Deklarata e ministrit rus për Asociacionin - Zbulohet plani “djallëzor”, kështu po rrezikohet Kosova!

Politika

Deklarata e ministrit rus për Asociacionin - Zbulohet plani “djallëzor”, kështu po rrezikohet Kosova!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 mars 2023 Në ora: 22:02
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Ditë më parë krye-diplomati non-grata rus Sergej Lavrov, fajësoi Perëndimin për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përkatësisht mos-formimin e tij.

Planin franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Lavrov e quajti “zgjidhje për aneksim të Kosovës”.

I njëjti tregim: Mashtrimi i serbëve për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, si mashtrimi i Rusisë në Marrëveshjen e Minskut”, tha Lavrov.

Mes tjerash, krye-diplomati rus tha se Perëndimi “nuk do ta implementojë” marrëveshjen franko-gjermane të pranuar mes palëve të hënën.

Ndikimi rus në Serbi po vazhdon të jetë i theksuar, dhe kjo po konsiderohet edhe si pengesë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në zbatimin e planit Franko-gjerman.

Latifi: Kuvendi dhe Qeveria duhet t’u qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta Kosovë – SHBA dhe BE

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari nga Zvicra, Haki Latifi.

Image
Haki Latifi

Ai u shpreh se historikisht dihet që Rusia, Serbia dhe aleatët e tyre gjithmonë kanë synuar dhe dëshirojnë shëmtimin e të arriturave të Kosovës si shtet, kurse miqtë tanë, SHBA dhe NATO janë gardian i suksesit.

Në fillim duhet theksuar se raportet e miqësisë të Kosovës me SHBA-në nuk duhet të jenë ditore apo vjetore sepse, Kosova dhe shqiptarët kanë nevojë dhe interes jetësor që t’i ruajnë me mençuri raportet strategjike dhe afatgjate dhe Kosova sa herë i ka pasur punët mirë me amerikanët dhe sa herë interesat e tyre gjeostrategjike janë përputhur me interesat tona strategjike na ka ra mirë si Kosovë, na ka ra mirë si shtet. Historikisht dihet se Rusia, Serbia dhe aleatët e tyre gjithmonë kanë synuar dhe dëshirojnë shëmtimin e të arriturave të Kosovës si shtet, kurse miqtë tanë, SHBA dhe NATO janë gardian i suksesit dhe i sigurisë së vendeve të lira”, u shpreh ai.

Më tej, Latifi thekson që Qeveria e Kosovës duhet t’i vë në peshojë interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë dhe aleatëve të saj.

Po ashtu, dihet se nga deklarata e Krye-diplomatit non-grata rus Sergej Lavrov në të cilën fajëson Perëndimin për çështjen e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, shteti i Kosovës nuk duhet pritur lavdata dhe përgëzime, kur dihen qëndrimet e tyre politike ndaj Kosovës. Kosova bashkë me miqtë e saj, ka kapacitete të mjaftueshme për t’i përballuar dhe ngadhënjyer edhe në këtë fazë të ndjeshme ndaj presionit të kundërshtarëve të shtetit të Kosovës në të cilën përdorin lloj-lloj instrumente të destabilizimit të saj. Qeveria e Kosovës duhet t’i vë në peshojë interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë dhe aleatëve të saj, duke marrë parasysh edhe reflektimet për faktorët determinues të botës që na rrethon; Rusisë me aleatë në njërën anë, dhe SHBA-së e BE-së në anën tjetër. Kosova me SHBA-të dhe BE-në në krah, është më mirë dhe më e sigurt, sepse është vullnet i popullit të saj dhe Projekt amerikan e jo vullnet politik i Rusisë me aleatët e saj. Interesat strategjike dhe gjeopolitike perëndimore dhe amerikane në Ballkan përputhen plotësisht me interesat e Kosovës dhe kombit tonë”, shpjegon Latifi.

Ndër të tjera, veprimtari shton që Kosovën nuk munden assesi të na rrezikojnë serbët që jetojnë në Kosovë dhe minoritetet tjera.

Kosovën, sipas tij po e rrezikojmë vetëm me veprime euforike dhe të pamatura politike.

“Andaj, Kuvendi dhe Qeveria duhet t’u qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta Kosovë – SHBA dhe BE. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës duhet të bëj çmos që të krijojë sovranitet të plotë, që Kosova të fitojë ulëse në OKB. Kosovën nuk munden assesi të na rrezikojnë serbët që jetojnë në Kosovë dhe minoritetet tjera. Kosovën po e rrezikojmë vetëm me veprime euforike dhe të pamatura politike. Andaj, duhet punuar në atë drejtim që të avancojë shteti në pikëpamje ekonomike, sociale, sundim të ligjit etj! Argumentet janë në anën tonë, vetëm duhet të jemi të vendosur dhe serioz gjatë bisedimeve”, foli për “Bota sot”, Haki Latifi.

Duhanaj: Kosova duhet të operojë syçelë në ketë proces

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që deklarata e Lavrov nuk duhet të merret seriozisht pasi është vetëm një përpjekje për shtyrë procesin e paqes.

Image
Leon Duhanaj

Për mendimin tim, deklarimet e Ministrit të Jashtëm rus Lavrov, nuk janë gjë tjetër pos një përpjekje për të hedhur ndonjë pykë në përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së, për ta shtyrë procesin e paqes përpara. Sepse ruset e dinë së një marrëveshje e paqes në mes Serbisë dhe Kosovës, është humbje për ruset, e jo që ata vuajnë shumë për fatin e serbëve, sa që vuajnë pamundësinë e prezencën dhe ndikimit në rajon, të cilin e bëjnë përmes Serbisë”, thotë analisti.

Nga ana tjetër, ai shton që nuk mendoj që deklaratat e Lavrov do ta kenë ndonjë ndikim në zhvillimet e mëtejshme në proces.

Në anën tjetër, kemi shtetet e NATO-s të cilat përmes integrimit të rajonit në BE, synojnë eliminimin e Rusisë nga regjioni. Rusia e di që e vetmja lidhje që mund ta kenë për të shtri ndikim në Europë, është Serbia dhe, nëse kjo u ikën, do mbeten jashtë lojës. Pra, në ketë kontekst, është mëse e kuptueshme që Rusia, bën kinse po shqetësohet për fatin e serbeve të Kosovës, me pretendimin që ta ruajë ndikimin manipulativ mbi ta. Nuk mendoj që deklaratat e Lavrov do ta kenë ndonjë ndikim në zhvillimet e mëtejshme në proces. Pasi që bota tashmë e ka kuptuar në plotni planin dhe qasjen e Rusisë, qoftë në raport me paqen në Ballkan, qoftë në raport me paqen në Europë dhe Botë”, shprehet ai.

Në fund, analisti kërkon nga Kosova të jetë në bashkëpunim të ngushtë me SHBA, pasi kështu nuk do të jemi të rrezikuar.

Kosova duhet të operojë syçelë në ketë proces. Të jetë në harmoni të brendshme dhe në kooperim të ngushtë me SHBA-të. Ne duhet të jemi të sinqertë në radhë të parë me vetveten dhe njëri-tjetrin. Pastaj me miqtë e vërtetë. Nëse i ndjekim këto pika me sinqeritet, nuk do kemi ndonjë rrezik nga askush. Por nëse ne vetë bëhemi sabotues të proceseve tona , duke luajtur me protagonizëm e egoizëm, atëherë do të na shfaqen probleme në proces”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat