Si të ndalet dhuna psikike, fizike, seksuale ndaj gruas, studentes.../ Juristët flasin për Projektligjin, ja çfarë paralajmërojnë!

Politika

Si të ndalet dhuna psikike, fizike, seksuale ndaj gruas, studentes.../ Juristët flasin për Projektligjin, ja çfarë paralajmërojnë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 tetor 2022 Në ora: 11:45
Albulena Haxhiu

Dhuna ndaj grave mbetet problem serioz dhe i vazhdueshëm në Kosovë. Sipas zyrtarëve që merren me mbrojtjen e grave, 90 për qind e viktimave të dhunës në familje janë femrat.

Nga raportet policore të përditshme atëherë mund të shohim që në shumicën e tyre, viktimë e dhunës janë gratë.

Ku gjatë ditëve të fundit Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur që do të ketë ashpërsim të masave për krimet seksuale dhe dhunën në familje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se këto ndryshime janë të nevojshme dhe urgjente, për shkak të rritjes së rasteve të dhunës në familje dhe sulmeve seksuale.

Haxhiu tha se Këshilli Gjyqësor do të ketë regjistër me informacionet e personave që shpallen fajtorë për veprat e tilla penale dhe ky regjistër do të jetë publik. Njëkohësisht, ajo tha se gjykatat do të obligohen që të publikojnë aktgjykimet për këto raste.

“Po ashtu është paraparë që kur kemi të bëjmë me veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje, kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen. Është paraparë edhe një vepër e re, sipas së cilës, do të ndëshkohet kushdo që me qëllim të frikësimit ose detyrimit për të vepruar kundër vullnetit të tyre, me dashje ushtron dhunë psikike, fizike, seksuale, ekonomike në formë të drejtpërdrejtë apo indirekte ndaj grave që ushtrojnë funksione publike apo kandidateve për ushtrimin e funksioneve publike”, tha Haxhiu.

Ajo tha se për veprën e re penale është paraparë ndëshkim nga 6 muaj deri në 3 vjet, dhe nëse ajo kryhet në formë të organizuar, do të cilësohet si rrethanë rënduese.

Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur. Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, është përgjegjësi institucionale, është çështje e sigurisë dhe mirëqenies publike e sociale. Është i domosdoshëm angazhimi maksimal, veçanërisht i institucioneve, por edhe i çdonjërit nga ne, prindërve, familjes, mësimdhënësve, zyrtarëve të rendit dhe mbrojtjes së ligjit, të të gjithë qytetarëve”, tha Haxhiu gjatë konferencës për media, pas mbledhjes së Qeverisë.

Mirëpo çfarë thonë juristët për këto masa?

Kelmendi: Dhuna ndaj gruas-femrës kërkohet të ndalet dhe dënohet me ligj

Juristi Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që ky projektligj pritet të kaloj në diskutime nëpër komisionet kompetente dhe në fund në seancë parlamentare të diskutohet e të aprovohet.

Image
Muhamet Kelmendi

Gjithashtu ai shton që vetëm me përfshirjen e gjithmbarshme të masave penale me sanksione realizohet pikësynimi i ligjit.

Dhuna ndaj gruas, përkatësisht gjinisë femërore, është një problem mjaft i theksuar në Kosovë. Aktualisht po diskutohet projektligji i ri kundër dhunës ndaj gruas-femrës. Ky Projektligj pritet të kaloj në diskutime nëpër komisionet kompetente dhe në fund në seancë parlamentare të diskutohet e të aprovohet. Në Projektligj kërkohet të përfshihet dhuna në familje, ngacmimet dhe dhuna në rrugë, në punë, në studime e kudo ku ajo çështje paraqitet. Vetëm me përfshirjen e gjithmbarshme të masave penale me sanksione realizohet pikësynimi i ligjit”, theksoi juristi.

Ndër të tjera, juristi thotë që pa angazhimin e tërë shoqërisë dhe të emancipimit të gjinisë mashkullore, kurrë nuk krijohet barazia e grave në punë.

Natyrisht se Projektligji i ri kërkohet të përfshijë këtë çështje. Mirëpo, pa angazhimin e tërë shoqërisë dhe të emancipimit të gjinisë mashkullore, kurrë nuk krijohet barazia e grave në punë. Të drejtat e dhunuara kërkohet të ndalohen dhe grave t’iu mundësohet angazhim i barabartë dhe punësim i njëjtë, me të drejta dhe detyra të njëjta, midis burrit dhe gruas. Mbetet që tërë shoqëria të angazhohet për këto të drejta dhe të ndikojë që ato mos të dhunohen askund dhe nga askush. Veç kësaj, përgatitje, masë kryesore është sanksionimi me norma ligjore i masave ndëshkuese kundër shkelësve. Me këto përfshirje të masave dhe të mjeteve besohet se realizohet barazia gjinore në shoqëri”, përfundoi juristi Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Kosova ka ligje të mjaftueshme, s’ka nevojë për ligje shtesë

Në lidhje me këtë temë juristi, Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Kosova ka shumë ligje dhe nuk ka nevojë për shtesë.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, mjafton të zbatohen ato që janë në fuqi.

Kosova ka ligje të mjaftueshme, s’ka nevojë për ligje shtesë, janë të mjaftueshme, mjafton të zbatohen normat penale që janë pjesë e kodit. Pra, këto ligje më tepër janë politike dhe me qenë shumë të kujdesshëm në kohezion në mes ligjeve dhe kodit penal. Pra, politika nuk ka nevojë të merret me ligjet shtesë, sepse ligje ka, ka kod penal e tjera”, u shpreh ai.

Më tej, ai thekson që për të bërë ligje të tilla po sikur edhe ligje për byro hetuese e ngjashëm duhet konsultuar ngushtë me BE-në.

Për të gjitha veprat penale mjafton të zbatohet kodi penal. Ne duhet të jemi të kujdesshëm mos të bëjmë diçka që askush nuk bën, rregullativa evropiane është e njëjtë. Për të bërë ligje të tilla, po sikur edhe ligje për byro hetuese e ngjashëm duhet konsultuar ngushtë me BE-në”, nënvizoi juristi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat