Liberalizimi lidhet me marrëveshjen Kosovë-Serbi, njohësit tregojnë kujt i takojnë meritat

Politika

Liberalizimi lidhet me marrëveshjen Kosovë-Serbi, njohësit tregojnë kujt i takojnë meritat

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 mars 2023 Në ora: 16:31
Foto ilustrim

Anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë këtu edhe ato vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, në mënyrë unanime kanë votuar të enjten në përkrahje të heqjes së regjimit të vizave për qytetarët.

Në rrugën përpara drejt finalizimit të këtij procesi kanë mbetur edhe tre hapa të cilët janë procedural, meqë tashmë për procesin s’ka mospajtime politike në mes të shteteve anëtare.

Pas votimit të djeshëm, hapi i radhës është që përfaqësuesit e tri institucioneve të BE-së, Parlamentit Evropian, Këshillit dhe Komisionit të nënshkruajnë aktin ligjor.

Në momentin që përfundohet ky hap, atëherë mbetet procedura e publikimit në gazetën zyrtare bashkë me datën e hyrjes në fuqi të ligjit, dhe hapi i tretë apo i fundit është hyrja e liberalizimit të vizave në fuqi.

Kjo do të ndodhë jo më larg se data 1 janar 2024, ndërsa njohësit e juristët e lidhin liberalizimin me marrëveshjen Kosovë- Serbi, gjersa shtojnë se meritat i takojnë të gjitha gjeneratave qeverisëse.

Lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se liberalizimi i vizave do t’i sjellë Kosovës edhe kontakte me të bërit biznes me vendet e BE-së.

Image
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Bytyçi

“Vendimi që mori Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së për liberalizimin e vizave me Kosovën e qytetarët e saj është definitiv dhe i pakthyeshëm. Sepse vetëm ky këshill ka tagër vendimmarrës, gjithnjë me unanimitet dhe konsensus të plotë. Kjo ndodhi sot dhe ky është një lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën. Ky vendim i djeshëm është përshëndetur gjithandej dhe është pritur me gëzim ta madh nga autoritetet e Kosovës e qytetarët e saj, si dhe kudo në hapësirën shqiptare në Ballkan. Udhëtimi i lirë qytetarëve të Kosovës në zonën Shengen, ku tashmë bën pjesë edhe Kroacia, lehtëson jo vetëm lëvizjen e lirë të njerëzve, por sidomos kontaktet për të bërë biznes me vendet e Bashkimit Evropian. Ndoshta ata që e bllokuan liberalizimin e vizave për 7-8 vite kishin parasysh pikërisht këtë dhe nuk donin forcimin e përparimin ekonomik e të mirëqenies së saj. Sepse një Kosovë me ekonomi të zhvilluar e me standard demokratike në përmirësim të vazhdueshëm imponohet në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e dimë se shtetet e vogla nuk imponohen ndaj shteteve të mëdha nga pikëpamja ushtarake, politike, demografike etj. Por prosperiteti ekonomik dhe arritja e standardeve demokratike të vlerave janë në dorën e çdo shteti, të vogël ose të madh. Kosova tashmë nuk ka asnjë pengesë për asnjërën prej këtyre dy komponentëve. Në demokraci është bërë model i vendeve të tjera të Ballkanit Përendimor. Tani është edhe vend e popull i barabartë me të tjerët edhe sa i përket lëvizjes së lirë në Evropë. Merr fund kështu diskriminimi i saj, ose kushtëzimi i saj në përpjekjet për të ndërtuar shtetësinë e plotë”, deklaron Bytyçi.

Reagimet e krerëve të shtetit

Vendimi për viza është përshëndetur nga krerët e vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pritjes së gjatë po i vjen fundi.

“Një hap më afër: I kënaqur nga Këshilli i BE-së. Vendimi unanim i sotëm në favor të udhëtimit pa viza për qytetarët tanë. Pritjes së gjatë po i vjen fundi. Mezi presim hapat përfundimtarë të Parlamentit Evropian”, shkroi Kurti në Tëitter.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova i ka përmbushur 5 vjet më parë kriteret. Ajo i ka falënderuar partnerët që kanë qëndruar pranë.

“Ne e mirëpresim unanimin e sotëm e Këshilli i BE-së vendimi për liberalizimin e shumë të merituar të vizave për popullin e. Duke përmbushur kriteret 5 vjet më parë, ky proces i vonuar është megjithatë një fitim për qytetarët dhe vendin më të rinj të Evropës. Faleminderit të gjithë partnerëve tanë që na qëndruan pranë!”, ka shkruar presidentja në Tëitter.

Profesori Bytyçi shprehet se meritat i takojnë të gjithë gjeneratave qeverisëse nga shpallja e pavarësisë e këtej.

Sipas tij, të gjitha raportet ndërkombëtare e shohin Kosovën në krye të rezultateve pozitive në rajon sa i përket elementëve të demokracisë.

“Më 1 janar 2024 kosovarët udhëtojnë pa viza në BE. D.m.th nuk ka më aplikime, radhë e stres në dyert e ambasadave. Secili do të marrë thjesht pasaportën në xhep dhe do të niset drejt aeroportit ose pikave kufitare. Kjo ndoshta ndodh edhe më parë. Por një gjë është e sigurt se vendimi i sotëm nuk kthehet nga Parlamenti Evropian, i cili do ta votojë vendimin e sotëm diku nga prilli i ardhshëm. Do ta votojë, sepse aty nuk merren vendimet me konsensus, por me shumicë votash. Për Kosovën në këtë parlament vazhdimisht kanë votuar mbi 2/3 e deputetëve të tij. Ndaj them se vendimi i sotëm është i pakthyeshëm. Sa i takon meritave në këtë vendimmarrje, ato janë të të gjitha gjeneratave qeverisëse nga shpallja e pavarësisë e këtej. Por meritën më të madhe e ka qeveria e sotme e zotit Kurti, presidentja osmani, parlamenti I sotëm e institucionet e tjera të tanishme të shtetit të Kosovës. Kjo për shkak se në dy vitet e fundit të kësaj qeverisjeje janë shënuar hapa të rëndësishëm në dialogun me Kosovën, në luftën kundër korrupsionit, në menaxhimin e resurseve të vendit, në përballimin e krizave dhe mbrojtjen e qytetarëve nga ndikimi i tyre. Të gjitha raportet ndërkombëtare e shohin Kosovën në krye të rezultateve pozitive në rajon sa i përket elementëve të demokracisë. Sot u publikua raporti për lirinë dhe vendin që zënë shtetet në këtë raport. Kosova u ngjit më shumë se çdo vend tjetër, në Evropë, bashkë me Slloveninë. Vendet tjera, përfshirë edhe Shqipërinë, qëndruan në nivelet e viteve të kaluara ose më poshtë se ato nivele. Po kështu në indeksin e luftës kundër korrupsionit, atë të zbatimit të shtetit të së drejtës, në ngritjen e buxhetit të shtetit e kështu me radhë”, pohon Bytyçi.

Liberalizimi i vizave shërben edhe si inkurajim për nënshkrimin e marrëveshjes Kosovë- Serbi, thotë Bytyçi, gjersa shton se Kosova duhet të ketë në konsideratë, por jo eufori.

“Natyrisht që ka sfida, ka probleme, ka mundësi më të mira qeverisëse, duhen ndjek disa modele të përparuara evropiane në ndonjë rast dhe në ndonjë fushë, por në kuptimin makro, Kosova Meriton shumë, jo vetëm liberalizimin e vizave. Meriton së pari njohjen e pesë shteteve anëtare të BE-së, më pas edhe integrimin e për shpejtuar në NATO dhe BE. Unë jam i bindur se nëse Kosova vazhdon me këto ritme të përmirësimit të standardeve të demokracisë, ajo do të zhvillohet shumë mirë ekonomikisht dhe do të integrohet po ashtu shumë shpejt në BE. Madje para Shqipërisë, nëse Shqipëria do të zvarritet, siç ndodh që prej gati një dekade! Kosova është në prag të nënshkrimit të një marrëveshjeje me Serbinë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve. Liberalizimi i vizave shërben edhe si inkurajim për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Por kjo nuk do të thotë se duhet të kalohet në eufori e të mos marrësh në konsideratë rreziqet që kanos një marrëveshje e keqe. Sidomos kur është fjala për asociacioni”, shton Bytyçi.

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot ka deklaruar se më së largu janari i vitit të ardhshëm mund t’i gjejë kosovarët me liberalizim të vizave.

Sipas tij, kjo gjë mund të ndodh edhe më herët, nëse Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), fillon punën më herët

“Janë 2 data të mundshme, është ose kur sistemi ETIAS fillon të punojë ose tek më e fundit 1 janari (2024). Janë diskutime teknike ku unë nuk mund të tregoj datat e sakta. Mendoj se jemi duke iu ofruar të lejojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza për 90 ditë”, ka deklaruar ai.

Kelmendi: Liberalizimi i vizave për Kosovën varet nga marrëveshja Kosovë – Serbi

Image
Juristi Muhamet Kelmendi

Kurse, juristi Muhamet Kelmendi, liberalizimin e lidh me marrëveshjen Kosovë- Serbi.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën varet nga marrëveshja Kosovë – Serbi. Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk varet nga vendimet e ndonjë organi të UE-së, që nuk vjen nga niveli më i lartë i Këshillit të Evropës të UE-së, e ku bëjnë pjesë kryeministrat apo presidentët e shteteve anëtare të UE-së. Ne fakt, Kosova i ka plotësuar kushtet e kërkuara për heqjen e vizave që në vitin 2018. Tash e pesë vite luhet me viza nga UE-a për Kosovën”, thekson Kelmendi.

Këshilli i Ministrave të UE-së e kanë ndërlidhur heqjen e vizave me planin e UE-së dhe SHBA-së, për dialogun Kosovë- Serbi, thotë Kelmendi.

“Kjo lojë bëhet vetëm për një qëllim të qartë politik. Nuk është në pyetje ndonjë kusht i paraqitur, që gjoja nuk është i plotësuar. As ndonjë çështje sociale a ekonomike, pse nuk hiqen vizat. Këshilli i Ministrave të UE-e kanë ndërlidhur heqjen e vizave me planin e UE-së dhe të SHBA-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Miratimi i këtij plani dhe arritja e marrëveshjes për zbatim është kusht për liberalizim të vizave. Së këndej nuk dihet kur futet në fuqi liberalizimi i vizave për Kosovën. Nënshkrimi i planit dhe arritja e marrëveshjes zbatuese është fakt që e ndërlidhe liberalizimin e vizave me ndonjë datë të UE-së ose me 1 Janar 2924. Tash është vështirë të tregohet dhe të prognozohet data e liberalizimit. Është mirë që në KM të UE-së, janë përmendur dy data të liberalizimit të vizave. Nëpërmjet kësaj tregohet se UE është e vendosur që të kemi marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Me këtë ndërlidhet liberalizimi i vizave”, përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat