Ky veprim i Vuçiqit gjatë takimit me Kurtin ngriti një pikëpyetje të madhe – vjen kërkesa urgjente për ShBA-në dhe BE-në!

Politika

Ky veprim i Vuçiqit gjatë takimit me Kurtin ngriti një pikëpyetje të madhe – vjen kërkesa urgjente për ShBA-në dhe BE-në!

Nga: A.M. Më: 3 mars 2023 Në ora: 21:55
Takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Bruksel, 27 shkurt 2023.

Në takimin e së hënës në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u pajtuan për Propozimin Evropian – “Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Por, palët nuk e nënshkruan këtë dokument.

Ishte, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që refuzoi ta nënshkruante, gjë e cila nxiti reagime të mëdha dhe u kritikuan ndërkombëtarët për tolerimet që po i bëjnë ndaj palës serbe.

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, Vuçiqin e cilësoi si një ‘president dhelprak’, pas refuzimi të nënshkrimit të planit franko-gjerman.

Ai vlerëson se formimi i Asociacionit po bëhet temë e patejkalueshme për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në fakt presidentin dhelparak dhe stërmashtrues serb Aleksandër Vuçiq, i mësuar si deri më tani, që të nënshkruaj marrëveshje të cilat nuk i zbaton dhe zgjedhë për jetësim, vetëm ato që i pëlqejnë atij dhe Serbisë hegjemoniste, marrëveshjen mbi propozimin evropian, të cilën ishte i detyruar ta zbatonte, nuk pranoi fare ta nënshkruante dhe zgjodhi të deklarohej vetëm formalisht (vetëm me fjalë), pa dhënë asnjë nënshkrimin, se kinse pajtohej me zbatimin e saj.

Kështu që asociacioni kundërkushtetues një etnik serb, përveçse po bëhet temë e vështirë apo edhe e patejkalueshme për arritjen e shpejt të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mosnënshkrimi i marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel, po ngritë sërish një pikëpyetje të madhe, se në situatën çfarë ndodhemi aktualisht, çfarë insinuatash të reja, ka në plan, Vuçiqi, monstrumi pasardhës i kasapit Millosheviq, t`ia kurdisë serish Kosovës, përmes bandave kriminale serbe në veri të dirigjuara nga Vuçiqi dhe Serbia hegjemoniste”, deklaroi analisti.

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Sipas Qarrit, pas refuzimit të këtij plani dhe futjen indirekte të Asociacionit në këtë propozim, Vuçiq ka një plan ogurzi reserve.

“Madje duke pasur parasysh faktin se planin evropian, e kanë pranuar edhe 27 vendet e BE-se, kjo presupozon apriori, se asociacioni mund të jetë futur, pa pëlqimin e Kosovës, brenda këtij plani, akti i cili nëse vërtetohet, Kosovës vërtetë, ia vështirëson edhe më shumë pozicionin në bisedime, sidomos kur të merret parasysh, se nga po ky plan, është hequr njohja reciproke, e cila ishte arsyeja kryesore e fillimit të këtyre bisedimeve.

Shto kësaj faktin se, përveç takimit, që përfundoi pa marrëveshje, kapja e armëve dhe municionit luftarak, të kalibrave të ndryshëm, të ekstremistëve serb, duke i futur nga Serbia në veri të Kosovës, flet qartë, se Vuçiq ka një plan ogurzi rezervë, dhe dëshiron t’i ngritë edhe njëherë bandat kriminale serbe të dirigjuara prej tij, që në krye me kriminelin Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq etj, me udhëzimet e marra nga Serbia, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës, ta inskenojnë serish tensionimin artificial të gjendjes për ta imponuar me çdo kusht "zajednicën" serbe”, potencoi ai.

Në fund, analisti kërkoi nga SHBA dhe BE që urgjentisht ta kthejnë trysnin ndaj Serbisë, pasi Kosova e pranoi propozimin e tyre.

“Kështu që, nëse BE, bile kësaj radhe, të paktën planin e propozuar prej saj, e ka marrë seriozisht dhe nuk është e prirur për zvarritjen edhe të planit franko gjerman, për një dekadë tjetër, pasi që në fakt, është pranuar nga të dyja palët si dokument bazë mbi të cilin duhet punuar, SHBA dhe BE, kërkohet që urgjentisht ta kthejnë trysnin ndaj Serbisë, që të zgjidhet përfundimisht çështja kryesore në mes të dy vendeve.

Kjo do t’i ndihmonte të dy vendet që pretendojnë rrugëtim të përshpejtuar për anëtarësim në BE, dhe jo të krijohen vështirësi të reja, duke implementuar vetëm kërkesat e Serbisë kurse pjesa tjetër e planit franko-gjerman, që ka të bëj me avancimin e shtetësisë së Kosovës dhe inkuadrimin e saj në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, të zvarritet, pambarim, deri në asgjësimin e tij”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat