë marrëveshje me Thaçin në stilin primitive, ti mua- unë ty, ku u morën vesh që ai të jetë President, kurse Mustafa Kryeministër dhe ashtu ndodhi”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Binak Maxharraj

Po ashtu, ai ka përmendur edhe një marrëveshje tjetër të cilën e kanë nënshkruar në dëm të Kosovës.

“Por, viti 2015 ishte fatal për Kosovën sepse në këtë vit këta dy mjeranë të politikës sollën dy marrëveshje shumë të dëmshme më pasoja katastrofale për shtetin. Marrëveshja e parë kishte të bëjë me demarkimin e kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi e cila u nënshkrua nga Hashim Thaçi(ku ishte i pranishëm edhe Isa Mustafa dhe Skendër Hyseni) dhe ministri i jashtëm malazias Rashko Knezheviq në Vjenë më 26 gusht 2015 që ishte një marrëveshje ku kufiri historik u falsifikua duke ia falë pa asnjë detyrim Malit te Zi mbi 8200 hektar tokë(ne emër gjoja të liberalizimit te vizave) të cilët vijën e demarkimit e zbriten për 6 kilometra në brendi të Kosovës, me ç’rast humbi Çakorri ku ishte historikisht vija kufitare. Ishte kjo një tradhti kombëtare e Hashim Thaçit që do ta mbajë mend historia dhe mbas do te përgjigjet për këtë akt tradhtie ku u cenua sovraniteti dhe integriteti i vendit”, ka vlerësuar ai.

Çka parasheh Marrëveshja e Asociacionit pro-serbe e cila është si rezultat i Thaçit-Mustafës dhe Vuçiq?!.

Sipas Maxharrajt, marrëveshja e Asociacionit ishte tërësisht e rrezikshme për shtetësinë e Kosovës.

“Hashim Thaçi me 2013 e me pas me 2015 Isa Mustafa në Bruksel në pranin e Federika Mogherinit dhe të Vuçiqit e nënshkroi marrëveshjen e Asociacionit një etnik. Ishte kjo një marrëveshje e dhembshme, tërësisht e rrezikshme për shtetësinë e Kosovës. Më këtë marrëveshje të Asociacionit një etnik serb parashihej një lloj autonomie substanciale e serbeve të Kosovës ku përpos kompetencave në rrafshin ekonomik, arsimor, shëndetësor parashihej edhe një sistem juridik me kompetenca të plota juridike, sidomos në rrafshin e nxjerrjes së ligjeve të cilat nuk e parashihen me Kushtetutë dhe e atakojnë direkt Kushtetutën e Kosovës. Sipas kësaj i bije se në Veri te Kosovës po formohej edhe një “republika serpska” brenda Kosovës”, ka shpjeguar ai.

Gjithashtu, ai ka përmendur edhe deklarata të cilat i kishe bërë ish kryeministri Mustafa.

“Më këtë marrëveshje për Asociacionin një etnik si Thaçi po ashtu edhe Mustafa lavdëroheshin se kanë bërë punë te mire dhe se kjo Marrëveshje është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Por, për presidenten e atëhershme Atifete Jahjaga dhe Albin Kurtin me këtë Asociacion nuk ishte diçka në rregull dhe iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për sqarim. Gjykata Kushtetuese e Kosovës nxori verdiktin se kjo Marrëveshje në 23 nene ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ja deri ku shkon dija dhe mençuria e Isa Mustafës që i thotë vetës edhe akademik”, ka cekur ai.

Më tej, e ka rikujtuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo do të thotë se sipas Verdiktit të Gjykatës Kushtetuese ky  Asociacion një etnik do ta rrezikojë Rendin Kushtetues, do të cenohet sovraniteti i vendit, do të rrezikohet tërësia territoriale e Kosovës, kurse në aspektin institucional dhe Kushtetues defunksionalizohën institucionet e Kosovës. Kjo do të thotë se brenda Kosovës po instalohet një kancer i pashërueshëm për Kosovën që është hapi i parë për ndarjen e Kosovës”, ka rikujtuar ai.

Ai ka ritheksuar se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të pranohet fare edhe përkundër presioneve të ndërkombëtareve.

“Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca autonome ekzekutive siç parashihet në marrëveshjen e nënshkruar nga Mustafa dhe Vuçiq nuk guxon assesi të ndodhë dhe se nuk duhet të pranohet fare edhe përkundër presioneve të ndërkombëtareve dhe pro-serbit Miroslav Lajçak i cili thotë haptas se nëse ka nevojë Kosova lidhur me këtë duhet edhe ta ndryshoi Kushtetutën, ose siç deklaron se nëse “nuk ka marrëveshje nuk ka normalizim te raporteve midis Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk do te këtë marrëveshje Kosovë-Serbi pa Asociacion”. Këtë Kosova kurrë nuk duhet ta pranon, sepse tek e fundit Lajçak edhe nuk ka të drejtë te kërcënohet sepse ai është vetëm një njeri i thjeshtë ndërmjetësues dhe jo palë në dialog”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tek, ai parashtron pyetjen se a është penduar Mustafa për nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe.

“Dhe se fundit shtrohet çështja se a është penduar ish-kryeministri Isa Mustafa kur në vitin 2015  e nënshkroi Asociacionin një etnik më kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe që ishte jashtë ligjshëm, sepse Gjykata Kushtetuese ia gjeti 23 nene antikushtetuese i cili po konsiderohet si kopil të cilin ia la qeverisë Kurti të merret me të, dhe kur të gjithë, por edhe ndërkombëtare po thirrën në atë se duhet të zbatohet sepse vetë Kosova e ka nënshkruar”, ka thënë ai.

Maxharraj shprehet i bindur se Mustafa nuk është penduar, pasi që ka qenë i vetëdijshëm se çfarë ka nënshkruar.

“Thellësisht besoj se ish-kryeministri Mustafa nuk është penduar pse e ka nënshkruar Asociacionin një etnik me kompetenca ekzekutive, sepse këtë nuk e lejon niveli i tij prej akademiku. Kjo i bije se atëherë akademiku Mustafa nuk paska qenë në dije se çka ka nënshkruar, dhe se nënshkrimin në një dokument kaq të rëndësishëm më të cilën rrënohet qenia e Kosovës, ia paskan ofrua si një analfabeti për nënshkrimin që nuk dinë shkrim  e lexim. Jam thellësisht i bindur se nuk është penduar dhe se deklarata e tij tani se Asociacioni nuk duhet të formohet është një kamuflazh i tij por pse kanë hyrë në agjendat serbo-ruse është çështje e tyre, sepse si Mustafa ashtu edhe Thaçi kanë qenë fortë të vetëdijshëm se çka po nënshkruajnë. Këtë e kanë bërë në dëm të Kosovës dhe për interesa të tyre personale për të mbrojt korrupsionin dhe hajnin qe ia bënë shtetit për shumë vite më radhë”, ka përfunduar Binak Maxharraj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat