Paralajmërohet Kurti – Kjo është pika e planit franko-gjerman që pritet të shkaktojë “tërmet” në Kosovë

Politika

Paralajmërohet Kurti – Kjo është pika e planit franko-gjerman që pritet të shkaktojë “tërmet” në Kosovë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 7 mars 2023 Në ora: 08:03
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq, Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Josep Borell

“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

Kjo është pika e shtatë e propozimit franko-gjerman për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, plan ky që jave më parë u pranua nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

E kjo pikë po shihet si e rrezikshme për Kosovën. Së paku kështu thonë analistë dhe njohës të zhvillimeve politikë në vend.

Sipas tyre, një situatë e njëjtë si në Mal të Zi me Kishën serbe, mund të përsëritet edhe në Kosovë, për çka japin paralajmërime për kryeministrin Kurti.

Pretendimet e Kishës Serbe

Image
​​​​​​Gazetari dhe anëtari i Shoqërisë Civile, Adem Lushaj

Gazetari dhe anëtari i Shoqërisë Civile, Adem Lushaj, thotë se pretendimet e Kishës serbe për status të veçantë në Kosovë datojnë qysh herët.

“Pretendimet e klerikut Sava Janjiç për një status të veçantë për manastirin e Deçanit, janë të kahershme. Ky, dhe të tjerët asnjëherë nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të tyre, por gjithnjë janë vënë në propagandë kundër institucioneve tona shtetërore. Manastiri i Deçanit është monument i kulturës dhe turizmit për deçanasit, e nuk është trajtuar as nuk duhet trajtuar si objekt i ortodoksisë serbe. Është ruajtur, po ruhet dhe do ruhet nga deçanasit. Statusi shtesë i këtij manastiri e shkëput këtë objekt turistik nga shtetësia e Kosovës. Nuk dimë çfarë sigurie shtesë flitet, kur ky objekt po ruhet nga forca më e madhe ushtarake, KFOR-i”, thotë Lushaj për “Bota sot”.

Sipas tij, çdo lloj statusi juridik pos atij që parashihet me ligjet e Kosovës për monumentet fetare do sjellë telashe në të ardhmen.

“Ky monument duhet shfrytëzuar nga banorët vendas e jo të shkëputet me statuse juridike që do kundërshtohet gjithmonë nga deçanasit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vendim i institucioneve të Kosovës e nuk duhet të trajtohet me Serbinë, ngase janë vendime të brendshme. Vendimi i Kushtetueses në asnjë mënyrë nuk duhet zbatuar ngase do pengon zhvillimin ekonomik të Deçanit dhe do pengojë lirinë e lëvizjes”, deklaron Lushaj.

“Statusi juridik i veçantë për këtë manastir do jetë më i rrezikshëm se Asociacioni, ndaj Kurti dhe çdo kryeministër tjetër nuk duhet lejuar një status çfarë kërkon Sava Janjiç”, përfundon gazetari Adem Lushaj për “Bota sot”.

Telashet e pikës shtatë të planit franko-gjerman

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Kurse, sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, zbatimi i pikës shtatë të planit franko-gjerman do të shkaktojë telashe të mëdha në Kosovë.

“Një autonomi territoriale dhe administrative për Kishën Ortodokse dhe objektet e saja përcjellëse në Kosovë kjo do të shkaktojë një mori telashesh me impakt faktor në konstituimim e raporteve të brendshme si dhe në marrëdhënien ndërkombëtare të Kosovës më mekanizmat e BE deri te UNESCO”, thotë Shala.

“Çfarë do raporti në këtë faze të nxituar për objektet fetare ortodokse do të manifestohet në mase të madhe në mbarëvajtjen e pengimit institucional të KS në çdo forme”, shton Shala.

Më tej, Shala deklaron se Kurti duhet të ketë kujdes, pasi pika shtatë mund të shfrytëzohet si karrem nga Serbia.

“Një veprim nga ana e Kurtit në procesin e fillimit të negocimit 10 vjeçare të raporteve Kosovë-Serbi mbi planin franko-gjerman do të ishte një hendek i madh nëse përmes Kishës Ortodokse serbe të influencohet në atë masë që si karrem të hiqet Kosova nga Kushtetuta e Serbisë. Pra lojëra do të ketë, tentativë po, por në anën tjetër nga pësimi i Malit të Zi , Kosova duhet të marrë mësim praktik politik”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat