Vizitoi Thaçin, Veselin e Selimin, Behgjet Pacollit i vjen ‘goditja’ e fortë: Ja pse qëndroi në Hagë

Politika

Vizitoi Thaçin, Veselin e Selimin, Behgjet Pacollit i vjen ‘goditja’ e fortë: Ja pse qëndroi në Hagë

Nga: P.R Më: 7 tetor 2021 Në ora: 18:56
Behgjet Pacolli

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka njoftuar se ka vizituar në Hagë Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

“Këtu në Hagë ai, më të tjerët është duke luftuar kundër akuzave të pabaza dhe të motivuara politikisht nga qarqet që nuk e duan vendin tonë të lirë dhe të pavarur. Kosova të merr Kroacinë si shembull se si i mbron luftëtarët e saj dhe të mos e kthejë urrejtjen politike ndaj individëve në urrejtje ndaj së kaluarës sonë, sepse kjo është ajo që dëshiron Beogradi, për të rishkruar historinë. Dhe historinë e kanë shkruar edhe ata që sot janë në Hagë dhe shumë të tjerë në Kosovë, por me logjikën e sotme pavetëdijshëm po bëheni aleat i Beogradit në luftën kundër UÇK -së. Është momenti i fundit që Shteti i Kosovës të merr përgjegjësi dhe ne të bashkuar të mbrojmë historinë tonë, luftëtarët tanë të lirisë dhe të ardhmen e këtij vendi. Në Hagë nuk janë individët të akuzuar, por Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe misioni i saj për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, ka shkruar ndër tjerash Behgjet Pacolli.

E këtë veprim të Pacollit po e kritikon ashpër Saim Tahiraj, veprimtar i LDK-së dhe ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

Image
Saim Tahiraj

“Kjo vizitë nuk është befasuese sepse bëhet nga një person jo stabil dhe i papërcaktuar politikisht. Lëvizjet e tij politike kanë qenë në bazë të interesave të tij në biznes, edhe angazhimi në politik ka qenë pikërisht i lidhur ngushtë me mbrojtjen e biznesit e tij. Kjo vizitë e Pacollit është e lidhur ngushtë me ndonjë interes të tij. E them këtë për faktin se jemi mësuar t’i shihnim lëvizjet e tij vetëm për një interes të caktuar, pra nuk lëvizë pa ndonjë interes”, thotë Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, rrugëtimi i Pacollit dhe ngritja e tij në biznes ka fshehtësitë dhe dyshimet që jo rrallë janë reflektuar në opinion si të tilla.

“Gjithashtu edhe angazhimi dhe rrugëtimi i Pacollit në politik është i tillë, pra janë të lidhura në një simbiozë. Po mos të ishte angazhuar në politik edhe në biznes nuk kishte pasur asnjë mundësi të depërtonte dhe të ketë sukses në Kosovë. Pikërisht kjo lidhje në politik dhe në biznes e bënë shumë të afërt me të akuzuarit në Gjykatën Speciale në Hagë. Kjo vizitë mundë të konsiderohet edhe si ndonjë arsye frike se mos diku po i rrezikohet interesi i biznesit të tij. Gjykata Speciale me seli në Hagë është themeluar dhe votuar nga parlamenti i Kosovës, andaj të thuash se kjo gjykatë është e motivuar politikisht, është tendencioze dhe e pandërgjegjshëm”, shprehet Tahiraj.

Ai e quan skandaloze thirrjen e Pacollit që shteti t’i mbrojë ata që po akuzohen edhe për vrasjen e anëtarëve të LDK-së.

“Kjo deklaratë e Pacollit është fyerje për familjarët e të vrarëve politik! Athua a ka shkuar ndonjëherë Pacolli në familjet e; Fetah Rudit, Xhemajl Mustafës, Komandant Drinit, Ahmet Krasniqit, Tahir Zemaj, Jusuf Haklaj, Sabahate Tolaj, Smajl Hajdaraj, Ismet Rracit, Shaban Manaj e shumë e shumë familjeve tjera që ju vranë më të dashurit e tyre? Mendoj se këtij dinozauri në biznes dhe politik nuk i intereson fare kjo e as që i ka interesuar ndonjëherë! Oreksi i madh për para dhe angazhimi në politikë, për ti mbrojtur dhe shumëfishuar ato ia kanë verbuar sytë”, deklaron SaimTahiraj.

“Ai nuk sheh asgjë tjetër vetëm atë rrugë të errtë andaj bënë deklarata të tilla të papërgjegjshme. Gjykata Speciale nuk po e gjykon luftën e pastër dhe të shenjtë të UÇK-së, përkundrazi po gjykon individ të caktuar për të dalë në pah e vërteta dhe armiqtë tanë mos të kenë asnjë mundësi ta njollosin UÇK-në me veprimet kriminale të individëve të papërgjegjshëm!”, shton më tej Tahiraj.

Për fund, ai thotë se duhet të lejohet që Gjykata Speciale ta bëjë punën e saj, dhe njëherë e mirë drejtësia të vihen në vend.

“Ta lëmë të qetë në punën e sajë Gjykatën Speciale, mos të paragjykojmë verdiktin final të sajë me deklarata të dëmshme dhe tendencioze. Kushdo që do të dënohet për veprime kriminale dhe kushdo që do lirohet si pafajshëm, do jetë një fitore e madhe për Kosovën sepse drejtësia do vihet në vend dhe përfundimisht do lirohemi nga paragjykimet dhe cilësimet e gabuara. Njëherë e përgjithmonë do të dekontaminohet ambienti politik dhe askush nuk mundë ta shfrytëzoj më për konsum politik tragjedinë e fëmijëve që humbën më të dashurit e tyre!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, Saim Tahiraj, veprimtar i LDK-së dhe ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat