Deputeti i Vetëvendosjes: Borell nuk e tregoi të vërtetën se ҫfarë po ndodhë në veri

Politika

Deputeti i Vetëvendosjes: Borell nuk e tregoi të vërtetën se ҫfarë po ndodhë në veri

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 11 dhjetor 2022 Në ora: 22:02
Pamje nga veriu

Situata në veri të vendit po vazhdon të jetë e tensionuar derisa Serbia nuk ka bërë ende një kthim prapa vendimit të tyre me barrikada.

Megjithatë edhe Policia e Kosovës po bën punën e saj, duke mos lejuar të eskalojë më tepër situata.

Mirëpo, a mund të ndryshojë kjo gjendje dhe cilat janë veprimet që po bën Qeveria e Kosovës për të parandaluar veprimet terroriste serbe, flet për ‘Bota sot’, deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli.

Ai thotë se Serbia në vazhdimësi është duke punuar për ngritjen e tensioneve duke mbështetur dhe dirigjuar strukturat paralele të shndërruara në banda kriminale, me qëllim të vetëm, destabilizimin e veriut por jo vetëm.

Image
Enver Dugolli

“Veprimet e ligjshme të shtetit të Kosovës nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve të asnjë etnie. Përkundrazi, ato janë dhe do vazhdojnë të jenë në mbrojtje të tyre dhe gjithmonë e kurdoherë kundër bandave kriminale të mbështetura nga Serbia. Inkurajimi i Policisë së Kosovës për zbatimin e ligjit dhe dënimi i ashpër kundër bandave kriminale duhet të jenë kryetituj të çdolloj reagimi qëllimmirë. Deklarimet e zbutura, deklarimet e vonuara apo për më keq mos deklarimet, inkurajojnë grupet dhe bandat kriminale”, vlerëson Dugolli.

Ai tha me tutje se edhe deklarimet e BE-së, lidhur me gjendjen aktuale në veri nuk po e tregojnë të vërtetën. Madje edhe nga Tirana pati shumë vonesë me reagime ndaj kësaj gjendjeje.

“Mjerisht, edhe reagimet e BE-së që dolën nga z.Borel, nuk e tregojnë se çka vërtetë po ngjet atje. Është mirë që është dënuar sulmi ndaj EULEX-it, mirëpo para se të sulmonin EULEX-in, këto banda sulmuan Policinë e Kosovës, personat zyrtar punonjës civilë, qytetarë e madje edhe gazetarët të cilët po kryenin punën e tyre të raportimit. Edhe reagimi nga Tirana zyrtare disi ndodhi me shumë vonesë dhe nuk ishte gjithashtu në vijën e asaj që do duhej. Nuk do duhej të lartësohet ish ngrehina e Jugosllavisë si "planet i lirisë", por do duhej urgjent të dënoheshin veprimet provokuese të Serbisë kundër shtetit të Kosovës, para se të bëhet vonë sepse spiralja e dhunës nga Serbia mund të përhapet shumë shpejt”, thekson ai.

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit për për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, poashtu thotë se kurrë nuk duhet harruar që ishte pikërisht kjo Serbi e cila shkaktoi tri luftëra të përgjakshme gjenocidale kundër popujve në Ballkan.

“Për më keq, mosdistancimi nga e kaluara dhe mos kërkim falja por vazhdimi i mendësisë hegjemoniste serbe ndaj Kosovës (natyrisht me mbështetje Ruse),  na dëshmon se Serbia po përgatitet që të vazhdojë aty ku e la kasapi i Ballkanit, pra aty ku e la Millosheviçi.  Ne jemi të interesuar që të mbretërojë paqja dhe stabiliteti, por jo në dëm të zbatimit të ligjit dhe lirisë së garantuar për të gjithë qytetarët. Kompromis me bandat dhe krimin nuk do ketë, prandaj i thërrasim qytetarët e asaj pjese të mos bien pre e presionit dhe shantazheve nga ato grupe që nuk e duan paqen, por të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, sepse kjo është mënyra e vetme e cila siguron të ardhme më të mirë për të gjithë pa dallim feje, gjinie apo etnie”, thotë Dugolli për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat