“Merre ose lëre”, ‘zbulohet’ rreziku që i kanosej Kosovës po të mos e pranonte Kurti planin franko-gjerman?

Politika

“Merre ose lëre”, ‘zbulohet’ rreziku që i kanosej Kosovës po të mos e pranonte Kurti planin franko-gjerman?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 1 mars 2023 Në ora: 23:15
Pamje nga Brukseli

E hëna ishte një ditë e bujshme në dialogun e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në takimin që është mbajtur në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të BE-së dhe mbështetjen e ShBA-ve, është diskutuar për planin franko-gjerman.

Ky plan i cili përmban 11 nene brenda tij është pranuar nga Kosova, por jo edhe nga Serbia.

Analisti politik, Gani Qarri thotë se, takimet e rënda dhe diskutimet e gjata e të mundimshme, e bënë mjaft të vështirë arritjen e qëllimit të ndërmjetësuesve, për pranimin e planit franko-gjerman, nga palët ndër-biseduese, i cili duket se me 27 shkurt u arrit, por sërish pa nënshkrimet e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Por sipas tij, kjo ndodhi pikërisht për fajin e Vuçiqit.

Kjo pasi ai është mësuar vet t’i zgjedh temat e dialogimit dhe vet të vendos për aprovimin e tyre, ku Kosova vetëm figuronte si “nën-palë”, tani kur i ka hasur sharra në gozhdë me Albin Kurtin, tha vetëm deklaratikisht se pajtohet me planin në fjalë, por nuk pranoi, që atë edhe ta nënshkruante, siç pritej, nga të gjithë, tash e sa ditë.

“Akt i cili më duket jo vetëm i habitshëm, por edhe i paprecedent, për të cilin çuditërisht heshti edhe madhëria e tij, emisari Gabriel Eskobar njeriu që reagonte fort dhe me zërin tepër të ngritur e shumë kritik, enkas kundër kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, vetëm pse ai nuk kishte, arsye as mundësi, t`ia plotësonte të gjithë arealin e tekeve të Aleksandër Vuçiqit. Ndaj me këtë rast, pa dashur ta implikojë askënd, medoemos lind pyetja e pa tejkalueshme se çfarë vërtetë është në pyetje, që Eskobar hesht kaq thellë, për mosnënshkrimin e marrëveshjes nga ana e Vuçiqit?”, thotë ai.

Ai pyet se a është promovimi impozant që Ministria e jashtme e Serbisë i bëri koleksionit të bashkëshortes së z. Eskobar, inati që, ai të mos e përul Vuçiqin para kryeministrit Kurti?

“Përndryshe po të mos ishte Vuçiqi, por z.Kurti shkaktari që ky plan të përfundonte me dakordim deklarativ, e pa nënshkrime, siç ndodhi nga Vuçiqi, kush e di se çfarë stuhish e rrebeshesh do të binin mbi kryeministrin e Kosovës, nga emisari i sertë Gabriel Eskobar, Josep Borell e Miroslav Lajçak si dhe opozita e dekompozuar, e cila ka nisë ta kontaminojë çdo arritje dhe mbarëvajtje të shtetit të Kosovës”, shton tutje Qarri.

“Kështu që megjithëse pajtimi për planin franko-gjerman, për Kosovën ishte nën kushtin merre-ose lëre, që nënkuptonte rrezik shumë të madh me izolim ndërkombëtar për shtetin tonë të brishtë, të futur nën obligime të pajustifikueshme dhe tepër të rrezikshme si “zajednica” nga opozita oportune, kryeministri Kurti ishte i detyruar të shprehej i gatshëm ta nënshkruante, ka qenë i përkëdheluri “fatlum” i Kristofer Hillit, Gabriel Eskobarit, Josep Borellit dhe Miroslav Lajçakut, Aleksandër Vuçiq, ai i cili, pa ua varur fare Eskobarit, Borellit dhe Lajçakut, e të mos flasim edhe për ambasadorin Hill, e refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes së paraparë për planin franko-gjerman”, thotë tutje ai.

Megjithatë, sipas tij, si përcjellës i zhvillimeve politike, besojë se edhe kështu si u nxor dakordimi, serish ishte një betejë e fituar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti në përballjen e ashpër me Aleksandër Vuçiqin, gjë që meriton përshëndetje frymëzuese nga ana e qytetarëve të gjithë vendit.

“Kjo për faktin se, në kundërshtim me praktikën e dikurshme, kur Kosova përfaqësohej nga Thaçi & Co, kësaj radhe edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtar u pajtuan me kërkesën e kryeministrit aktual të Kosovës, z. Albin Kurti, që "zajednica" përkundër insistimeve të Vuçiqit, të mos vendosej si parakusht për pranimin e marrëveshjes, akt i cili duket se e dëshpëroi deri në atë masë Vuçiqin, sa që ai u pajtua thjeshtë vetëm "sa për sy e faqe", me një deklaratë të thatë dakordimi, pa e vendosur edhe nënshkrimin e vet në marrëveshje për planin franko-gjerman”, thotë Qarri.

Madje megjithëse, ai shton se, dështimi i Vuçiqit për imponimin në mënyrë të detyrueshme, të Asociacionit një etnik serb, si parakusht eksplicit i marrëveshjes, nga eksperti politik për Ballkanin, Bodo Veber, përkthehet si mungesë e përparimit në bisedimet midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtura më 27 shkurt në Bruksel, në kundërshtim me mendimin e z. B. Veber, vet BE, e vlerësoi takimin të suksesshëm, që është edhe një notë pozitive për z.Kurti dhe e arritur për shtetin e Kosovës, kur dihet se përfaqësuesit e mëparshëm, shkonin me duar në xhepa në takime dhe ktheheshin me valixhe të mbushura, plot marrëveshje poshtëruese dhe të dëmshme për Kosovën.

“Në fakt siç shprehet kryeministri Kurti, asociacioni gjendet në pikën e 10, apo përfundimtare të marrëveshjes, që donë të thotë, se së pari duhet të plotësohen 9 pikat paraprake të planit franko-gjerman, për të arritur te asociacioni, kurse sipas deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka pasur qëndrime të qarta edhe nga të dërguarit e mëparshëm të BE-së dhe nga SHBA-ja se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”.

“Siç dihet asociacioni, nuk është as pjesë inkluzive e planit franko-gjerman, kurse në nenin 6-t të planit franko-gjerman, ceket se për zgjidhjen e çështjeve të mbetura të pazgjidhura, ato duhet të bisedohen që të arrihet te një marrëveshje përfundimtare, e cila mund të arrihet, vetëm me dakordimin e dyanshëm, për të qenë një zgjidhjeje e qëndrueshme dhe ligjërisht e obligueshme, për të dy palët, akt që nënkupton se Kosovës nuk mund ti imponohet, një asociacion me kompetenca ekzekutive, që rrezikon rendin kushtetues dhe shtetësinë e vendit tonë”, pohon ai.

Qarri pohon se, duke pasë brenda vetes, si bazë, formulimin e Marrëveshjes së dy Gjermanive, të vitit 1972, të cilat kanë njohur njëra tjetrën si shtete të pavarura, edhe pranimi i planit franko-gjerman, mund të konsiderohet si hap, përpara në avancimin e pranimit de facto të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së ndërsjellë, Kosovë-Serbi.

“Prandaj, përderisa elementet e shtetësisë së të dy vendeve, në takimin e fundit me dakordimin për planin franko-gjerman, janë pranuar edhe zyrtarisht nga të dy shtetet dialoguese, nga takimi i 27 shkurtit 2023, Serbia të paktën teorikisht, e sipas marrëveshjes edhe praktikisht, nuk guxon më, ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë nga mekanizmat me rëndësi dhe organizatat ndërkombëtare, dhe sado që është vetëm një deklarim me premtime të karakterit gojor, e jo garanci me marrëveshje të nënshkruar, edhe kështu si është, pa dyshim, që është një fitore e pamohueshme për avancimin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës tonë, e cila sipas dakordimit me planin franko-gjerman, nga tani, mund ta hapë përfaqësin e vet diplomatike midis Beogradit”, përfundon analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat