I ka premtuar Biden-it/ Serbia dorëzohet për njohjen e Kosovës, ky është rreziku për Albin Kurtin

Politika

I ka premtuar Biden-it/ Serbia dorëzohet për njohjen e Kosovës, ky është rreziku për Albin Kurtin

Nga: P.R Më: 7 tetor 2021 Në ora: 20:29
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Me marrëveshjen e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë për targat e veturave, ndër tjerash parashihet që më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

E sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, vendosja e reciprocitetit ishte një akt i nevojshëm për të vendosur barazinë dhe ekuilibrin e të dy shteteve në bisedimet dhe dialogun midis tyre.

“Situata e krijuar në veri të Kosovës, përkatësisht në pikat kufitare të Jarinjës dhe bërnjakut, gjatë gjysmës së dytë të shtatorit erdhi për shkak të vendosjes së reciprocitetit të vendosur nga ana e qeverisë Kurti për targat e automjeteve. Kosova filloi të aplikojë të njëjtin veprim si edhe Serbia, duke i pajisur automjetet që hynin nga Serbia me targa të përkohshme RKS, ndërsa Beogradi reagoi dhunshëm dhe me agresivitet të pazakontë për këtë veprim të palës kosovare. Vendosja e reciprocitetit ishte një akt i nevojshëm për të vendosur barazinë dhe ekuilibrin e të dy shteteve në bisedimet dhe dialogun midis tyre. Por kjo u shndërrua në një farë mënyre në një dramë, në një konflikt të ashpër”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Andaj kjo edhe qoi në organizimin e takimit urgjent në Bruksel për zgjidhjen e kësaj çështje.

Image
Enver Bytyçi

“Nga ky takim, ku morën pjesë zoti Lajçak, zoti Borrell dhe zoti Gabriel Escobar nga SHBA u ra dakord për një zgjidhje të përkohshme. Përfaqësuesi amerikan e tha troç. Kosova ka të drejtë të vendosë reciprocitet me Serbinë. Këta të Brukselit sillen akoma sit ë ishin nëpunës të administratës së Aleksandër Vuçiq. U sollën ndryshe. Nuk e pohuan të drejtën e Kosovës për reciprocitet”, shprehet Bytyçi.

Por çfarë do të ndodhë deri më 21 prill, dita kur i ashtuquajturi Grup Pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë?

“Nga kjo marrëveshje e përkohshme del nevoja që të nisin bisedimet për zgjidhjen e përhershme të çështjes së përdorimit të targave nga të dy vendet. Bisedimet fillojnë me 21 tetor dhe duhet të përfundojnë mesa shihet me 21 prill 2022. Është llogaritur që vendimi të merret pas zgjedhjeve në Serbi, të cilat do të mbahen në fillim-pranverën e ardhshme. Kjo ka një domethënie. Me siguri pala serbe nuk ka pranuar zgjidhje të përhershme para zgjedhjeve, me qëllim që të partia e Vuçiq dhe vetë presidenti i Serbisë të mos dëmtohen në këto zgjedhje”, deklaron profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai shton se Bashkimi Evropian po i bën avantazhe presidentit serb, Alëksandër Vuçiq.

“Mua më shqetëson fakti që Bashkimi Evropian akoma i krijon avantazhe në zgjedhje një autokrati dhe lideri destabilizues i rajonit, si Aleksandër Vuçiq. Ky është një shqetësim serioz, sepse udhëheqësit serbë çdo lëshim të Beogradit e marrin si demonstrim force përballë popujve të tjerë jo serbë në Ballkan. Pra ata e keqpërdorin këtë avantazh, për të cilin mirëkuptohen teknokratët dhe burokratët e Brukselit”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, zgjidhja që do të jepet pas zgjedhjeve të fillim-prillit 2022 të Serbisë, do të jetë qarkullimi me targa të rregullta midis dy vendeve.

“Kjo zgjidhje, e cila nuk do të demonstrohet e publikohet para atyre zgjedhjeve e vendos Kosovën në pozita shtetërore të barabarta me Serbinë. Pikërisht për këtë arsye në Beograd janë kujdesur që bisedimet të zgjasin gjashtë muaj. E ka pranuar këtë edhe pala e Kosovës. Sigurisht që këtë lëshim do ta bënte çdo palë në bisedime të tilla. Është kompromis jo substancial, por që i jep në fakt pushtet dhe autoritet të pamerituar presidentit Vuçiq!”, shton Bytyçi.

Por a është ky një parashikim i saktë?

“Logjikisht po. Faktikisht duhet të presim. Por presioni ndaj Serbisë është rritur. Ambasadori i ri i SHBA-ve për Kosovën deklaroi në senat se dialogu duhet të përqendrohet te njohja e ndërsjelltë. Ka lajme, sipas të cilave presidenti serb i ka premtuar presidentit amerikan, Biden, se gjatë vitit 2022 do të njohë shtetin e Kosovës. Shumë analistë, madje serbë, pranojnë se Rusia po e përdor Kosovën për interesat e veta dhe jo për të ndihmuar të tashmen e të ardhmen e Serbisë”.

“Të gjitha këto janë shenja të qarta se vitin e ardhshëm, pas zgjedhjeve në Serbi, gjërat do të lëvizin ndryshe. Nëse jo, atëherë Vuçiq e di se vendi i tij “vihet në karantinë”, d.m.th izolohet. Dhe është e ditur tashmë se ekonomia dhe mirëqenia e serbëve varet nga burimet financiare evropiane e jo nga ato ruse. Vetëm mjetet ushtarake vijnë nga Rusia. Por se çfarë do të ndodhë deri atëherë, është vështirë të përcaktohet saktësisht. Urojmë që këto sinjale, bashkë me sinjalet e njohjeve të reja të Kosovës nga ana e pesë vendeve anëtare të BE-së, të realizohen sa më shpejt në praktikë”, shprehet Bytyçi.

Për fund, Bytyçi paralajmëron qeverinë Kurti, se Asociacioni i Komunave serbe në Kosovë, nëse do të formohet do të ishte një precedent i rrezikshëm.

“Por unë besoj se qeveria e Kosovës duhet t’i mbajë parasysh këto zhvillime edhe në bisedimet gjashtëmujore për gjetjen e një zgjidhjeje për targat, ashtu edhe në dialogun me Serbinë. Kjo do të thotë se Kurti duhet të evitojë patjetër diskutimin në dialog të çështjes së Asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Megjithatë në vend të kësaj duhet të japë një alternativë tjetër, e provuar në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare për minoritetet. Asociacioni nuk është praktikë ndërkombëtare, nëse formohet do të ishte një precedent i rrezikshëm, e përsëris, një precedent i rrezikshëm jo vetëm për Kosovën!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat