Marrëveshja e Brukselit, hidhen dyshime për dy pika të planit franko-gjerman – kërkohet që Serbia të obligohet për këtë gjë!

Politika

Marrëveshja e Brukselit, hidhen dyshime për dy pika të planit franko-gjerman – kërkohet që Serbia të obligohet për këtë gjë!

Nga: A.M. Më: 28 shkurt 2023 Në ora: 14:22
Rundi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë i mbajtur në Bruksel më 27 shkurt 2023.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, u pajtuan të hënën për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, që do të kërkojë me shumë bisedime.

Kurti, para mediave, deklaroi se ndonëse pati dakordim, marrëveshja nuk u nënshkrua pasi Vuçiq, nuk ishte i gatshëm.

“Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme. Unë kam shprehur gatishmërinë dhe interesimin për ta nënshkruar këtë tekst”, deklaroi Kurti para mediave.

E për këtë marrëveshje të arritur, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.

Fillimisht, ai komentoi nenet e planit franko-gjerman, ku tregoi se cilat janë të mira për Kosovën, dhe përmendi dy nene që do të krijojnë mosmarrëveshje në të ardhmen.

“Në dokumentin evropian, si dokument pajtues mes palëve, megjithëse neni 1 fillon mbarë, dhe nenet 3,4,5,8,910,11 përfundojnë kënaqshëm sikur i jepet fund çdo mosmarrëveshje, në fakt nenet 2 dhe 7 krijojnë mosmarrëveshje brenda marrëveshjes për të ardhmen”, deklaroi Halimi.

Sipas tii, në këtë marrëveshje do duhej të përfshiheshin edhe kërkimfalja për krimet e luftës dhe dëmshpërblimi për pasojat e shkaktuara.

Image
Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.

“Përveç këtyre, ky 'bashkëpunim' nuk po krijohet mes dy shteteve në marrëdhënie normale, por që janë në konflikt prej shekuj, rendi e donte që marrëveshja tē obligonte palën agresive, pra serbe për kërkim falje për krimet e luftës dhe dëmshpërblimin e pasojave të shkaktuara.”, shpjegoi ai.

Krahas kësaj, Halimi theksoi edhe disa pika që bien ndesh brenda këtij plani të BE-së.

“Pra, vlerësoj se brenda këtij dokumenti duket se ka kontraste, gjersa në njërën anë thuhet të respektohet sovraniteti i shteteve, në anën tjetër në nenet e caktuara, thuhet duhet respektuar e drejta për autonomi dhe veëvendosje, e po ashtu edhe organizime tjera që janë problematike sa herë që janë nisur si tema, si ajo e kishes ortodokse serbe”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, Halimi tregoi se si i rregullon raportet mes shteteve.

“Prandaj, duhet pasur parasysh se ky dokument edhe pse duket rregullon marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve në kuptim të mureve të një shtëpie, planin e brendshëm të artitekturës së dhomave e lë të hapur”.

Kjo është marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Palët kontraktuese;

Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës;

Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;

Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;

Të vetëdijshme se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi e tërësisë tokësore dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e qytetarëve, janë pajtuar që:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’i njohin dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe tërësisë tokësore të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në rrafshin ndërkombëtar apo të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa marrëveshja aktuale paraqet një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët pajtohen të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjeve, marrëdhënieve në drejtësi dhe të zbatim të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Hollësitë do të jenë pjesë e marrëveshjeve shtesë në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja.

Neni 7

Të dyja palët janë të përkushtuara për arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një paketë të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhjeve, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera thelbësore.

Neni 10

Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të arritura në bisedime, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat