Paralajmërohet arritja e një marrëveshjeje të hënën në Bruksel!

Politika

Paralajmërohet arritja e një marrëveshjeje të hënën në Bruksel!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 12:13
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Dita e hënë po afrohet.

Në këtë ditë, do të takohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Dita duket të jetë e gjatë dhe e vështirë për të dy palet.

Vuçiqi ka paralajmëruar se do të jetë ditë e vështirë për të pranuar propozimin evropian, planin franko-gjerman, kurse Kurti do të përballet me kërkesën për krijimin e Asociacionit.

Siç njoftohet në faqen zyrtare të Zyrës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin. Këto takime do të fillojnë në orën 15:00.

Se çfarë do të ndodh në këtë ditë, flet njohësi i proceseve politike dhe juristi Blerim Burjani.

Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, në parim plani franko gjerman mund të pranohet, që sipas tij, pranohet për diskutim dhe shqyrtim.

“Tash ky proces nuk ka qenë transperent dhe mund të jetë punuar fshehtar nga palët dhe ndërmjetësuesi, pasi nuk dihen shumë detaje, përveç atyre gjerave që janë bë publike e që nuk pasqyrojnë punën përfundimtare”, thotë Burjani.

Jursiti shton se, në këtë drejtim nuk është punuar jashtë publikut dhe mediave.

“Ka të ngjarë që shumë shpejt mund të arrihet marrëveshje, por kjo nuk duket shumë e besueshme pa njohje reciproke nuk ka gjë, pra edhe marrëveshja në fund do të rezultojë e brishtë dhe marrëveshje fiktive e pazbatueshme”, shton ai.

Sipas tij, është mirë që ka vullnet të madh ndërkombëtarë në këtë drejtim.

“Por puna nuk guxon të mbetet në gjyshmë dhe të dështojë më vonë kjo marrëveshje. Më 27 shkurt marrëveshje mund të pranohet në parim, por duhet të ketë diskutim dhe shqyrtime për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Shpresat për zgjedhje finale janë të vogla, dhe marrëveshja duhet të ketë brenda njohjen e kufijve të të dya shteteve”, thotë juristi.

Burjani thotë se nëse arrihet marrëveshja ka rëndësi të madhe, pasi tensionet bien dukshëm.

“Deri më tash ka pas tensione artificiale të nxitura nga Serbia. Përdersia Serbia kontrollon plotësisht serbët e Kosovës nuk do të ketë lëvizje pozitive në mes dy vendeve. Serbia përmes kësaj marrëveshje duhet të heq dorë nga kontrolli ndaj qytetarëve serbë të Kosovës”, thotë ai.

Ai tutje shprehet se kryeministri Kurti e ka pranuar marrëveshjen në parim.

“Ndryshimet e Kurtit politikisht lehtë mund të ndryshojnë, kurse stabilitet politik të sjelljes edhe nuk ka. Ai ka kushtet që ka vendosur, por dialog me kusht nuk duhet të ketë”, përfundon ai.

Takimi i Kurtit dhe Vuçiqit, më 27 shkurt në Bruksel, do të jetë i pari këtë vit.

Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim këtë propozim.

Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por nga një version që ka parë REL-i, del se ai nuk parasheh njohjen reciproke mes dy vendeve, por zotimin e të dyja palëve se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Propozimi, po ashtu, kërkon që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë arritur deri më tash në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. SHBA-ja e ka mbështetur këtë dokument.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat