Arben Vitia për kryetar të Prishtinës/Analistët komentojnë dorëheqjen e tij nga posti i ministrit

Politika

Arben Vitia për kryetar të Prishtinës/Analistët komentojnë dorëheqjen e tij nga posti i ministrit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 3 tetor 2021 Në ora: 21:42
Arben Vitia

Ditë më parë, Arben Vitia zyrtarisht ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë.

Ai këtë vendim e bëri publike në një konferencë për media, përcjell “Bota sot”.

Vitia para gazetarëve ka folur edhe për situatën dhe menaxhimin me pandeminë COVID-19 dhe punën e bërë gjatë qeverisjes së tij në këtë dikaster.

Detyra e ministrit të shëndetësisë është në vetvete një detyrë me privilegj dhe përgjegjësi të lartë. Mua mu dha besimi nga kryeministri Kurti dhe pata privilegjin që t’i shërbejë me gjithë fuqinë që disponojë popullit që i përkas në një kohë të vështirë, të dhimbshme dhe me sakrifica. U jam mirënjohës për jetë për besimin e dhënë dhe mbështetjen e dhënë. Kjo përvojë na ka transformua të gjithëve pa përjashtim. Por mbi të gjitha në aspektin njerëzor kjo ka qenë pasuria më e madhe që e kam përfituar si qenie njerëzore, mjek, si politikan, si qytetarë i atdheut tonë të përbashkët”, tha ai.

Ndër të tjera ai tregoi që përmbylli angazhimin e tij gjithmonë duke iu falënderuar kryeministrit Kurti për besimin e dhënë.

Unë sot po e përmbyll angazhimin tim në këtë detyrë me të cilën më pati ngarkuar kryeministri Kurti për të cilin do të jem mirënjohës”, tregoi Vitia.

Ministria e Shëndetësisë, sipas Vitisë, tani do të udhëhiqet nga zëvendësministrja Dafina Gexha.

Tutje, ai tha se do të jetë kandidat i LVV-së për kryetar të Prishtinës, dhe se tashmë ka ekipin e tij.

Kujtojmë që zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, ndërkaq deri tani Vitia nuk është përfshirë në fushatë zgjedhore.

Ahmeti: Dorëheqja e Vitisë erdhi në kohën e duhur

Në lidhje me këtë temë, analisti politik Hidajet Ahmeti për gazetën “Bota sot”, tha se dorëheqja e Vitisë erdhi në kohën e duhur dhe është mjaftë e arsyeshme.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai rikujtoi se Vitia ka thënë që nuk do të bëjë fushatë deri ta lëshojë postin e ministrit.

Mendoj se dorëheqja është e arsyeshme, pasi numri vdekjeve dhe të infektuarve nga pandemia ka rënë. Z. Vitia disa herë e ka potencuar se nuk do të bëjë fushatë për kryetar të Prishtinës derisa të jem në pozitën e ministrit, edhe ashtu”, u shpreh ai.

Më tej, Ahmeti thotë se kjo dorëheqje nuk ardhur nga keqmenxhimi i Vitisë me ministrinë, por për postin e kryetarit të Prishtinës për të shpalosur programin e tij.

Vetëm duhet me kuptuar se dorëheqja ka ardhur jo nga menaxhimi i dobët në këtë ministri, por i njëjti duhet të shpalosë programin për Prishtinën dhe ofertën e tij për qytetarët e kësaj komune. Qytetarët janë atë të cilët do ta vlerësojnë z.Vitinë, pasi po i njëjti ka qenë në pozita menaxheriale dhe e njohin mirë punën, angazhimin dhe profesionalizmin e tij”, potencoi Ahmeti për “Bota sot”.

Zeqa: Këto janë arsyet që është vonuar dorëheqja e Vitisë

Ndërsa, analisti tjetër, Florim Zeqa në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se kjo dorëheqje është e vonuar, pasi është dashur të vjen menjëherë kur ka paraqitur kandidaturën e tij.

Image
Florim Zeqa

Sipas tij, Vitia nuk është dashur të kandidojë derisa ka qenë ministër i shëndetësisë në këtë kohë pandemie.

Në momentin kur u paraqit dorëheqja e ministrit të shëndetësisë, për t’iu drejtuar postit të kryetarit të Prishtinës, në mendje më erdhi romani i Dritëro Agollit, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”! E thash pikërisht kështu për arsyen e thjeshtë, se kjo dorëheqje është e vonuar, ajo është dashur të ndodhë shumë kohë më herët, apo më saktësisht në momentin e kandidimit të tij për kryetar të Prishtinës nga radhët e LVV-së. Shkëlqimi i zotit Arben Vitia nga qeverisja “Kurti 1”, filloi të bie gradualisht nga momenti i kandidimit për kryetar të Prishtinës. Në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim, një ekspert shëndetësorë siç është z. Arben Vitia nuk është dashur të bie pre e kalkulimeve partiake, por është dashur që qëndroj dhe ta mbulojë me ndershmëri postin e ministrit të shëndetësisë në këto rrethana të vështira pandemike”, thotë analisti.

Duke vazhduar, ai thotë se KQZ është një nga përgjegjësit që ka lejuar të ndodhë kjo situatë e tillë, pastaj pesha i bie edhe kryeministrit Kurti i cili lejoi të bëhet një shkelje e tillë paradoksale.

Rënia e z. Arben Vitia (shokut Zylo) ka filluar në momentin kandidimit, por më 1 tetor 2021 u vulos kjo rënie e padinjitetshme e tij. Përderisa secilit kandidat për asamble komunale, dy muaj ditë paraprakisht zgjedhjeve me ligj i ndalen të ardhurat personale, ministrit të shëndetësisë i lejohet një privilegj i tillë deri dy javë para procesit zgjedhor! Përgjegjës për këtë situatë, në radhë të parë është KQZ-ja që e ka lejuar një situatë të tillë paradoksale, përderisa përgjegjësia politike bie mbi kryeministrin Kurti që e përligji një shkelje të tillë ligjore, përgjegjësia morale bie mbi z. Arben Vitia që me vetëdije i shkeli me të dyja këmbët ligjin dhe rregullat e përcaktuara çartë nga KQZ-ja”, tha Zeqa.

Në fund, ai cek edhe një paradoks tjetër, e që është mos emërimi i një ministri të shëndetësisë tjetër por lejon të ushtroj detyrën zëvendësministren Dafina Gexha.

Paradoksi tjetër akoma më i madh qëndron në faktin se, pas dorëheqjes së z. Vitia, kryeministri Kurti nuk emëron ministër të ri në postin vakant, po e lë për ushtruese të detyrës zëvendësministren Dafina Gexha, për t’i ruajtur Arben Vitisë postin e ministrit në rast të humbjes së garës për Prishtinën! Kjo formë e paprecedent e monopolizimit të pushtetit, përveçse konflikt të pastër interesi, paraqet rrezik për të ardhmen e proceseve demokratike në vendin tonë”, përfundoi Zeqa për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat