“Avullimi” i njohjes reciproke - Analistët tregojnë se çka mund të ndodhë nëse hiqet pika 4 nga plani franko-gjerman

Politika

“Avullimi” i njohjes reciproke - Analistët tregojnë se çka mund të ndodhë nëse hiqet pika 4 nga plani franko-gjerman

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 mars 2023 Në ora: 12:03
Aleksandar Vuçiq, Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Albin Kurti

Plani franko- gjerman i pranuar nga Kosova dhe Serbia, por ende i pa nënshkruar zyrtarisht, vazhdon të quhet sukses nga ndërkombëtarët.

Të martën, kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz duke folur për planin franko-gjerman si një marrëveshje për Kosovën dhe Serbinë, theksoi se “ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Kancelari Scholz tha se “kemi të bëjmë me një propozim shumë të peshuar të Gjermanisë dhe Francës dhe që mbështetet nga BE dhe SHBA dhe që e gjeti pasqyrimin e tij edhe në vendimet e Këshillit Evropian në Bruksel”.

“Mendoj se janë bërë përparime të mëdha, po të shikosh edhe deklaratat publike të Vuçiç dhe Kurtit. Ky është një plan që mund të zbatohet dhe duhet të realizohet. Jam i gëzuar që ne të arrijmë rezultate konstruktive dhe të mira, ndjesia ime është që tani mund të bëhet realitet ajo që dukej jo e mundur deri tani dhe do ishte e mirë për zhvillimin e rajonit dhe për Kosovën dhe Serbinë”, theksoi Scholz.

Në anën tjetër, analistët politikë ndahen në dysh sa i përket këtij plani. Sipas disave, ky plan pa njohje reciproke del i dështuar, ndërsa të tjerët thonë se ky plan është njohje e Serbisë për Kosovën.

Pa njohje reciproke nuk ka stabilitet

Analisti politik, Sulejman Mehazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë bëhet vetëm duke njohur pavarësinë e njëri- tjetrit.

Image
Sulejman Mehazi

“Pika kyçe e planit franko - gjerman, pikërisht, është njohja reciproke e Serbisë me Kosovën, për ndryshe pa njohje reciproke e kot do ishte përpjekja e BE-së për të stabilizuar këto dy shtete fqinje, por edhe rajonin e shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor. Normalizimi fqinjësor Kosovë-Serbi bëhet vetëm duke njohur pavarësinë e njëri-tjetrit, pa njohjen e dy palëve që në start do del i dështuar plani njëmbëdhjetë pikëshe i presidentit francez, Makronit dhe kancelarit gjerman, Sholcit”, pohon Mehazi.

Sipas tij, nëse largohet neni 4 i marrëveshjes për njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, siç kërkon presidenti serb, atëherë lirisht mund të thuhet se ky plan nuk parasheh paqe e stabilitet, por armiqësi e luftë.

“Heqja e njohjeve reciproke" nga plani franko-gjerman është propagandë serbe e presidentit Vuçiqit dhe qeverisë së tij, e kurrsesi evropiane, pasi kryefjala e gjithë këtij plani të BE-së është njohja reciproke Serbi-Kosovë. Nëse në tavolinën e bisedimeve në Ohër hiqet neni 4 i marrëveshjes për njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, siç do presidentit i Serbisë, Vuçiqi, atëherë lirisht mund të themi se të BE-së me planin franko-gjerman jo që nuk duan paqe e stabilitet, por armiqësi e luftë rajonale ballkanike në mes Rusisë me anë të Serbisë dhe BE-së e SHBA-së me anë të Kosovës. Pra, nëse "hiqet pika e njohjes reciproke" nga plani francez e gjerman atëherë qendra e luftës ruse-evropiane do jetë Kosova, RMV-ja, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina”, thekson Mehazi.

Sarrazin: Do të nis procesi i normalizimit

Në anën tjetër, eksperti i politikave të Evropës Juglindore, Manuel Sarrazin i ngarkuar i posaçëm i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se Plani franko-gjerman parasheh që të dy vendet fqinje nuk do e njohin njëra-tjetrën formalisht, por do të pranojnë ekzistencën e dyanshme dhe kështu të startojnë një proces të normalizimit, si ai mes Gjermanisë Federale dhe Republikës Demokratike të Gjermanisë së mbi bazën e marrëveshjes së vitit 1972.

Sipas tij, ky plan është hap thelbësor për të dyja vendet në drejtim të BE-së, por nuk do të zgjidhë të gjitha problemet.

“Serbia dihet që e refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008. Propozimi evropian që bazohet në iniciativën gjermane dhe franceze është në gjendje të zgjidhë një pjesë të madhe të problemeve mes dy vendeve. Ai do të hapë rrugën për integrimin rajonal në BE. Pranimi i këtij plani është një hap thelbësor për të dyja vendet në drejtim të BE, por nuk do të zgjidhë të gjitha problemet, veçse do të hapte një shteg pozitiv, që më në fund për Serbinë dhe Kosovën t’ia vlejë qasja konstruktive. Po ashtu ky plan do të thjeshtonte shumë çështje të bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik”, pohon eksperti i Evropës Juglindore, Manuel Sarrazin.

Pika 4 nënkupton njohje?

Image
Skënder Mulliqi

Por, sipas analistit politik Skënder Mulliqi, nëse Serbia e nënshkruan planin, e pranon edhe pavarësinë e Kosovës.

Plani franko-gjerman po ka interpretime të ndryshme nga analistët politikë dhe nga njerëzit e politikës. Disa ndajnë mendimin se ky plan është në favor të Kosovës, e disa po e kontestojnë, madje po shprehin mendimin së është më shumë në favor të Serbisë. Por, e vërteta e gjithë kësaj ndodhet diku në mes. Po të ishte në favor të Serbisë, Vuqiq në takimin e fundit të Brukselit do ta kishte nënshkruar planin. Shtrohet pyetja logjike, pse nuk e bëri këtë punë? Nuk e bëri së plani franko -gjerman nuk është ashtu siç po e paraqet blloku opozitar në Kosovë, se nuk është se është pranuar ende pa filluar diskutimet Asociacioni nga Kurti dhe se nuk ka njohje në qendër. Presidenti Vuçiq nuk po mendon bash ashtu si opozita jonë. Vuqiqi nuk e bëri nënshkrimin, se nuk e pranojnë pikën e planit ku thuhet së Serbia, nuk bën ta pengojë Kosovën që të bëhet pjesë e OKB-së. Vuçiq pas takimit Brukselit edhe deklaroi se në asnjë mënyrë nuk do të pranojë inkuadrimin e Kosovës në këtë strukturë botërore. Pastaj, nëse nuk kemi njohje në qendër siç po supozohet që është, kemi pikën katër të planit nëse nuk gaboj, ku de fakto nëse Serbia e nënshkruan planin e pranon pavarësinë e Kosovës”, thotë Mulliqi për “Bota sot”.

Bazë të mirë për bisedime planin frako- gjerman, e konsideron Mulliqi, gjersa shton se opozita ka kritika të pabaza ndaj kryeministrit Kurti, për gjoja se e ka pranuar “Zajednicën”.

“Madje, shumë prej njerëzve të politikës mendojnë së pranimi i këtij plani është pranim i pavarësisë të Kosovës nga Serbia. Nëse shikohen më kujdes pikat më radhë të këtij plani, unë mendoj së është bazë e mirë për bisedime. Ky plan i ri për Kosovën, që ka qarkulluar nga shtatori i vitit të kaluar, mund të diskutohet në disa pika. Unë mendojë së kryeministri Kurti ka vepruar mirë duke e pranuar këtë plan. Tash topi ka mbetur në anën e Serbisë, e cila do të tentojë t’i zhagitë proceset ashtu siç dinë serbët. Veç kanë filluar të dëgjohen zërat edhe pse presioni ishte i fortë ndaj Kosovës nga BE-ja dhe Amerika, kësaj here kjo do të bëhet ndaj Serbisë, dhe Vuçiqit në takimin e Ohrit, kur edhe priten të vazhdohen bisedimet. Opozita ka adresuar kritika të pabaza ndaj kryeministrit Kurti, se gjoja e ka pranuar “Zajednicën”, e që nuk përkon me realitetin”, vlerëson Mulliqi.

Plani franko- gjerman është pranuar më 27 shkurt të këtij viti, pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat