“Escobar shkeli këtë parim me ekspozitën e gruas së tij në Beograd”, Bytyçi: A do ta hetojë shteti amerikan?

Politika

“Escobar shkeli këtë parim me ekspozitën e gruas së tij në Beograd”, Bytyçi: A do ta hetojë shteti amerikan?

Nga: A.ZH. Më: 5 mars 2023 Në ora: 12:59
Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit dhe i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor

Elisabeth Escobar, bashkëshortja e Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit dhe i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka hapur një ekspozitë në Beograd.

Ekspozitën e zyrtarit të lartë amerikan e ka promovuar edhe Ministria e Jashtme serbe. Në një njoftim zyrtar, duke postuar foto nga ekspozita, Ministria e Jashtme serbe thekson se ky projekt është organizuar si rezultat i një iniciative të përbashkët me Elisabeth Escobar.

“Ambasada e Republikës së Serbisë në Uashington dhe Qendra e Arteve ‘Anacostia’, në bashkëpunim me galerinë ‘Arti për të gjithë’ nga Beogradi, morën pjesë së bashku në projektin ‘Finding A Way’. Escobar u bë fanse e madhe e artit serb gjatë qëndrimit të saj në Beograd”, thuhej në njoftimin e ministrisë serbe.

Kjo ekspozitë ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, pasi e njëjta po konsiderohet si konflikt interesi.

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, aktiviteti i bashkëshortes së Escobarit në Beograd, ulë besueshmërinë e diplomatit amerikan te pala e Kosovës, në dialogun me Serbinë.

“Elizabeth Escobar, bashkëshortja e Gabriel Escobarit, ka hapur një ekspozitë në Beograd. Nuk është thënë deri më sot se si është organizuar dhe kush e ka organizuar një aktivitet të tillë. Të tilla aktivitete me ekspozita personale kushtojnë shumë dhe ndoshta shpenzimet e tij janë përballuar nga familja Escobar. Por, edhe në këtë rast ka një konflikt interesi këtu. Gabriel Escobar është pjesëtar aktiv i grupit negociator perëndimor në dialogun Kosovë-Serbi.

Aktiviteti i gruas së tij në Beograd ul besueshmërinë e diplomatit amerikan te pala tjetër. Në një farë mënyrë e kompromenton atë.”, ka thënë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ai ka thënë se çështja bëhet edhe më serioze, kur merren parasysh deklaratat e Escobarit me presion ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Po t'i shtojmë këtij konflikti të hapur dhe demonstrues të interesit në favor të Serbisë edhe deklaratat që ai ka bërë me presion ndaj Kosovës, atëherë kjo bëhet edhe më serioze”, ka thënë Bytyçi.

Profesori ka shtuar se Escobar ka shkelur parimin për konfliktin e interesit, ndaj si i tillë, sipas tij, duhet të hetohet nga drejtësia amerikane.

“Thelbi i demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit (politik, diplomatik apo financiar) është mënjanimi i konfliktit të interesit. Pikërisht këtë parim themelor të shtetit demokratik të së drejtës e ka shkelur diplomati i lartë Gabriel Escobar!

A do të hetojë shteti amerikan për këtë aktivitet në shkelje interesi? Në përgjithësi drejtësia amerikane ka dëshmuar dinjitet dhe integritet! Ndaj besoj se një ditë kjo do të trajtohet si aferë nga prokurori dhe departamenti i drejtësisë në SHBA!”, ka shtuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat