Plani Evropian mes “ajrit dhe tokës”, këto janë procedurat e brendshme të Kosovës deri tek zbatimi i tij

Politika

Plani Evropian mes “ajrit dhe tokës”, këto janë procedurat e brendshme të Kosovës deri tek zbatimi i tij

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 1 mars 2023 Në ora: 10:06
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Të hënën që kaloi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiq për bisedime në Bruksel.

Mes shumë temash ishte edhe propozimi i planit evropian, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zyrtarisht tha se është i pranueshëm për Kosovën.

Sot në Bruksel ramë dakord të dy për Propozimin e BE-së të mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe SHBA pa ndryshime. Unë ofrova të nënshkruaja zyrtarisht, por Serbia nuk ishte gati. Së shpejti do të vijojnë negociatat për zbatimin”, ka shkruar Kurti.

Por, për këtë plan nga akterët politikë në Kosovë, ka pasur shumë kritika.

Ata kanë akuzuar Kurtin se ka pranuar me këtë rast edhe formimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive në komunat me shumicë serbe.

Kelmendi: Si e tillë dhe e pa nënshkruar nuk sillet në Kuvend

Juristi Muhamet Kelmendi ka shpjeguar procedurën për një marrëveshje qoftë bilaterale a multilaterale.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, marrëveshja njëherë duhet nënshkruar pastaj të sillet në Kuvend, duke thënë se pa nënshkrim, nuk është marrëveshje që prodhon efekte.

“Marrëveshja ndërkombëtare, qoftë bilaterale e multilaterale, pa nënshkrim nga kompetentet e shtetit, nuk është marrëveshje që prodhon efekte. Pra, si e tillë dhe e panënshkruar nuk sillet në Kuvend. Kërkohet nënshkrimi i saj nga të dy palët që të bëhet akt ndërkombëtar dhe të diskutohet në Kuvend. Vendimi i Kuvendit është i plotfuqishëm.

Natyrisht se me padi mund të dërgohet marrëveshja në Gjykatën Kushtetuese dhe tek atëherë, pasi të vendoset në gjykatë, bëhet akt ndërkombëtar i obligueshëm. Kjo është procedura për aktet ndërkombëtare. Tash është marrëveshja vetëm platformë politike e pa nënshkruar dhe ku ka karakter detyrues”, shpjegon jurisiti për “Bota sot”.

Burjani: Ky plan është në ajër

Juristi Blerim Burjani për “Bota sot” thotë se ky version i planit franko-gjerman, ende nuk është përfundimtar, duke shtuar se Vuçiq këtë plan në heshtje e ka hedhur poshtë, dhe se tani ky plan është në ajër.

Image
Blerim Burjani

“Jo, ky version ende nuk është përfundimtar, fatkeqësisht Serbia nuk e ka pranuar këtë plan, por Vuçiç kishte deklaruar se nuk është folur për pranimin, por për planin e zbatimit, Vuçiç në heshtje e ka hedhur poshtë këtë plan.

Borrell, çuditërisht ka thënë se palët e kanë konfirmuar, Kurti ishte i gatshëm të nënshkruaj. Ky dokument është në ajër, përderisa Serbia dëshiron të merret vetëm me marrëveshjen e asociacionit, nuk është kërkuar nga ndërmjetësuesit fare të nënshkruhet ky plan, pra është e kotë nga Kosova ta aprovojë këtë plan pa kërkesën që këtë ta bëj edhe Serbia”, thotë ai.

Ai tutje thotë se këtë plan, Serbia nuk do të pranojë, duke potencuar se Vuçiq do të fokusohet vetëm te formimi i Asociacionit.

Kurrgjë nuk do të ndodhë në Kosovë e as në Serbi, Vuçiç dhe Serbia nuk do të pranojë asnjë pikë të kësaj marrëveshje përveç për asociacionin, më duket e kotë është përpjekja ndërkombëtare për të kërkuar normalizim me Vuçiç. Pra pozicioni i relacioneve mbetet i njëjtë pa ecje përpara, Borrell vetëm marrëveshjen për vazhdimin e dialogut e ka quajtur progres.

Për momentin s’ka asgjë, palët kanë një afat deri 22 a 24 mars të atij progresi”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat