Bashkimi kombëtar/ Metamorfoza e papritur e Ramës u erdhi si një befasi e pikur nga qielli rusëve dhe serbëve

Politika

Bashkimi kombëtar/ Metamorfoza e papritur e Ramës u erdhi si një befasi e pikur nga qielli rusëve dhe serbëve

Nga: A.Z Më: 12 tetor 2021 Në ora: 18:11
Edi Rama

Deklarata e bërë nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është në ëndrrat e tij, ka shkaktuar reagime në Beograd e Moskë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova ka thënë se Moska e konsideron të papranueshme deklaratën e Ramës dhe pret një reagim siç e ka quajtur “të përshtatshëm nga Perëndimi”.

“Ne e konsiderojmë deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës absolutisht të papranueshme. Promovimi i planeve për krijimin e një Shqipërie të Madhe është në kundërshtim të madh me dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe minon stabilitetin në rajon,” tha Zakharova.

Sipas saj, “kjo deklaratë nuk futet në kontekstin e përpjekjeve të përbashkëta nga Beogradi dhe Tirana për të krijuar një treg të vetëm, të cilin ata po e ndërmarrin si pjesë e nismës rajonale “Ballkani i Hapur” së bashku me Shkupin”.

“Ne presim një reagim të përshtatshëm nga mentorët perëndimorë të projektit të shtetndërtimit të Kosovës ndaj këtij provokimi të pacipë”, tha Zakharova.

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë është e drejtë e pamohuar e kombit tonë, gjë që për të cilën edhe kanë luftuar për këtë.

Qarri theksoi se elementet Ruse dhe serbe i kishin shpallur luftë Kurtit, vetëm sepse mbështeste marrëveshjen e Berlinit, dhe kundërshtonte “Mini-Shengenit”, madje Rama njësimin e Kosovës dhe të Shqipërisë e quante folklorizëm.

“Në fakt bashkimi i shqiptarëve dhe Kosovës e Shqipërisë, nuk është më vetëm ëndërr brezash por edhe e drejtë e pamohuar e kombit tonë, për të cilën kanë luftuar dhe janë përpjekur e flijuar bijtë më të mirë të këtyre trojeve për gjenerata të tëra dhe shekuj me radhë. Por elementët ruse e serbosllave, të mësuar me mospjesëmarrjen e Kosovës në "samitet" e Ramës me Vuçiqin dhe luftën që Rama, për ta mbrojtur Vuçiqin dhe Serbinë, i kishte shpallur Kosovës e veçanërisht kryeministrit Kurti, vetëm pse z. Albin Kurti mbështet marrëveshjen e Berlinit dhe kundërshton fuqimisht ngrehinën serbomadhe të kamufluar me emra të ashtuquajtur; her "Mini-Shengen" e herë "Open-Ballkan", metamorfoza e papritur e Ramës, i cili njësimin e Kosovës dhe të Shqipërisë si dhe bashkimin kombëtar e quante folklorizëm dhe ide arkaike, u erdhi si një befasi e pikur nga qielli rusëve dhe serbëve. Ndaj ky ishte edhe fakti se pse bënë ata, sikur reaguan kaq “papërmbajtshëm”, kundër një të drejte plotësisht natyrore”, tha ai.

Më tej, Qarri ka theksuar se kjo shqiptarëve iu takon, madje nuk mund të mohohet as nga Rusia dhe as nga Serbia. Sipas, tij, Rama këtë deklaratë më tepër e ka përsëritur një ëndërr mbarëkombëtare, sesa një ndjenjë të tij.

“Edhe shqiptarëve u takon dhe nuk mund tu mohohet për gjithmonë, as nga Rusia e Serbia pansllaviste, të cilat jetojnë vetëm për të gllabëruar territore të huaja, e pushtuar dhe shtypur popujt e tjerë fatkeq, që kanë rastisur të jenë në kufi, me këto shtete agresore dhe hegjemoniste. Kështu që, megjithëse kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, deklaron se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është në ëndrrat e tij, ai më tepër ka përsëritur një ëndërr të kamotshme mbarëkombëtare të shqiptarëve, që ndër shekuj e mote, mëtojnë ta arrijnë, sesa një ndjenjë-vërtetë vetëm e Edi Ramës personalisht, e shprehur ndoshta vetëm në rastësi dhe kontest të intervistës”, shtoi Qarri.

Ai theksoi se Rama, në mandatet e tij si kryeministër i Shqipërisë, për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë nuk ka ndërmarrë asgjë, madje edhe në shkolla nuk u lejohet përdorimi i gjuhës amtare shqipe.

“E them këtë, sidomos për faktin se Edi Rama në dy mandatet e kaluara si kryeministër i shtetit amë, pothuajse nuk ka ndërmarrë asgjë për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, veçanërisht atyre në Kosovën Lindore, të cilët përveç ndalimit të Flamurit Kombëtar, nuk u lejohet as përdorimi i ABETAREVE, për shkollimin e fëmijëve të tyre në gjuhën amtare shqipe, nëpër shkollat fillore, që nga Medvegja e deri në Bujanoc e Preshevë dhe fshatrat e vendbanimet përreth ku jetojnë shqiptarët e mbetur nën pushtimin serb, gjë që nuk ndodhë në këtë shekull, në asnjë vend të rajonit, përveç me shqiptarët e mbetur nën Serbi”, tha ai.

Sipas Qarrit, ajo që ka bërë të reagojnë edhe nga Beogradi dhe Moska, është për faktin se kjo është një mëtim mbarëkombëtar, i popullit të ndarë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor.

Madje, ai thekson se Rama duhet të përgëzohet për deklaratë të tillë.

“Për aq më tepër, duke e ditur mirë Rusia dhe Serbia, se Bashkimi i Shqiptarëve, nuk është ëndërr vetëm e një individi, qoftë ai edhe Edi Rama, por një mëtim mbarëkombëtar, i një populli të tërë, të ndarë padrejtësisht, tash e mbi një shekull në pesë-gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, ku pjesën më të madhe të territoreve dhe popullsisë shqiptare, e sundojnë shtetet sllavo-ortodokse, kjo është ajo që në fakt, ka shkaktuar reagime në Beograd e Moskë dhe jo vetëm një deklaratë e thjeshtë televizive e Edi Ramës, e cila megjithëse mund të ketë dalë nga goja e tij, në kornizat e kontestit intervistues, megjithatë duhet të përgëzohet për një prononcim të tillë të munguar prej tij, edhe pse të dhënë shumë vonë dhe për herë të parë, në mënyrë publike nga Rama”, shtoi Qarri.

Tutje analisti Qarri, ka theksuar se Moska dhe Beogradi janë mësuar vetëm për të pushtuar popuj, andaj edhe Zakharova shprehet se deklarata e Ramës është e papranueshme për Moskën, madje duke pritur edhe reagim nga Perëndimi.

“Ndërsa Moska dhe Beogradi të mësuar vetëm të pushtojnë popuj dhe vende të huaja, duke ua shkurtuar tokat, liritë dhe të drejtat e tyre të natyrshme territoriale, njerëzore e kombëtare, siç vepron vet shteti ekspansionist rus, që nga Çeçenia, Gjeorgjia dhe Ukraina, prej të cilës vetëm para pak vitesh ka aneksuar edhe ishullin e Krimesë dhe nxit luftimet në pjesët tjera për territore, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova shprehet se Moska e konsideruaka të papranueshme, një deklaratë të thjeshtë televizive të Edi Ramës, por jo edhe agresionet ekspansioniste e territoriale të Rusisë ndaj shteteve fqinje, madje pritka edhe një reagim siç e ka quajtur ajo, “të përshtatshëm nga Perëndimi” për deklaratën e Ramës, sikur mos ta dinte Perëndimi se si vepron Rusia me popujt dhe vendet fqinje, tash e qysh kur kanë rastisur këto shtete në kufi me Rusinë hegjemoniste”, ka potencuar ai.

Ai ka shtuar më tej, se derisa Rusia okupon territore fqinje, ndërsa Serbia bënë përpjekje për shkatërrimin e shtetit të Bosnjës madje edhe pretendimet ndaj Kosovës, deklarata e Ramës duhet të futen në projektin e përpjekjeve aktuale, pra nëse duan një treg të përbashkët.

“Kështu që përderisa Rusia okupon territore të vendeve fqinje dhe Serbia shpallë publikisht ide serbomëdha, si e ashtuquajtura "botë-serbe" dhe çdo ditë përpiqet për shkatërrimin e shtetit të Bosnjës për aneksimin e të ashtuquajturës "Republika serbe", si dhe pretendimet e hapura të Vuçiqit ndaj Malit të Zi dhe territoreve më vitale të Republikës së Kosovës, me gjithë "habinë" e madhe, tërësisht artificiale ruse, deklarata e Ramës, ani pse e shprehur me kaq vonesë dhe për herë të parë publikisht, medoemos duhet të futet jo vetëm në kontekstin, por në vet projektin e përpjekjeve aktuale, nëse vërtetë Serbia me bashkëmendimtarët e saj, përfshi edhe z. Rama, njëmendë duan një treg të përbashkët, jo vetëm me Serbinë, Shqipërinë e FYROM-in, por krijimin e një “Ballkani vërtetë të Hapur” me pjesëmarrjen e të gjitha shteteve në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, që ende nuk janë pjesë e BE-së, përfshi Republikën e Kosovës dhe Shqipërinë, në një shtet të unifikuar shqiptar, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën për krijimin e barazisë për të gjithë dhe krijimin e paqes afatgjate në rajon”, ka përfunduar Qarri.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat