Lufta në Ukrainë, gazetarja ukrainase bën thirrje të dhimbshme: Bombardimet vazhdojnë, kjo është mizore

Politika

Lufta në Ukrainë, gazetarja ukrainase bën thirrje të dhimbshme: Bombardimet vazhdojnë, kjo është mizore

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 mars 2023 Në ora: 21:16
Ukrainë

Ukraina tashmë një vit është duke luftuar kundër forcave ruse që bombardojnë vazhdimisht.

Raportet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se janë mbi 20.000 viktima civile, mbi 16 milionë njerëz të zhvendosur, mbi 40 për qind e shtëpive të shkatërruara dhe mbi 50 për qind e infrastrukturës energjetike të Ukrainës e shkatërruar ose e dëmtuar.

Pavarësisht gjithave, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ndihmuar me armatim dhe logjistikë nga Perëndimi, ka shprehur shpesh optimizëm për trajektoren e luftës. Në një fjalim përpara Kongresit të Shteteve të Bashkuara, më 22 dhjetor, ai ka lënë të kuptohet se lufta do të përfundojë këtë vit. Viti 2023 do të jetë një “pikë kthese” - pika ku guximi ukrainas dhe vendosmëria amerikane do të garantojnë të ardhmen e lirisë sonë të përbashkët, ka thënë Zelensky.

Gazetarja ukrainase, Marina Loseva, duke folur për “Bota sot”, thotë se rusët shkruajnë se synojnë objekte ushtarake, por godasin civilët- shtëpi, shkolla, kopshte, spitale.

Sipas saj, ukrainasit vuajnë më së shumti për ujë dhe energji elektrike.

“Nuk ka vende të sigurta në Ukrainë - granatimet dhe bombardimet vazhdojnë vazhdimisht. Rusët shkruajnë se synojnë objekte ushtarake, por godasin civilët - shtëpi, shkolla, kopshte, spitale. Si ndodh kjo? Është shumë mizore kur familje të tëra, fëmijë dhe kafshë shtëpiake vdesin në rrënojat e shtëpive të tyre. Rusët po na djegin qytetet dhe fshatrat metër për metër. Ukrainasit vuajnë më së shumti tani nga mungesa e energjisë elektrike. Ndërprerjet janë bërë normë. Dhe pa dritë, nuk ka as ujë. Dimri në Ukrainë është më i ftohtë se në Kosovë. Tani ka borë kudo, lumenjtë dhe liqenet janë të ngrirë dhe të mbuluar me akull. Temperatura mesatare është 15-20 gradë ngrica. Bëhet fjalë për motin”, deklaron Loseva.

Image
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe gazetarja nga Ukraina, Marina Loseva

Lufta ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima te të dyja ushtritë. As Moska, as Kievi nuk kanë ofruar shifra të përditësuara, por shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, ka thënë në fund të vitit të kaluar se 100.000 ushtarë rusë dhe 100.000 ushtarë ukrainas mund të jenë vrarë ose plagosur.

Gazetarja ukrainase thotë se njerëzit po largohen masivisht.

Ajo ka treguar edhe vendet ku kanë nevojë për vëmendje dhe ndihmë.

“Njerëzit po largohen masivisht nga territoret e pushtuara të rajoneve Donbas, Kherson dhe Zaporizhzhia dhe bëhen persona të zhvendosur me forcë. Kjo kategori njerëzish ka nevojë për më shumë vëmendje dhe ndihmë. Këto janë produkte ushqimore dhe sende bazë shtëpiake, si dhe strehim dhe punësim. E kam fjalën për ata emigrantë të detyruar që u shpërngulën në rajone të tjera në mes të vendit, dhe ka edhe nga ata që u detyruan të ikin nga lufta jashtë vendit. Ukraina ka një vit që jeton nën ligjin ushtarak. Presidenti Volodymyr Zelenskyy zgjati gjendjen ushtarake edhe për tre muaj të tjerë”, pohon Loseva.

Kujtojmë, se presidenti rus Vladimir Putin, me vite, e ka mohuar shtetësinë e Ukrainës.

Në një ese të gjatë, të botuar në ueb-faqen e Kremlinit në korrik të vitit 2021, Putin ka shkruar se “rusët dhe ukrainasit kanë qenë një popull” - duke iu referuar kështu epokës së shekullit 9. Dhjetorin e kaluar, ai ka thënë se lufta mund të jetë një proces i gjatë, por më pas ka shtuar se qëllim i Rusisë “nuk është ta rrotullojë timonin e konfliktit ushtarak”, por ta ndalojë atë.

Ai vazhdimisht i ka bërë thirrje Perëndimit që të mos e armatosë Ukrainën, por kot. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili ka shënuar njëvjetorin e nisjes së pushtimit rus me një vizitë të befasishme në Kiev, ka thënë se Perëndimi do ta mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa ka nevojë”. Lufta pushtuese e Putinit po dështon, Ukraina po qëndron në këmbë, ka thënë presidenti amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat