Projektligji për paga, kërcënojnë me protesta përsëri veteranët / Shoqata e dëshmorëve nuk don pastrimin e listave

Politika

Projektligji për paga, kërcënojnë me protesta përsëri veteranët / Shoqata e dëshmorëve nuk don pastrimin e listave

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 tetor 2022 Në ora: 12:02
Protestë e veteranëve, foto arkiv

Projektligji për pagën minimale ende nuk ka dalë për lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, mirëpo sapo të jetë në shqyrtim në Kuvend ky Projektligj, veteranët paralajmërojnë protestë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin paralajmëruar protestë në rast të mos ndryshimit të këtij Projektligji, nëse nuk përfshihet rritja e pensionit për veteranët.

Duke folur rreth zhvillimeve më të reja të tyre dhe sa efektive i konsiderojnë protestat në rast të mos ndryshimit të projektligjit në fjalë, veteranët shprehen se Qeveria bënë shkelje ligjore kur përjashton veteranët.

Buxheti i vendit është duke humbur miliona euro brenda vitit, nga përfitimi i pensioneve nga mijëra veteranë të rrejshëm.

A po pastrohen listat e veteranëve?

Në ndërkohë, Qeveria duket se ka mbetur tek pozicioni i saj, i pastrimit të listave nga veteranët e rrejshëm.

Ushtruesi i detyrës së OVL- UÇK-së, Faton Klinaku, është shprehur se ata do të jenë para Kuvendit duke protestuar kur Projektligj del në lexim të dytë.

Image
Faton Klinaku

Ndërsa, sa i përket pyetjes se si po shkojnë procedurat e pastrimit të listave, ai ka thënë se i përket institucioneve të drejtësisë.

Kemi paralajmëruar dhe qëndrojmë prapa vendimit se në momentin që ai projektligj del në lexim të dytë, ne jemi në protestë para Kuvendit. Procesi i "pastrimit" të listave është çështje e institucioneve të drejtësisë”, ka deklaruar Klinaku për “Bota sot”.

Kurse, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve thotë se Qeveria duhet ta respektojë ligjin që ishte aprovuar nga Parlamenti i Kosovës dhe kësisoj benifiti i veteranëve ngritet me pagën minimale.

Image
Xhavit Jashari

Ai ka deklaruar se veteranët janë kategori e ngritur dhe Qeveria duhet ta respektojë dhe nëse tentohet të përjashtohen ata, reagimet nuk do të mungojnë.

Thonë se nuk i frikësohen verifikimit të listave, por nuk duan pastrimin e tyre

Duke folur rreth efektit të protestave, Jashari është shprehur se më e vogla që mund të bëjnë është ajo, sepse përmes Projektligjit për pagën minimale po shkelet mbi gjakun e dëshmorëve, mbi gjymtyrët e invalidëve, mbi luftën e rëndësishme të UÇK-së.

“Është çështje që Qeveria duhet ta respektojë ligjin që është aprovuar në Parlamentin e Kosovës dhe benefiti është kalkuluar me ngritjen e pagës minimale, nëse ngritët paga minimale me automatizëm ngritet edhe benificioni i veteranit të luftë së UÇK-së. Ne e kemi kundërshtuar kur përjashtohet veterani, sepse tendencat e kësaj Qeverie janë që të ngritet paga minimale, por ta përjashtojnë kategorinë e veteranëve dhe për këtë mendoj se është shkelje ligjore. Por, ne i kemi bërë thirrje edhe deputetëve që të mos votojnë diçka të tillë, sepse veteranët janë një kategori e ngritur dhe Qeveria e të gjithë duhet ta respektojnë këtë kategori të veçantë të luftës së UÇK-së, dhe nëse tentohet prapë që të përjashtohen veteranët, reagimet tona nuk do të mungojnë”.

“Këtë e dinë edhe Qeveria, e dinë edhe Parlamenti dhe të gjitha institucionet e Kosovës, të cilat janë krijuar pas luftës së UÇK-së, sepse lufta e ka sjellë lirinë, dhe të gjithë ata që e gëzojnë lirinë janë vlerë e kësaj pasurie dhe lufta e UÇK-së është vlerë e secilit individ që jeton në Kosovë të lirë, andaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe askush të mos dalë mbi të. Format tona të reagimeve nuk do të mungojnë, më e vogla është protesta, sepse po shkelet mbi gjakun e dëshmorëve, mbi gjymtyrët e invalidëve, mbi luftën e rëndësishme të UÇK-së”, pohon Jashari.

Duke folur rreth pastrimit të listave, Jashari ka shtuar se ato janë të pastra dhe nuk kanë çka të pastrohen.

Sipas tij, askush nuk i frikësohet rishikimit, rivlerësimit, riverifikimit.

“Nuk kanë çka të pastrohen listat, ato janë të pastra. Është një Komision, i vetmi komision, i vetmi institucion që sado dhe kurdo, sepse askush nuk i frikësohet këtij rishikimi, rivlerësimi, riverifikimi, por prapë i vetmi institucion që bënë verifikimin e pjesëtarëve, ushtarëve, veteranëve, familjeve të dëshmorëve, të invalidëve, janë komandantë të zonave në zinxhirin komandues, nëse në ndonjë rast ka shkelje, apo mosnjohje është organi tjetër, janë gjykata dhe drejtësia në Kosovë që duhet të merren me këtë çështje”, ka përfunduar Jashari për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat